Postuar më: 17/07/2018

Ministri Ahmetaj mbledh Komitetin e Lehtësimit të Tregtisë

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Komitetin Kombëtar të Lehtësimit të Tregtisë

Shqipëria që prej 10 vitesh është përfshirë në një proces të rëndësishëm integrues në kuadrin e MSA-së dhe tashmë edhe si vend kandidat në prag të hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, duke u bërë pjesë e, fillimisht proceseve integruese rajonale në kuadër të CEFTA-s, dhe më tej e procesit të Berlinit, i cili u materializua me MAP REA, Zonën Ekonomike Rajonale, ku do të përfshihet patjetër Tregtia, Investimet, Lëvizshmëria dhe Integrimi Dixhital.

Gjatë viteve të fundit Shqipëria ka vijuar punën për hartimin dhe miratimin e legjislacionit me qëllim nxitjen e tregtisë së brendshme dhe të jashtme, si dhe ka bërë hapa të rëndësishëm për krijimin e institucioneve të duhura në zbatim të saj.

Zona Ekonomike Rajonale, apo siç i referohemi në tryezat rajonale REA – një zonë e integruar ku mallrat, shërbimet, investimet dhe fuqia punëtore e kualifikuar mund të lëvizin pa pengesa brenda 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim rritjen e atraktivitetit ekonomik të rajonit, zgjerimin e tregut për investitorët potencial, krijimin e zinxhirit të vlerave rajonale dhe përmirësimin e marrëdhënieve tregtare brenda ËB6 dhe BE-së.

Politikat tregtare bazuar në Marrëveshjen e CEFTAs dhe marrëveshjet dypalëshe të Tregtisë së Lirë me partnerë të tjerë tregtarë, zgjeruan kanalet për rritjen e shkëmbimeve tregtare midis vendeve të rajonit. Konkretisht, gjatë 10 viteve të fundit, shkëmbimet tregtare janë rritur me rreth 5 herë; rritjen më të madhe e kanë shënuar shkëmbimet tregtare me Serbinë me 8,73 herë, me Kosovën me 6,2 herë dhe me Malin e Zi me 5,6 herë. Në total, shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me vendet e rajonit në vitin 2017 zënë 11.1% të shkëmbimeve tona tregtare.

Partneri kryesor tregtar i Shqipërisë është Bashkimi Europian me Italinë e renditur si vend i parë. Shkëmbimet tregtare, për 2017 me vendet e BE zënë 66,3 % të të gjithë volumit tregtar. Gjatë vitit 2017, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia me 10 %, Kosova me 26,0 % dhe Spanja me 87,5 %.

Gjatë vitit 2017, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia me 5,7 %, Turqia me 11,2 % dhe Greqia me 9,2 %.

Referuar treguesit të hapjes së ekonomisë, rezulton të ishte 57,97 % në vitin 2014, pati një rënië në vitin 2016  dhe një rikuperim të rëndësishëm për të arritur prapë në nivelin 57,8 % në vitin 2017 dhe sigurisht të dhënat paraprake të gjashtëmujorit tregojnë një hapje akoma të mëtejshme të Shqipërisë gjatë vitit 2017 e prandaj po i krahasoj. Eksportet e mallrave arritën vlerën 273 mld lekë, duke u rritur me 12,1 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 626 mld lekë, duke u rritur me 8,1 %. Ndërkohë, po t’i referohemi eksporteve të gjashtëmujorit të 2018-ës rritja është 18.3 % krahasuar me të njëjtin gjashtëmujor të vitit 2017.

Ekonomitë e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor janë të angazhuara për të krijuar një zonë ekonomike rajonale (REA në CEFTA), për të tërhequr më shumë investime, nëpërmjet uljes së kostos së tregtisë dhe minimizimin e pengesave jo tarifore, për lehtësimin e tregtisë së mallrave; harmonizimin e tregjeve të CEFTA-s me BE, krijimin e mekanizmit për zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve tregtare, që ka qenë dhe pjesë e debateve të fundit në tryezën e CEFTA-s.

