Postuar më: 21/11/2018

Këshilli kombëtar i Punës, diskutime për ligjin e nxitjes së punësimit, pagën minimale dhe trajtimet financiare për statuset e veçanta

Mblidhet Këshilli Kombëtar i Punës

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Arben Ahmetaj zhvilloi sot Mbledhjen e radhës të Këshillit Kombëtar të Punës. Diskutimet u përqendruan në projektligjin për nxitjen e punësimit, mundësinë e rritjes së pagës minimale, si dhe çështjen e statuseve të minatorit, naftëtarit dhe metalurgut.  Ministri Ahmetaj bëri një informim të anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Punës mbi projektligjin e ri për nxitjen e punësimit dhe Buxhetin e vitit 2019.

Përsa i përket projektligjit për nxitjen e punësimit, Ministri tha se qëllimi i tij është rritja e punësueshmërisë së forcës së punës nëpërmjet ofrimit të shërbimeve dhe programeve publike të punësimit dhe vetëpunësimit si dhe formimit profesional.  Ahmetaj vuri theksin në dy elementë të këtij projektligji, atë që lidhet me nxitjen e punësimit të Personave me Aftësi të Kufizuar dhe krijimin e Fondit Social të Punësimit.

 

Fjala e plotë e Ministrit Ahmetaj në Këshillin Kombëtar të Punës:

Faleminderit për pjesëmarrjen.

Sot besoj që është pak e veçantë mbledhja për arsye se kjo mbledhje zhvillohet në ambientet e Dhomës së Zejtarisë, një projekt i ri ekonomiko-social i qeverisë Rama dhe do të dëshiroja ta falënderoja Ministrin Klosi si iniciator i kësaj ideje, që ndër dy vite u bë e mundur që të bëhej nga një projekt-ide në një institucion, që unë jam i bindur do të punojë në favor të zhvillimit të ekonomisë, të zejtarisë që ka dhe si mision e qëllim, por patjetër jam i bindur që ndër muaj e ndër vite, do të bëhet dhe një këshillues e rekomandues shumë i denjë i politikave ekonomike, ndaj kësaj qeverie në mandatin e saj të dytë dhe në mandatin e tretë, apo ndër vite.

Pikat e rendit të ditës do të jenë: projektligji për nxitjen e punësimit; një informim i shkurtër mbi buxhetin e vitit 2019; një diskutim në parim për mundësinë e rritjes së pagës minimale; një informim nga ana ime përsa i përket statuseve të minatorit, naftëtarit dhe metalurgut; rezultatet e planit të veprimit trepalësh të projektit të ILO-s miratuar në mbledhjen e parë të KKP; vijojnë pastaj çështje të propozuara nga organizata të punëdhënësve dhe pastaj sigurisht nga sindikatat.

Çështja e parë, informim përsa i përket projektligjit për nxitjen e punësimit.

Projektligji për nxitjen e punësimit ka për qëllim rritjen e punësueshmërisë së forcës së punës nëpërmjet ofrimit të shërbimeve dhe programeve publike të punësimit dhe vetëpunësimit si dhe formimit profesional.

Projektligji synon identifikimin dhe hartimin e politikave të duhura nxitëse të punësimit dhe kualifikimit profesional duke promovuar mundësinë për aftësi gjatë gjithë ciklit të jetës.

Projektligji ka në qendër të tij rritjen e mundësive për punë të denjë nëpërmjet politikave efikase të tregut të punës, nxitjen e përfshirjes dhe kohezionit social, si dhe fuqizimin e tregut të punës.

