Postuar më: 04/11/2019

Ministrja Denaj: Akti Normativ i Buxhetit të vitit 2019 synon ruajtjen e parametrave kryesorë makroekonomikë

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, prezantoi para deputetëve në seancë plenare Aktin Normativ Nr. 2 “Për disa ndryshime ndryshime në Ligjin për Buxhetin e vitit 2019”.

Ministrja bëri një përmbledhje të zhvillimeve kryesore makroekonomike të deritanishme dhe tha se sektorët kryesorë të ekonomisë vazhdojnë të përmirësohen, pavarësisht një ngadalësimi të rritjes ekonomike në gjysmën e parë të vitit për shkak të faktorëve të përkohshëm.

Treguesit kryesorë të ekonomisë gjatë tremujorit të dytë dëshmojnë për bazat e forta në disa drejtime:

-ecurinë pozitive në tregun e punës kur papunësia u ul nën nivelin prej 12% dhe punësimi u rrit me 3.3%;

-stabilitetin financiar dhe përshpejtimin e kreditimit të ekonomisë, ku kreditë me probleme janë ulur deri në nivelin e 11%, ndërsa kreditimi i sektorit privat të ekonomisë është zgjeruar për tre tremujorë rresht të vitit, duke regjistruar një rritje prej mbi 7% kundrejt një viti më parë;

-qëndrueshmërinë e financave publike dhe vijimin e konsolidimit fiskal, ku pritshmëria e deficitit buxhetor mbetet nën 2% nga 5% të PBB-së në vitin 2013, ndërsa borxhi publik neto[1] është reduktuar vitet e fundit nga niveli më i lartë prej 71.9% të PBB i regjistruar në vitin 2015 në rreth 64% i pritshëm për vitin 2019.

Ndërkohë, Investimet e Huaja Direkte janë rritur me 10% në tremujorin e parë dhe me pothuajse 20% në tremujorin e dytë.

Ministrja Denaj vuri në dukje se rezultatet paraprake fiskale deri në Shtator 2019 tregojnë se realizimi i përgjithshëm i buxhetit mbetet plotësisht në përputhje me objektivat dhe parametrat kryesorë fiskalë.

Në fjalën e saj, Ministrja Denaj informoi se arsyet kryesore të paraqitjes së Aktit Normativ janë:

  • Garantimi i financimit të fondit rezervë të buxhetit të shtetit, në vijim të situatës emergjente të krijuar pas tërmetit të datës 21 shtator 2019;
  • Kompensimi i disa zërave të shpenzimeve buxhetore, të prekura në 2019 për efekt të financimit të Paktit për Universitetin;
  • Reflektimi i ecurisë optimale të të ardhurave vendore, gjatë gjysmës së parë të vitit 2019.
  • Rritja e efiçencës së përdorimit të burimeve publike për rialokimeve drejt projekteve të investimeve me progres të mirë deri tani.

Gjithashtu, znj. Denaj sqaroi se disa prej synimeve kryesore të këtij Akti Normativ janë Ruajtja e nivelit të planifikuar në buxhetin e vitit 2019, të parametrave kryesorë makroekonomikë, si dhe sistemime dhe/ose rialokime të tjera pa kosto shtesë efektive mes zërave të shpenzimeve buxhetore, por të cilat ndikojnë ndjeshëm në rritjen e performancës së pritshme të realizimit të treguesve në fund të vitit 2019.

 

Fjala e Ministres Denaj:

I nderuar kryetar i seancës,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar qytetarë,

Në prezantimin e sotëm të Aktit Normativ Nr. 2 “Për disa ndryshime në Ligjin për Buxhetin e vitit 2019”, më lejoni ta filloj së pari me një përmbledhje të shkurtër të zhvillimeve makroekonomike gjatë këtij viti, si dhe perspektivën në vijim.