Hapat integruese rajonale gjatë këtyre viteve janë shoqëruar me rezultate të rëndësishme në drejtim të liberalizimit tregtar, duke filluar me heqjen e pengesave tarifore për produktet industriale e më pas edhe ato bujqësore.

Shqipëria është e angazhuar seriozisht si palë e marrëveshjes së CEFTA-s, për zbatimin e masave për tregtinë në kuadër të MAP REA, e sanksionuar kjo me Deklaratën Ministeriale në Prishtinë, 27 prill 2018, në lidhje me:

Miratimin e Protokollit Shtesë 5 të CEFTA-s mbi Lehtësimin e Tregtisë të miratuar në Beograd më 26 maj 2017, ratifikuar nga Parlamenti Shqiptar, më 18 prill 2018, duke inkurajuar Palët për të përfunduar procedurat e ratifikimit, si dhe në përgatitjen e “Road Map”, siç rekomandohet nga Sekretariati i CEFTA-s, për njohjen reciproke të dokumenteve kufitare dhe programeve të operatorëve ekonomikë të autorizuar (AEO), deri në fund të vitit 2018;

Njohjen e çertifikatave të nënshkrimit elektronik nëpërmjet ofrimit të shërbimeve online në portalin “e-Commerce”;

Miratimin e Protokollit Shtesë 6 të CEFTA-s për tregtinë e shërbimeve;

Zhvillimin e negociatave mbi Protokollin shtesë 7 për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare në CEFTA;

Raportimin periodik të informacionit në Portalin Statistikor të CEFTA-s (të krijuar në dhjetor 2017), duke mundësuar zbatimin e angazhimeve të ndërmarra nga Marrëveshja CEFTA dhe Protokollet e saj, për të monitoruar dhe vlerësuar progresin e bërë.

Qeveria shqiptare është në dialog me komunitetin e donatorëve në Shqipëri për të realizuar një Analizë të thelluar të çështjeve të identifikuara si barriera të aksesit në treg, madje shumë shpejt do të kemi dhe një projekt të dedikuar për lehtësimin e tregtisë dhe krijimin e zonës së integruar ekonomike të 6 vendeve të rajonit, me Bankën Botërore. Ndërkohë, në identifikim të barrierave që vazhdojnë akoma të pengojnë aksesin në treg, në konsultim me përfaqësuesit e sektorit privat, po thellohemi për dy sektorë që kanë impaktin më të madh në ekonomi, atë të perimeve dhe metaleve (hekur dhe çelik) në Shqipëri.

Kjo analizë është bërë edhe në vendet e tjera të CEFTAs, për t`i mbështetuar këto vende për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga Protokolli Shtesë 5 i Marrëveshjes së CEFTA-s.

Sa më lart, kërkohet bashkërendim dhe efektivitet institucional edhe me sektorin privat nëpërmjet Forumit rajonal të Dhomave të Tregtisë së 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, si përparësi të MAP REA, të cilat pritet të intensifikojnë shkëmbimet tregtare, hapjen ekonomike dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë së Shqipërisë, Kosovës dhe vendeve të rajonit, duke kapërcyer edhe dobësitë strukturore që paraqet struktura ekonomike në rajon.

Shqipëria ka ndërmarrë hapa për të mbështetur një rritje të zgjuar. Tashmë ka filluar procesi i hartimit të Strategjisë së Specializimit të Zgjuar, duke krijuar në muajin Prill 2018 një strukturë të posaçme për koordinimin dhe përgatitjen e draftit të parë të Udhërrëfyesit të Specializimit të zgjuar. Ne e konsiderojmë një hap shumë të rëndësishëm për zhvillimin e një kuadri të mirë strukturuar, i cili identifikon prioritetet e Shqipërisë me potencial për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm.