Ky projektligj u hartua me qëllim reflektimin e ndryshimeve të dinamikave të tregut të punës, pas një periudhe 23 vjeçare, që nga viti i miratimit të ligjit ekzistues, viti 1995. Gjithashtu, projektligji u hartua në frymën e vizionit të qeverisë për kualifikimin professional dhe punësimin si dy element pashmangshmërisht të lidhur me njëri-tjetrin, dhe programi i qeverisë 2017-2020 e ka vendosur fokusin te punësimi dhe zhvillimi cilësor i forcës së punës, në përputhje dhe me vizionin dhe direktivat e Bashkimit Europian, strategjinë europiane të punësimit 2020, si dhe kërkesat që ka BE në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Dy elementë që dëshiroj të nënvizoj me ju sa i takon ndryshimeve të ligjit. Së pari neni për nxitjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuar. Çdo punëdhënës i cili punëson më shumë se 49 punonjës, duhet të punësojë një person me aftësi të kufizuar, pra për çdo 50 punonjës të personelit të tij. Është një masë që kurrë nuk është zbatuar. Arsyet kanë qenë të shumta. Debatet midis punëdhënësve dhe punëmarrësve kanë qenë të shumta dhe legjitime.

Unë jam i bindur që nëpërmjet rregullimit të këtij raporti, por edhe “penalitetit” që do të ketë punëdhënësi, besoj që do të shohim një përmirësim dhe në zbatim të plotë të raportit. Punëdhënësi, i cili nuk punëson numrin e përcaktuar të personave me aftësi të kufizuar derdh një kontribut, për llogari të Fondit Social të Punësimit. Pra, fondit social të punësimit dhe nuk e theksoj pa qëllim, në masën 50 % të pagës minimale në shkallë vendi për çdo muaj, për çdo person me aftësi të kufizuara që do duhet të kishte punësuar.

Këtu kemi materializuar dhe idenë për krijimin e Fondit Social të Punësimit. E kemi diskutuar shumë brenda Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në formën e një fondi financiar publik, i cili do të përdoret për programe që synojnë punësimin, vetëpunësimin, rehabilitimin për punë, aftësimin dhe riaftësimin profesional, orientimin dhe këshillimin për punësim, shërbime mbështetëse, rikonstruksione dhe përshtatje të vendeve të punës të personave me aftësi të kufizuar, programe riintegrimi social, mbështetje për nxitjen e punësimit të familjarëve të kësaj kategorie.

Së dyti, është parashikuar krijimi i Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, sot është Shërbimi Kombëtar i Punësimit, si një njësi e cila do të mbledhë në një dhe do të rikonceptojë sipas praktikave më të mira modernizimin e zyrave të punës, sistemin e shërbimeve të punësimit, programet e nxitjes së punësimit dhe aftësive, si dhe administrimin e shkollave të arsimit profesional e qendrave të formimit profesional.

Ne do të bëjmë një investim shumë serioz në zyrat e punës dhe shkollat profesionale, me ndihmën e DIMAK. Jemi duke investuar në sistemin e zyrave të punës për të çuar një nivel tjetër më të sofistikuar mbledhjen, përpunimin dhe analizimin e të dhënave, qoftë të vendeve të lira të punës dhe kërkesave të sipërmarrjes, ashtu dhe të profileve të punëkërkuesve dhe aftësive të tyre, si dhe lidhjen e këtyre të fundit me qendrat e formimit për të siguruar kualifikimin e duhur për t’u bërë më të punësueshëm.

Në këtë ushtri patjetër përfshihen individë në ndihmë ekonomike, për të cilët ne jemi të vendosur që riintegrimi në tregun e punës është zgjidhja e vetme dhe e duhur për të dalë nga varfëria dhe për t’u shkëputur nga varësia e një pagese modeste, që kurrsesi nuk mund të jetë mjaftueshëm për asnëj qytetar në Republikën e Shqipërisë që është në gjendje të punojë. Ne do t’i ndihmojmë, do t’i detyrojmë të ndjekin kurset e formimit profesional falas, do t’i nxjerrim nga ajo formë “skllavërimi” ekonomik përmes lëmoshës, t’i riintegrojmë në tregun e punës dhe nga nga tjetër, të mbështesim ata që realisht e kanë të pamundur të punësohen dhe nuk kanë asnjë mundësi tjetër përveç ndihmës ekonomike.

