Postuar më: 17/01/2014

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani takohet me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës

Me rastin e vizitës së tij në Kosovë, ministri i Financave i Shqipërisë, Shkëlqim Cani u prit në një takim nga Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Bedri Hamza.

Me këtë rast guvernatori Bedri Hamza shkëmbeu informacion mbi zhvillimet ekonomike e financiare në Kosovë, si dhe falënderoj ministrin Cani për mbështetjen që shteti shqiptar ka dhënë dhe është duke dhënë në zhvillimin e sektorit financiar në Kosovë.

Guvernatori po ashtu ka njoftuar ministrin Shkëlqim Cani dhe delegacionin që kryesonte edhe për bashkëpunimin, që institucioni i BQK-së ka me Bankën e Shqipërisë dhe me institucionet e tjera, që kanë fushëveprimin e përbashkët në sferën e industrisë së sigurimeve dhe asaj financiare në përgjithësi.

Hamza e falënderoj ministrin Cani për vizitën dhe për kontributin, që subjektet ekonomike shqiptare kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin me pjesëmarrjen në treg, e të cilat i nënshtrohen rregullativës dhe autoritetit mbikëqyrës dhe rregullator të BQK-së, të cilët operojnë në fushën bankare dhe industrinë e sigurimeve në Kosovë.

Temat tjera të shtjelluara gjatë diskutimit kishin të bënin në përgjithësi me mbarëvajtjen e punëve dhe performancën e këtyre institucioneve, që janë të pranishme në tregun financiar të Kosovës. Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan po ashtu që bizneset e të dyja palëve të jenë më të pranishme në të dyja vendet.

Në këtë takim, ministri i Financave i Shqipërisë Shkëlqim Cani shoqërohej edhe nga zëvendësministri Ervin Mete, drejtoresha e politikave dhe marrëdhënieve fiskale Arjana Dyrmishi dhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka.

Të rejat e fundit