Postuar më: 11/02/2014

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani takon drejtuesit e sektorit bankar

Ministria e Financave ndodhet aktualisht në një proces të rëndësishëm në zgjidhjen e problemit të likuiditetit në ekonomi. Shumë shpejt pritet të firmoset marrëveshja e huas me Fondin Monetar Ndërkombëtar, me vlerë 350 milionë dollarë. Ky fond do të shkojë për të shlyer detyrimet e papaguara të qeverisë shqiptare ndaj kompanive private.

Angazhimi i qeverisë për të paguar faturat e akumuluara me vite dhe për të mos krijuar detyrime të reja janë përcaktuar qartë në strategjinë e miratuar nga Këshilli i Ministrave  për “Parandalimin dhe Shlyerjen e Detyrimeve të Prapambetura dhe Plani i Veprimit”.

 

Në kuadër të zhvillimeve të fundit, ministri i Financave, Shkëlqim Cani ftoi në një takim drejtuesit e sektorit bankar. Diskutimi preku çështje që lidhen me kreditimin e ekonomisë, kreditë me probleme, ndryshimet në ligj për trajtimin fiskal të heqjes së kredive të humbura nga bilanci, për mënyrën e pagesës së përmbaruesve për ekzekutim të kolateralit, si dhe impakti që do të japë në ekonomi shlyerja e detyrimeve të prapambetura.

 

Në fjalën e tij, ministri Cani u bëri të ditur bankave se miratimi i strategjisë së shlyerjes së borxheve ndaj kompanive dhe individëve nuk sjell leverdi vetëm për biznesin, por edhe për bankat, të cilat janë rënduar nga kreditë me probleme. Këto të fundit parashikohet të zbresin me 3-4 pikë përqindje nëse llogarisim fondin e parashikuar në buxhet prej 350 milionë dollarë, që parashikohet të shkojë për detyrimet e papaguara ndaj firmave.

 

Rritja e kredive me probleme ka sjellë stepjen e bankave për të kredituar ekonominë, por drejtuesit e bankave u shprehën optimistë se nisja e pagesave nga qeveria për projekte që presin me vite shlyerjen e detyrimit do të çlirojë sistemin. Sipas bankave, shlyerja e borxheve të vjetra do t’i japin një frymëmarrje ekonomisë, ndërsa përfshirja e FMN-së në këtë proces e bën Shqipërinë më të besueshëm në sytë e ndërkombëtarëve. Drejtuesit e bankave u shprehën me optimizëm për nënshkrimin e marrëveshjes me FMN duke e vlerësuar atë si rritje e konfidencës ndaj ekonomisë.

 

Ministri kërkoi nga bankat më shumë bashkëpunim. “Mirëpres nga ju jo vetëm identifikimin e problemeve, por edhe sugjerime për zgjidhjen e tyre”. Në lidhje me mënyrën e pagesës së borxhit ndaj firmave dhe avantazhin e bankave në këtë proces, z. Cani ftoi drejtuesit e sektorit bankar të shikojnë gjetjen e zgjidhjes, në mënyrë që të sjellë edhe shlyerjen e kredive.

 

Bankat, nga ana e tyre, ngritën probleme në lidhje me gjyqësorin dhe precedentët negativë që krijohen nga vendime mbi interpretime të njëanshme.

Të rejat e fundit