Postuar më: 19/10/2018

Mbledhja e pestë e Komitetit Kombëtar të Lehtësimit të Tregtisë

Mbledhja e pestë e Komitetit Kombëtar të Lehtësimit të Tregtisë

Komiteti Kombëtar i Lehtësimit të Tregtisë zhvilloi sot mbledhjen e tij të 5-të, nën drejtimin e Zv. Ministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Albana Shkurta. Në fjalën e saj, Zv.Ministrja Shkurta bëri një prezantim të zhvillimeve të reja në fushën e lehtësimit të tregtisë, të cilat janë arritur që nga mbledhja e fundit e Komitetit. Më pas, mbledhja vijoi me prezantimin e problematikave të ngritura në mbledhjen paraardhëse të KKLT, prezantimin e informacionit mbi përditësimin e studimit “Inventari i tarifave dhe pagesave të zbatueshme për importet dhe eksportet shqiptare”, diskutimin e fokusuar në eksportin e produkteve shtazore, si dhe diskutimin e fokusuar nga anëtarët e KKLT mbi problematikat e ngritura nga Ministria e Bujqësisë dhe AKU-së.

Përsa i përket problematikave të ngritura në mbledhjen paraardhëse nga anëtarët e mbledhjes, të cilat u prezantuan nga znj. Majlinda Hafizi, Drejtore e Mbështetjes së Sipërmarrjes në MFE, një pjesë e tyre kanë gjetur zgjidhje, ndërsa pjesa janë në proces, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse. Kështu, lidhur me problematikën e marrjes së mostrave për çdo ngarkesë dhe pritjen 48 orë përgjigje të analizave, në kufirin maqedonas, është arritur që marrja e mostrave të bëhet në masën 20 % dhe koha e pritjes së analizave të jetë 24 orë; ndërsa lidhur me problematikën e ringritjes së grupit të punës për heqjen e barrierave të tregtisë, është bërë e mundur riaktivizimi i grupit të përbashkët të punës mes Shqipërisë dhe Kosovës lidhur me Masat Sanitare dhe Fito-Sanitare.

 

Fjala e Zv.Ministres Shkurta:

Faleminderit që keni ardhur në mbledhjen e V-të të Komitetit Kombëtar të Lehtësimit të Tregtisë. Do të donim të bënim shkurtimisht një përmbledhje të zhvillimeve të reja që mund të raportojmë që nga mbledhja e fundit e deri më sot, disa nga zhvillimet në fushën e lehtësimit të tregtisë dhe pastaj më pas, sipas axhendës, do të vazhdojmë me prezantimin e studimit të kryer në lidhje me inventarizimin e tarifave dhe pagesave të zbatueshme për importet dhe eksportet, diskutim i fokusuar në eksportin e produkteve shtazore si dhe diskutim i lirë nga anëtarët e Komitetit Kombëtar të Lehtësimit të Tregtisë.

Sikundër ju e dini, politikat tregtare të bazuara në marrëveshjen e CEFTA-s sjellin rritjen e shkëmbimeve tregtare, sikundër ka ndodhur gjatë 10 viteve të fundit, këto shkëmbime janë rritur 4,9 herë; rritjen më të madhe e kanë shënuar shkëmbimet tregtare me Serbinë, me Kosovën dhe me Malin e Zi. Në total, shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me vendet e rajonit 2017 zënë 11.1% të shkëmbimeve tona tregtare.

Eksportet gjithashtu kanë shënuar rritje. Në nëntëmujorin e vitit 2018 eksportet e mallrave arritën vlerën 231mld lekë, duke u rritur me 15,3%, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 467mld lekë, duke u rritur me 3,0%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar është ulur me 6,7%, krahasuar me 2017.

Shkurtimisht një progres përsa i përket tre muajve të fundit në lidhje me  liberalizimin tregtar.

Pas miratimit të Protokollit Shtesë 5 të CEFTA-s, jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga vendet e tjera të rajonit, lidhur njohjen reciproke të dokumenteve për kalimin e mallrave në kufi kufitare dhe programeve të operatorëve ekonomik të autorizuar (AEO), deri në fund të vitit 2018;

Në kuadër të një projekti rajonal dhe në bashkëpunim me GIZ, Qeveria shqiptare ka realizuar një Analizë të thelluar të çështjeve të identifikuara si barriera të aksesit në treg, në konsultim me përfaqësues të sektorit privat, për dy sektorët që kanë impaktin më të madh në ekonomi, atë të perimeve dhe metaleve.