Për sa i përket Marrëveshjes CEFTA, është bërë progres lidhur me heqjen e pengesave për njohjen e kualifikimeve profesionale. Shqipëria ka krijuar një grup pune të kryesuar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për të ndryshuar legjislacionin aktual mbi profesionet e rregulluara dhe për ta përafruar atë me Direktivën mbi kualifikimet profesionale.

Gjithashtu, ka filluar procedura e caktimit të ekspertëve në ekipet negociuese me qëllim hapjen dhe kryerjen e negociatave për marrëveshjen e njohjes reciproke të kualifikimeve profesionale për mjekët e përgjithshëm, dentistët, arkitektët dhe inxhinierët. Kjo procedurë do të mbyllet së shpejti dhe në këtë mënyrë pritet që ekipet negociuese të jenë të krijuara në muajin Korrik 2018. Progres ka patur edhe në heqjen e pengesave për njohjen e kualifikimeve akademike, veçanërisht në lidhje me eleminimin e procedurave administrative dhe kryerjen e njohjes nëpërmjet sistemit online.

Është e rëndësishme që ne të vazhdojmë dhe të progresojmë në punën tonë në drejtim të zhvillimit të konkurueshmërisë së ekonomisë kombëtare. Iniciativat që lidhen me konkurrueshmërinë duhet të përforcohen, kryesisht në forcimin e njohurive mbi avantazhet, si brenda grupeve të synuara ashtu edhe me publikun më gjerë. Duhet të përdoren mekanizma të ndryshëm për shpërndarjen e informacionit, përfshirë trajnimin e nëpunësve civilë dhe institucioneve arsimore mbi parimet e konkurrueshmërisë, seanca trajnimi me stafin akademik dhe studentët e universiteteve për thellimin e njohurive, diskutime në tryeza të rrumbullakëta duke përfshirë drejtuesit e sektorit publik dhe privat, si edhe shpërndarjen e diskutimeve dhe aktiviteteve të kryera nga Këshilli i Investimeve.

Qasja kombëtare duhet të shoqërohet edhe me qasjen sektoriale rajonale, me qëllim përshtatjen e të gjithë faktorëve që ndikojnë në Investime, të cilat shpesh mund të arrihen sipas sektorëve në nivel rajonal. Kuadri i marrëveshjes së industrive të rajonit duhet të trajtojë edhe problemet e aftësive teknike.

Komitetit i Lehtësimit të Tregtisë do të jetë forumi ku do të shqyrtohen dhe koordinohen një sërë aktivitetesh që kanë si qëllim të bëjnë transaprencën e informacionin, të procedurave dokumentare e të kontrollit në pikat e kalimit kufitar, përmirësimin e partneritetit me sipërmarrjen, përmirësimin e koordinimit dhe bashkëpunimit mes agjencive kombëtare, masa që lidhen drejtpërsëdrejti me lehtësimin e transportit, etj.

Nevoja për ngritjen e Komitetit të Lehtësimit të Tregtisë u identifikua me miratimin e Ligjit Nr. 7/2016 “Për Pranimin e Protokollit për Ndryshimin e Marrëveshjes së Marrakeshit që themeloi Organizatën Botërore të Tregtisë”, protokoll, i cili ndryshoi Aneksin 1A të Marrëveshjes së Marrakeshit që themeloi Organizatën Botërore të Tregtisë-së, duke parashikuar Marrëveshjen mbi Lehtësimin e Tregtisë me nr. ËT/L/940. Qëllimi i kësaj Marrëveshjeje është rritja e tregtisë globale duke përshpejtuar lëvizjen, çlirimin dhe zhdoganimin e mallrave, përfshirë edhe tranzitin e mallrave.

Faleminderit për vëmendjen. Besoj që, siç e patë dhe në elementët e pikat që përmenda, puna e këtij Komiteti është shumë e rëndësishme dhe besoj që vendimmarrje duhet të ketë që në muajin korrik, për krijimin e grupeve të punës.

Faleminderit.

Të rejat e fundit