Postuar më: 30/04/2020

Kuvendi miratoi sot 5 ligjet e propozuara nga Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë

Akti i dytë Normativ për Ndryshimet në Buxhetin e vitit 2020, bën realitet Paketën e dytë Financiare të Qeverisë.

 

Me këtë alokim të Buxhetit të Shtetit prej 7.03 miliardë lekë arrijmë në një financim të drejtpërdrejtë prej 19 miliardë lekësh nga Buxheti i Shtetit për ndihmë të menjëhershme për përballimin e situatës emergjente të krijuar nga Pandemia. Në këtë shumë nuk kemi përfshirë faljet e kamatëvonesave të energjisë elektrike në vlerën e 15.8 miliardë lekësh dhe 2 Garancitë Sovrane në një total prej 26 miliardë lekësh.

 

“Kontigjenca për paketën sociale anti-COVID” subvencionon pagesën prej 40,000 mijë lekësh në mbështetje të 176 mijë qytetarë. Deri më sot është bërë pagesa e mbi 70 mijë qytetarë pjesë e mbi 30 mijë biznese.

Nga pikëpamja buxhetore ky Akt Normativ:

  • reflekton reduktimin në masën 7 miliardë lekë, të shpenzimeve buxhetore, korrente dhe kapitale, për vitin 2020, kryesisht reduktime ne shpenzimet operative, investime publike kryesisht ato me financim të brendshëm, si edhe reduktim të mbështetjes korrente buxhetore te disa PPP.
  • Ky akt normativ ruan të pandryshuar nivelet e deficitit buxhetor.

 

Përveç punës për të adresuar Paketat e Ndihmës së menjëhershme për qytetarët dhe bizneset Qeveria Shqiptare vijon punën për përmirësimin e kuadrit ligjor në kontekstin e zhvillimit financiar dhe të Ekonomisë si një komponent i rëndësishëm i zhvillimit të vendit në nivel afatmesëm.

 

Projektligjet mbi Shërbimet e Pagesave dhe Shoqëritë e Investimeve Kolektive janë dy ligje që sjellin avancim dhe zgjerim të shërbimeve dhe sektorit financiar në vend.

 

Janë dy ligje te asistuara nga Banka Botërore për të cilat Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka punuar përgjatë vitit 2019, së bashku me Bankën e Shqipërisë dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare.

 

Dy projektligjet përafrojnë legjislacionin shqiptar me direktivat e Bashkimit Europian.

 

Ato sjellin mundësi të zhvillimit të teknologjisë financiare dhe zgjidhje sistemike për paranë informale në treg, duke ofruar mundësi të reja zhvillimi për sektorin e fondeve të investimeve, të letrave me vlerë dhe obligacionet.

 

Projektligji “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” është hapi i parë i Qeverisë drejt krijimit të një tregu funksional të kapitaleve në Shqipëri, i cili do të ofrojë potenciale të reja të zhvillimit ekonomik dhe financiar të Shqipërisë.

 

Ai do të pasohet edhe nga trajtimi i një projektligji tjetër dhe më kuadër për Tregjet e Kapitalit.

 

Ky projektligj synon:

  • liberalizimin e tregut për fondet e investimeve;
  • mbrojtjen e mëtejshme të investitorëve në këto fonde;
  • rritje të kompetencave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në drejtim të zhvillimit të një mbikëqyrjeje më efektive.

 

Projektligji për Shërbimet e Pagesave siguron rritje të konkurrencës, përfitime të rritura nga përdorimi i instrumenteve moderne të pagesave dhe pajisja me llogari bankare, reduktim të kostove të transaksioneve dhe shumëllojshmëri të shërbimeve të pagesave.

 

Ky projektligj synon të shtojë ofruesit e shërbimeve të pagesave, të ulë qarkullimin e parasë fizike dhe të reduktojë paranë informale.

 

Ndryshimet që do të sjellë ky projektligj do t’i japin qytetarëve më shumë mundësi zgjedhjeje për të kryer transaksionet e tyre të përditshme, në mënyrë të lehtë dhe me kosto më të ulëta.

 

Dhe së fundmi, sot paraqesim gjithashtu Marrëveshjen e Huas me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim/Bankën Botërore  për Politikën për Zhvillim për aksesin e barabartë gjinor në mundësitë ekonomike, në një shumë prej 9.1 milionë euro.

 

Kjo marrëveshje e firmosur mes MFE dhe Bankës  Botërore në vitin 2019 ka për objektiv mbështetjen e  qeverisë shqiptare për të përmirësuar kuadrin e politikave për akses të barabartë gjinor në mundësitë ekonomike duke u përqendruar te:

 

  • rritja e aksesit të grave në pasuri;
  • vendosja e rregullave të barabarta të lojës për rritjen e mundësive për gratë në tregun e punës;
  • forcimi i rregullave institucionale për një politikebërje të informuar gjinore.

Duke qenë se rritja ekonomike, ulja e varfërisë dhe mirëqenia e përbashkët lidhen me shpërndarjen efikase të punës dhe kapitalit, politikat që mbështesin barazinë gjinore synojnë reduktimin e  efektit të munguar në PBB me gati 20% për Shqipërinë. Ndërkohë që në vendet e BE ky efekt shkon në 2%