Pavarësisht një ngadalësimi të rritjes ekonomike në gjysmën e parë të vitit për shkak të disa faktorëve të luhatshëm dhe të përkohshëm, sektorët kryesorë të ekonomisë vazhdojnë të përmirësohen. Konkretisht, sektorët që kanë shënuar rritje të qenësishme pozitive në tremujorin e dytë të këtij viti, me kontribut më të lartë pozitiv, janë:

  • Industria nxjerrëse, ajo përpunuese (përveç energjisë elektike), me 15.6% rritje’
  • Industria e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve me 4.4% rritje, ajo e produkteve të drurit dhe letrës me 15.6 % rritje;
  • Rritje të qenësishme që varion nga 4.8 në 13.9% pati në pjesën më të madhe të sektorit të shërbimeve, që nga akomodimi dhe shërbimi ushqimor, transporti, komunikacioni, aktivitetet financiare dhe ato të pasurive të paluajtshme.

Performancë të ulët kanë shënuar sektori i energjisë elektrike dhe atij të “argëtim dhe shlodhje” ku bëjnë pjesë “lojrat e fatit”, të dyja me një efekt minus 1.6 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.

Ky ritëm më i ulët i rritjes ekonomike se sa ai i parashikuar për këtë vit ka rritur edhe përgjegjshmërinë për të parë ritmin e rritjes së këtij viti, duke e korrigjuar atë në 3.4% në përfundim të këtij viti.

Sigurisht kjo do të sjellë një efekt negativ edhe në nivelin e të ardhurave ndaj parashikimit.

Në aspektin e kërkesës agregate, rritja në gjysmën e parë të vitit 2019 është gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, specifikisht nga konsumi, si edhe nga eksportet neto tё shёrbimeve, të cilat reflektojnë një performance mjaft të mirë të turizmit edhe gjatë këtij tremujori.

Treguesit kryesorë të ekonomisë gjatë tremujorit të dytë dëshmojnë bazat e forta:

  • Së pari Vijueshmëria e performancës pozitive në tregun e punës me një ulje tё mëtejshme tё shkallës së papunësisë nën nivelin prej 12%, niveli më i ulët i regjistruar gjatë dy dekadave e fundit. Punësimi u rrit me 3.3%, e ushqyer kjo kryesishisht nga rritja e shkallës së pjesëmarrjes në forcat e punës.
  • Stabiliteti financiar dhe përshpejtimi i kreditimit të ekonomisë. Qëndrueshmëria e sektorit financiar, në terma të kapitalizimit, likuiditetit dhe përfitueshmёrisё, vazhdon të mbetet e përmirësuar. Kreditё me probleme (NPL) kanë vijuar të ulen, tashmë deri nё nivelin rreth 11%, nga 24% që u akumuluan rreth dy vite më parë. Gjithashtu, kreditimi i sektorit privat të ekonomisë ka njohur tashmë për tre tremujorë rresht të këtij viti një zgjerim të qenësishëm, duke regjistruar një rritje prej mbi 7% kundrejt një viti më parë, e cila i atribuohet si kredisë drejt bizneseve ashtu edhe asaj drejt konsumatorëve.
  • Qëndrueshmëria e financave publike dhe vijimi i konsolidimit fiskal. Konsolidimi fiskal ka dhënë efektet e tij edhe për vitin 2019, ku pritshmëria e deficitit buxhetor mbetet nën 2% nga 5% të PBB-së në vitin 2013. Në vitet e fundit borxhi publik neto[2] është reduktuar nga niveli më i lartë prej 71.9% të PBB i regjistruar në vitin 2015 në rreth 64% i pritshëm për vitin 2019.

Gjithashtu edhe rritja e fortë prej 10% e Investimeve të Huaja Direkte në tremujorin e parë dhe me pothuajse 20% në tremujorin e dytë, të shpërndara në disa sektorë të ekonomisë, mbulojnë efektet e  përfundimit të fazës së ndërtimit të investimeve madhore.

Disa nga rezultatet paraprake fiskale deri në Shtator-2019 tregojnë se realizimi i përgjithshëm i buxhetit mbetet plotësisht në përputhje me objektivat dhe parametrat kryesorë fiskalë.

  • Të ardhurat totale të mbledhura për 9 (nëntë) mujorin e vitit 2019 u realizuan në masën 3 miliardë lekë, 3.7% ose 10.8 miliardë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar,
  • Të ardhurat e mbledhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave u realizuan në vlerën 8 miliardë lekë, 2.5% më shumë se 9 mujori i vitit 2018,
  • Të ardhurat e mbledhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u realizuan në vlerën 5 miliardë lekë, ose 4.6% më shumë se 9 mujori i vitit 2018
  • Rimbursimi i TVSH-se është rritur +40% krahasuar me vitin 2018, ose +4.2 miliard lekë.
  • Të ardhurat e mbledhura nga DPT për Kontributet u realizuan në masën 70 miliardë lekë, 8% ose 3.8 miliardë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2018.

