Postuar më: 18/12/2019

Kuvendi miraton Buxhetin 2020 dhe Paketën Fiskale

Ministrja Denaj: Buxheti 2020 është buxheti i rimëkëmbjes dhe vazhdimësisë

Projektbuxheti i shtetit për vitin 2020, Paketa Fiskale që e shoqëron atë dhe projektligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” u miratuan dje nen për nen dhe në tërësi nga Kuvendi i Shqipërisë. Projektbuxheti 2020 u rishikua pas tërmetit të datës 26 nëntor, me qëllim përballimin e dëmeve të shkaktuara dhe financimin e Programit të Rindërtimit.

Në fjalën e saj, Minstrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, foli për objektivat që synohet të arrihen përmes Buxhetit 2020, incentivat që sjell Paketa Fiskale dhe risitë e projektligjit të Fiskalizimit.

Fjala e Ministres Denaj:

I nderuar Z. Kryetar,

Të nderuar Deputetë,

Të nderuar Qytetarë,

Më lejoni ta nis fjalën time duke theksuar së pari angazhimin e plotë të Qeverisë Shqiptare për të mundësuar mbështetjen e sigurt për çdo qytetar të prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit. Prej ditës së parë dhe në vijim, jemi angazhuar plotësisht për miratimin e të gjithë kuadrit të nevojshëm ligjor dhe mbështetjes monetare për të mundësuar sadopak lehtësimin e pasojave të këtij tërmeti dhe për të nisur procesin e rimëkëmbjes, i cili në këtë buxhet parashikon disa zëra.

Pikërisht për të vijuar këtë proces, përmes instrumentit themelor të Qeverisë që është Buxheti 2020, prezantuam si pjesë e tij Fondin e Rindërtimit. Ky instrument mobilizon maksimalisht të gjitha fondet e nevojshme për të mundësuar një rimëkëmbje të shpejtë, duke alokuar 20 miliardë lekë apo 200 milion dollarë.

Paralelisht, Buxheti mbron parametrat makroekonomikë dhe fiskalë për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe vijimin e konsolidit fiskal.

E theksoj, paralelisht, sepse mënyra më e mirë për të përmirësuar situatën e krijuar në çdo familje të prekur nga tërmeti është të vijojmë me të gjitha projektet që ishin parashikuar më parë se të ndodhte kjo fatkeqësi dhe me synimin për një rritje ekonomike dhe stabilitet financiar në vijim.

Buxheti synon qëndrueshmëri të pozicionit të jashtëm të Shqipërisë, nxitje për zgjerimin e biznesit vendas, rregulla të barabarta për investitorët e huaj dhe mbi të gjitha incentiva për rritjen e punësimit, veçanërisht për të rinjtë. Më tej, angazhimi ynë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian mbetet i pacënuar dhe kjo konfirmohet edhe në këtë javë të rëndësishme si Java CEFTA.

Buxheti 2020 është buxheti i rimëkëmbjes dhe vazhdimësisë. Ky do të ishte titulli i këtij projektbuxheti.

Në këtë kuadër, në terma të politikave dhe indikatorëve makroekonomikë ky buxhet bën të mundur:

 

  1. Akomodimin e Fondit për Rindërtim prej 20 miliardë lekë.
  2. Akomodimin e Bonusit të Qirave prej 1 miliardë lekë;
  3. Synimin e një rritjeje ekonomike në nivelin 4.1% për vitin 2020, një rritje e gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi ashtu edhe investimevet. Kjo rritje parashikon për vitin 2020:
  • krijimin i rreth 35 mijë vendeve të reja pune;
  • ulje të mëtejshme të papunësisë nën nivelit e 11%.
  1. Sigurimin e një niveli investimesh publike prej 4.5% të Produktit të Brendshëm Bruto.
  2. Ruajtjen e Balancës Primare Pozitive. Kjo balancë do të jetë pozitive për të pestin vit rradhazi në nivelin e 0.1 % duke synuar mbajtjen e borxhit në trajektore rënëse. Konkretisht, në fund të vitit 2020 borxhi publik pritet të ulet nga 65.4% të PBB-së në 2019 në 64.8% të PBB-së në 2020.
  3. Mbajtjen e defiçitit buxhetor nën nivelin e 2.2%.

Sa më sipër, është rezultati i një sërë diskutimeve në bashkëpunim me Komisionin për Ekonominë dhe Financat për të maksimizuar burimet financiare dhe shpërndarjen e tyre të drejtë edhe në kuadër të situatës së krijuar pas tërmetit.

Shpenzimet Buxhetore të planifikuara në vitin 2020 synojnë të financojnë më shumë asete publike dhe shërbime publike cilësore në arsim, shëndetësi, bujqësi, infrastrukturë rrugore, për çdo qytetar.

Ka patur një diskutim dhe në komisionin e Ekonomisë për një rishpërndarje të projekteve të reja, të shumës prej 6.2 miliardë lekë, në projekte që janë prioritare në vijim, në mënyrë që të fokusohet mbështetje më e lartë për të gjithë situatën pas tërmetit.

