Postuar më: 06/11/2013

Marrëveshje 34 milionë Euro me BERZH për Rrugët Rajonale dhe Lokale

Ministri i i Financave, Z.Shkëlqim Cani dhe përfaqësuesi i përhershëm i BERZH-it, për Shqipërinë, z.Fabio Serri, nënshkruan sot Marrëveshjen e Grantit në kuadër të fondeve IPA 2010/2011 ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për Projektin e Rrugëve Rajonale dhe Lokale.

 

Shuma prek vlerën 34,068,750 EUR, fond ky që do të përdoret tërësisht për financimin e punimeve civile për rehabilitim të rrugëve rajonale dhe lokale.

 

Programi i Rrugëve Rajonale dhe Lokale synon rehabilitimin e 1,000 – 1,500 km rrugë rajonale dhe lokale. Objektivi i Programit është të përmirësojë përqasjen ndaj shërbimeve kryesore dhe tregjeve ekonomike nëpërmjet sigurimit të rrugëve të përshkueshme gjatë gjithë vitit për popullsinë, duke përfshirë:

 

  1. përmirësimin e seksioneve prioritare të rrjetit rrugor rajonal;
  2. përmirësimin e seksioneve prioritare të rrjetit rrugor lokal;
  3.  forcimin e menaxhimit të rrjetit të rrugëve rajonale dhe lokale.

 

Ky program, i cili është parashikuar të ketë një kosto totale prej rreth 400 milionë USD, bashkëfinancohet nga Banka Botërore, OFID, Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Europiane e Investimeve, Banka Islamike për Zhvillim dhe fonde të Bashkimit Evropian (fonde grant në kuadër të asistencës së paraaderimit IPA, dhe grante në kuadër të Fondit të Investimit në Ballkanin Perëndimor). Agjencia Zbatuese e këtij Programi është Fondi Shqiptar për Zhvillim.

Të rejat e fundit