Në 9-Muaj të vitit 2019:

  • Shpenzimet korente rezultuan në rreth 304.3 miliardë LEK ose 71 përqind e planit vjetor, ose me një rritje prej rreth 8.1% kundrejt 2018;
  • Shpenzimet kapitale rezultuan në një realizim në masën 41.4 miliardë LEK ose 47 përqind e planit vjetor.

Shpenzimet kapitale me financim të brendshëm kanë patur një realizim relativisht të kënaqshëm prej rreth 53% të planit vjetor, apo me një rritje prej rreth 8.9% krahasuar me 2018.

Defiçiti i përgjithshëm për nëntë muajt e parë të vitit 2019 rezultoi në nivelin 2.3 miliardë LEK. Për tre muajt e mbetur të vitit, sipas trendit të zakonshëm të financave tona publike, pritet që shpenzimet në përgjithësi dhe ato kapitale në veçanti të kenë një përshpejtim të ekzekutimit të tyre, sidomos në Nëntor e Dhjetor.

Për tu rikthyer në diskutimin e Aktit Normativ Nr. 2, dëshiroj të theksoj arsyet kryesore të nevojës së këtij akti;

  • Garantimi i financimit të fondit rezervë të buxhetit të shtetit, në vijim të situatës emergjente të krijuar pas tërmetit të datës 21.09.2019.
  • Kompensimi i disa zërave të shpenzimeve buxhetore, të prekura në 2019 për efekt të financimit të Paktit për Universitetin;
  • Reflektimi i ecurisë optimale të të ardhurave vendore, gjatë gjysmës së parë të vitit 2019.
  • Rritja e efiçencës së përdorimit të burimeve publike për rialokimeve drejt projekteve të investimeve me progres të mirë deri tani.

Disa ndër synimet kryesore të këtij Akti Normativ janë:

  1. Ruajtja e nivelit të planifikuar në buxhetin e vitit 2019, të parametrave kryesorë makroekonomikë të theksuar më sipër.
  2. Sistemime dhe/ose rialokime të tjera pa kosto shtesë efektive mes zërave të shpenzimeve buxhetore, por të cilat ndikojnë ndjeshëm në rritjen e performancës së pritshme të realizimit të treguesve në fund të vitit 2019.

Konkretisht:

  1. Sigurojnë financimin për disa zëra sensitivë të shpenzimeve korente, si fondi rezervë, skema e fermerëve, skema e PAK, arsimi i lartë, rendi, mbrojtja, etj, dhe konkretisht disa prej tyre:
  • Ministria e Brendshme: 450 mln leke për orët jashtë orarit për efektivët e Policisë së Shtetit dhe ushqim & orë pune Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë/Kursantet,
  • Ministria e Mbrojtjes: 120 mln lekë për mirëmbajtjen e sistemeve IT;
  • Ministria e Shëndetësisë: 300 mln lekë për Skemën e Personave me Aftësi të Kufizuar – PAK,
  • Ministria e Arsimit: 300 mln lekë për Arsimin Bazë,
  • Ministria e Bujqësisë: 200 mln lekë për Skemën e Fermerëve, për kompensimin e çmimit të qumështit.
  1. Rrisin performancën e shpenzimeve kapitale, përmes alokimit të burimeve dhe rialokimit të fondeve drejt projekteve të investimeve publike, të cilat rezultojnë me progres të mirë, me qëllim arritjen e nivelit të programuar të tyre për vitin 2019. Konkretisht, ky Akt Normativ garanton specifikisht, ndër të tjera, sa vijon:
  • MIE: 1 miliardë lekë financim i huaj për të mundësuar avancimin e punimeve në By-Pass Fier dhe përfundimin e një krahu të rrugës; dhe 370 milionë lekë shpronësimet në objektet e Autoritetit Rrugor Shqiptar.
  • FSHZH: 800 milionë lekë për avancimin e projekteve kryesore;
  • Ministria e Kulturës: 200 milionë lekë për shtimin e ritmit të punimeve për rikonstruksionin dhe pajisjet e godinës së TKOB;
  • Ministria e Bujqësisë: 200 milionë lekë për vazhdimin e financimit të projekteve me fokus mbrojtjen e argjinaturave lumore, dhe sistemin e kanaleve ujitëse;
  • Ministria e Financave: 125 milionë lekë për blerjen e pajisjeve për “Polin e Drejtësisë”;
  • Ministria e Shëndetësisë: 90 milionë lekë “Rikonstruksioni i godinës së Maternitetit të Vjetër”.
  • Bashkia Tiranë: 1 miliardë lekë për avancimin e punimeve për projektin e “Bulevardit Verior dhe Rehabilitimit të Lumit të Tiranës”.
  1. Reflektimi i rritjes së tavanit të shpenzimeve për njësitë vendore