Investimi në arsim, si një e drejtë universale për akses në arsim cilësor, vijon të mbeten prioritet, ashtu si dhe mbështetja e vazhdueshme për studentët në kuadër të Paktit me Universitetin;

Sektori i shëndetësisë, në frymën e konsolidimit të shërbimeve shëndetësore, si në sasi, ashtu edhe në cilësi, është i konfirmuar:

  • 120 Qendra shëndetësore për vitin 2020-2021, të rikonstruktuara;
  • Shërbime më cilësore dhe kohë e reduktuar;

Bujqësia; gjatë diskutimit të projektbuxhetit në parim edhe këtu në Parlament, kemi theksuar se për këtë sektor synojmë rritjen e produktivitetit dhe të konkurrueshmërisë. Rialokimi i 0.5 miliardë lekë, sipas ndryshimeve më të fundit në komisionin e Ekonomisë, është investim për të parandaluar situata të ndodhura në rast të fatkeqësive të tjera natyrore, kryesisht të përmbytjeve.

Infrastruktura Rrugore: Do të vijojnë investimet në infrastrukturën rrugore, kompletimi i akseve rrugore nacionale dhe segmenteve rrugore për të gjitha kontratat e nisura, në mënyrë që këto investime të përfundojnë në kohë optimale.

Ky buxhet është diskutuar jo pak për mbështetjen shumë të madhe që i është dhënë Reformës në Drejtësi. Kemi siguruar jo vetëm për vitin 2019 një shumë të konsiderueshme prej 2 miliardë lekësh për të gjitha institucionet e krijuara në zbatim të Reformës në Drejtësi, por edhe një mbështetje buxhetore shumë të rëndësishme në vijim, me një shtesë prej 1.3 miliardë lekësh, të cilat e çojnë këtë projekt në një konsolidim të plotë të të gjithë institucioneve të Reformës në Drejtësi.

Gjithashtu, janë synuar të mbahen të paprekura të gjitha angazhimet tona në kuadër të NATO-s dhe të gjitha angazhimet të cilat lindin nga kontratat kontraktuale.

Si do të realizohet ruajtja e balancës primare pozitive dhe sigurimi i burimit të financimit prej 13 miliardë lekë për Fondin e Rindërtimit?

Sigurisht do të rritet huamarrja në vlerën prej 10.4 miliardë lekë dhe do të ketë rialokime në disa zëra, të cilat vijnë dhe me propozim të komisionit të Financave dhe Ekonomisë, kryesisht për investimet e reja, të parashikuara para rishikimit të projektbuxhetit, duke synuar një rialokim për Ministrinë e Infrastrukturës në 2.5 miliardë shtesë dhe 0.5 miliardë në shpenzimet korente; bonusi i qerasë prej 1 miliardë lekësh; shtesa prej 0.5 miliardë lekë për Ministrinë e Bujqësisë për investime për forcimin e digave në veçanti. Gjithashtu, janë inkorporuar edhe kërkesat që komisioni ka paraqitur, konkretisht:

0.254 miliardë lekë për Kuvendin; 0.4 miliardë lekë për shtim të shpenzimeve për pushtetin vendor; 20 milionë lekë për arkivën e filmit; 27 milionë lekë për KLSH; 17.3 milionë lekë për fondin e Diasporës; 8.4 milionë lekë shtesë stafi për Kryeministrinë; 1 miliardë lekë për Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Të nderuar deputetë,

Në përfundim të fjalës sime për projektbuxhetin dëshiroj të theksoj edhe njëherë se Buxheti 2020 adreson nevojat domethënëse të kostove të nevojave për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 Nëntorit. Njëkohësisht, vijueshmërinë e qëndrueshmërisë të të gjithë parametrave, si ato fiskalë dhe të zhvillimit të çdo zëri buxhetor të parashikuar më parë.

Sa i përket Paketës Fiskale, ajo është diskutuar gjerësisht në komisionin e Ekonomisë dhe ka pasur disa propozime për ndryshime, të cilat do të doja t’i inkorporoja së bashku me të gjithë pjesën tjetër shumë të rëndësishme për tu theksuar dhe për tu vlerësuar, si në aspektin e incentivave, disa prej të cilave janë:

  1. Incentivimi i sektorit të industrisë automotive me normë të reduktuar tatim fitimi 5 %, për personat juridikë që ushtrojnë veprimtari ekonomike në këtë industri.
  2. Promovimi i sportit, me qëllim rritjen e impaktit pozitiv në shoqëri duke orientuar dhe inkurajuar sponsorizimet dhe duke ndikuar në njohjen e shpenzimeve të sponsorizimit për sportin me 5 për qind të fitimit para tatimit nga 3 % që është aktualisht.
  3. Kemi rishikuar me rritje afatin e mbartjes së humbjeve nga ana fiskale, nga tre vjet në pesë vjet për bizneset që investojnë në projekte biznesi me vlerë mbi 1 miliard lekë.
  4. Pjesë e kësaj pakete është edhe trajtimi tatimor i tatimit mbi pagën për të gjithë ata individë të cilët kanë më shumë se një pagë.