Kjo analizë është bërë edhe në vendet e tjera të CEFTA-s, për t`i mbështetuar këto vende për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga Protokolli Shtesë 5 i Marrëveshjes së CEFTA-s, dhe po analizohet sot Takimin e CEFTA në Prishtinë, për të listuar dokumentat/procedurat që mund të eliminohen/thjeshtëzohen nga vendet e CEFTA-s.

Njohja e çertifikatave të nënshkrimit elektronik nëpërmjet ofrimit të  shërbimeve online në portalin “e-Commerce”.

Për t’i paraprirë dhe në pritje të aprovimit të Protokollit Shtesë 6 të CEFTA-s për tregtinë e shërbimeve, është ngritur Grupi Negociator për njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale.

Përsa i përket zhvillimit të negociatave mbi Protokollin Shtesë 7, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare mes venmdeve të CEFTA-s, për këtë është ngritur grupi Negociator/Ndërinstitucional, me Urdhër të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, në shtator të vitit 2018.

Raportimi periodik të informacionit në Portalin Statistikor të CEFTA-s (të krijuar në dhjetor 2017), për të monitoruar dhe vlerësuar progresin e bërë.

 

Sa më lart, kërkohet bashkërendim dhe efektivitet institucional edhe me sektorin privat nëpërmjet Forumit rajonal të Dhomave të Tregtisë, ku Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë bën pjesë, që është dhe një nga përparësitë të MAP REA, të cilat pritet të intensifikojnë shkëmbimet tregtare, hapjen ekonomike dhe rritjen e konkurrueshmërisë së Shqipërisë, Kosovës dhe vendeve të rajonit, duke kapërcyer edhe dobësitë strukturore.

Qasja kombëtare duhet të shoqërohet edhe me qasjen sektoriale rajonale, me qëllim përshtatjen e të gjithë faktorëve që ndikojnë në Investime, të cilat shpesh mund të arrihen sipas sektorëve në nivel rajonal. Kuadri i marrëveshjes së industrive të rajonit duhet të trajtojë edhe problemin e aftësive teknike.

Komiteti i Lehtësimit të Tregtisë, që është është struktura përgjegjëse për të lehtësuar koordinimin e brendshëm, me qëllim rritjen e tregtisë globale duke përshpejtuar lëvizjen, çlirimin dhe zhdoganimin e mallrave, përfshirë edhe tranzitin e mallrave.

Në mbledhjen paraardhëse u theksua rëndësia e kësaj platforme në lehtësimin e tregtisë, uljen e kostove dhe konkurrencën e ndershme, konkretisht:

Rregullorja për organizimin dhe funksionimin e grupit ndër-institucional për koordinimin e politikës tregtare dhe lehtësimin e tregtisë,;

Plani kombëtar për koordinimin e politikës tregtare dhe lehtësimin e tregtisë 2017-2020,

Faqja zyrtare e KKLT, e cila është dizenjuar nga IP3 me mbështetjen e USIAD.

Njëkohësisht, u prezantuan dy studime të realizuara sërisht nga Instituti i Politikave Publike dhe Private (IP3) me mbështetjen e USAID”:

Reduktimi i barrierave për eksportin e produkteve bujqësore

Inventari i tarifave dhe pagesave”.

Pas analizimit të “Planit kombëtar për koordinimin e politikës tregtare dhe lehtësimin e tregtisë 2017-2020” dhe studimit “Inventari i tarifave dhe pagesave” nga anëtarët dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, janë reflektuar komentet dhe sugjerimet e tyre, duke finalizuar si Planin kombëtar, ashtu edhe Inventarin e tarifave dhe pagesave, të cilat gjenden në dosjen e gjithsecilit prej jush, për të proçeduar sot me përzgjedhjen e 2 – 3 çështjeve më imediate që kërkojnë zgjidhje institucionale.