Përmes këtij akti normativ në nivel vendor është siguruar një rritje e të ardhurave nga taksat lokale me rreth 3 miliard lekë, rritje në të ardhurat vendore është relizuar me argumentimin si më poshtë:

  • Për 6-mujorin e parë të ardhurat e veta të njësive të vetëqeverisjes vendore janë realizuar në masën 60.9% të planit vjetor ose 22% më shumë se plani i periudhës;
  • Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore në 6 mujorin e dytë të vitit 2019 pritet të tejkalojnë planin e parashikuar të të ardhurave të veta vendore si pasojë e rritjes së eficencës së mbledhjes së të ardhurave;
  • Trendi rritës i të ardhurave vendore konstatohet edhe në realizimin 9 mujor, ku të ardhurat vendore krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018 janë në rritje.

Gjithashtu, rritja e të ardhurave të njësive të vetëqeverisjes vendore do të reflektohet në rritjen e shpenzimeve me rreth 4 miliard lekë.

  1. Akomodimin e nevojave të reja të funksionimit të institucioneve të sistemit të drejtësisë (Vettingu-t), si nga pikëpamja e shpenzimeve ashtu edhe e numrit të punonjësve.

Ky Akt Normativ alokoi burimet e nevojshme shtesë, njerëzore dhe financiare, për disa institucione të reja të Vetting-ut, dhe konkretisht:

  • SPAK/Byro Hetimi – Kemi akomoduar organikën e re prej 100 punonjesish shtesë, me një buxhet total prej 66 milion lekë, për periudhën tetor-dhjetor 2019.
  • Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë (ILD) – Kemi akomoduar organikën e re prej 40 punonjësish, me një buxhet prej 10 milion lekë, për periudhën tetor-dhjetor 2019.

Ndërkohë që, në retrospektivë për të gjithë 9 mujorin e parë të vitit 2019, financimi i pagave të reja të magjistratëve për Institucionet e Sistemit të Drejtësisë (Vetting) është realizuar në zbatim të nenit 13 të Ligjit nr.99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”, në zërin “Fondi Rezervë për Sistemin e Drejtësisë”. Ky fond i planifikuar në masën 1.35 miliard lekë, deri në datën 31 Tetor 2019 është përdorur në masën 1.2 miliard lekë ose në rreth 89.1% të tij, dhe konkretisht:

  • Prokurorisë së Përgjithshme –buxhet shtesë 600 milion lekë, shpenzime personeli;
  • Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) –buxhet shtesë 400 milion lekë shpenzime personeli;
  • Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) – I akordohen 65 punonjës shtesë dhe një buxhet prej 88 milion lekë shpenzime korente dhe 20 milion lekë investime;
  • Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) – I akordohen 54 punonjës shtesë dhe një buxhet prej 62 milion lekë shpenzime korente & 20 milion lekë investime.
  • Gjykatës së Lartë – I akordohet shtesë buxheti në masën 13.2 milion lekë, shpenzime korente.

Bazuar në sa më sipër, në rëndësinë për ecurinë e financave publike, për funksionimin e strukturave të lidhura me Reformën në Drejtësi dhe  në bindjen se ndryshimet e propozuara ruajnë treguesit kryesorë makroekonomikë dhe fiskalë, si dhe sjellin përmirësim të të gjithë projekteve deri në fund të vitit, Ju ftoj të votoni këtë Akt Normativ.

Faleminderit.