 

  1. Në bashkëpunim edhe me Komisionin e Ekonomisë dhe Financave kemi përjashtuar nga tatimi kalimin e pronësisë në rast se dhurimi ndodh brenda trungut familjar. Sigurisht do të ketë nevojë për një rregullim me vendim të Këshillit të Ministrave se si do të vijojë më tej limitimi për këtë proces, në raport me numrin dhe për të eleminuar abuzimet, por për të pasur përfitime për dhurata të këtyre pronave, ashtu siç është e nevojshme për familjarët më të afërt.
  2. Për të incentivuar kompanitë tona eksportuese që të rrisin njohjen ndërkombëtare nëpërmjet pjesëmarrjes në panaire jashtë vendit, shpenzimet e bëra u njihen si të zbritshme deri në masën 3 % të qarkullimit vjetor;
  3. Për të siguruar përputhshmëri me marrëveshjet e taksimit të dyfishtë, është parashikuar që trajtimi fiskal për ndryshimet e pronësisë të mos zbatohet në rastet e marrëveshjeve të taksimit të dyfishtë.
  4. Përjashtimi nga TVSH të automjeteve të reja vetëm me motor elektrik, me synim për të incentivuar individët dhe bizneset që të orientohen drejt blerjes së këtyre automjeteve.
  5. Përjashtimin nga TVSH për  importimin e shtëpive të gatshme, materialeve, komponentëve dhe pajisjeve që do sillen për ndërtimin e banesave (tulla, beton, hekur etj.) dhe që do të gjenden në situacionimin e punimeve, në kuadër të Programit të Rindërtimit;
  6. TVSH për importimin e autobuzëve elektrikë do të jetë 6 %.

Ndryshime të rëndësishme në këtë paketë fiskale janë edhe ndryshimet legjislative të cilat kanë të bëjnë me harmonizimin e kuadrit rregullator dhe mirëadminstrimin fiskal.

Më lejoni të theksoj që në vitin 2020  mirëadministrimi fiskal është fokus i realizimit të të ardhurave në të dyja administratat, kryesisht atë tatimore dhe kuptohet, implementimi i gjobave dhe rritja e tyre nga sa parashikohet aktualisht në legjislacion, pavarësisht nga shkurtimi dhe riorganizimi që iu bë në komisionin e Ekonomisë dhe Financave, mbetemi të besimit si Ministri e Financave dhe Ekonomisë që ulja e gjobave është e pranueshme, por synimi nuk është gjoba, synimi është rritja e formalizimit në ekonomi.

Sipas ndryshimeve që u bënë dhe në komisionin parlamentar të Ekonomisë, parashikohet:

Lidhja e një marrëveshje për detyrimet që administrata tatimore ka ndaj tatimpaguesve për TVSH e rimbursueshme, sipas një plani pagese të rënë dakord.

 

Zgjerimi i objektit për lidhjen e marrëveshjes së pagesës me këste për detyrimet e tatimpaguesve edhe për detyrimet e vetëdeklaruara për tvsh, si dhe për sigurimet shoqërore në raste specifike.

 

Së fundmi, disa fjalë për projektligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, Fiskalizimin.

Sigurisht është folur shumë, si në seancë plenare, ashtu dhe  në komisionet parlamentare. Ka një sensibilitet shumë të shtuar për dy aspekte, aspektin kohë dhe aspektin vlerë, pra kostos që do të përballojë çdo biznes.

Ne e mirëkuptojmë komisionin e Ekonomisë dhe Financave kur vjen çështja për sa i përket kohës, pasi mendojmë se efekti kohë është i domosdoshëm, edhe në kuadër të situatës në të cilën ne ndodhemi. Prandaj, procesi i Fiskalizimit që do të prekë marrëdhëniet “biznes me konsumator” do të jetë efektiv që nga data 1 shtator, edhe pse që nga data 1 janar 2020 ligji do të jetë në zbatim dhe kjo është një periudhë tranzitore që do të bëjë gati të gjithë biznesin. Do të fillojë nga biznesi i madh, ai me deklarim TVSH mbi 8 milionë lekë, për të vijuar në 1 janar të 2021 me biznesin tjetër dhe për të konsoliduar në këtë mënyrë të gjithë marrëdhëniet biznes me konsumator brenda vitit 2020. Janari i vitit 2021 lidhet me marrëdhëniet biznes-qeveri, për të përfunduar në korrik të vitit 2021 me marrëdhëniet biznes me biznes.

Ka diskutime të shumta pse duhet. Duhet sepse ka ardhur koha që të gjitha të dhënat statistikore në Administratën Tatimore të jenë të sakta që përpjekjet tona, jo vetëm në aspektin e paketave fiskale, të çojnë në rritje të përqindjes së të ardhurave ndaj Produktit të Brendshëm Bruto, por të kemi mundësi që me këto të ardhura ne të bëjmë më shumë për të rialokuar jo vetëm për projektet aktuale, ato të reja që alokuam, por dhe për Rindërtimin.

Faleminderit.