Për ta mbyllur këtë pjesë, dua të them që shifrat në tregun e punës janë mjaft pozitive, në reflektim të rritjes dhe zhvillimit ekonomik në tërësi. 9-mujori 2018, bazuar në të dhënat e borderosë së Tatimeve, janë 661 mijë e 604 të punësuar. Papunësia ka zbritur në nivelin më të ulët në 10 vitet e fundit, ndërsa në Buxhetin e vitit 2019 ne parashikojmë ulje të mëtejshme nën 12 % dhe krijimin e mbi 30 mijë vendeve të reja të punës.

Desha të ritheksoj se qeveria, nëpërmjet tashmë Shërbimit Kombëtar të Punës, të konvertuar në Agjenci, me atë konsolidim të funksioneve, do të avancojë dy projekte të mëdha të kualifikimit profesional.

I pari që do të përfshijë një numër prej 63 mijë qytetarësh, do të jetë kualifikimi intensiv për ato që ne i referohemi si “soft skills”, që janë të gjitha ato aftësi që bëjnë të mundur që një qytetar, punëkërkues i papunë, të ketë mundësi të dijë si të kërkojë punë, si të paraqitet, ku të paraqitet, cilat janë mënyrat më të mira, cilat janë mënyrat e marrjes më të thellë të informacionit e të komunikimit. Në të njëjtën kohë, përtej këtij programi të parë, do të kemi programin po kaq të rëndësishëm të formimit profesional me aftësi teknike specifike për sektorë të ndryshëm, të cilët ne mendojmë jo vetëm që ka nevojë tregu i punës, në bazë të sondazheve dhe të bashkëbisedimit që kemi pasur me punëdhënësit dhe me punëmarrësit, por në të njëjtën kohë dhe në këndvështrimin e thithjes së investimeve të huaja. Dy nga pikat e para që kanë ardhur pas sondazheve dhe bashkëbisedimeve me punëdhënësit, dy problematikat kryesore me rëndësi të barasvlefshme kanë qenë aftësitë teknike, pra mungesa e aftësive teknike te punëkërkuesit për ato fusha specifike që ka nevojë më shumë tregu, dhe e dyta, është ajo që unë iu referova në fillim, aftësitë “soft skills”. Pra, këto dy elementë janë dy nga disa arsyet kryesore të një mungese të përputhjes midis aftësive dhe nevojave në tregun e punës.

Në të njëjtën kohë dua të ndaj me ju, edhe pse do e theksoj më pas, që të gjitha parashikimet ekonomike e çojnë vendin në tre vitet që vijnë në nivelet e rritjes 4-4.5%, pra Prodhimin e Brendshëm Bruto. Ajo që unë dua të theksoj, është realisht hera e parë ndër vite ku rritja ekonomike është shoqëruar me rritje të konsiderueshme të punësimit. Rreth 35% e totalit të vendeve të punës në Republikën e Shqipërisë janë krijuar në 4 vitet e fundit. Patjetër që kjo është një tryezë që mund dhe në të drejtë të saj të theksojë që kemi shumë për të bërë. Unë e kam theksuar dhe do ta riktheksoj që arsyeja pse e përmend shifrën prej mbi 230 mijë vende të reja pune në katër vite, nuk është se një qeveri e ka luksin apo edhe në gen të vet të mburret për vendet e punës. Jo, nuk është kjo arsyeja. Arsyeja është për të treguar që për ata 76 mijë punëkërkues të regjistruar si të papunë dhe pjesës që nuk është regjistruar si punëkërkues zyrtarisht, ka shumë shpresë dhe shpresa vjen, mbi të gjitha, për dy arsye, për shkak të reformave dhe për shkak të zhvillimit ekonomik. Sfida mbetet tek aftësimi dhe riaftësimi profesional dhe teknik.

 

Informim për Buxhetin e vitit 2019

Projektbuxheti 2019 vijon të mbështesë rritjen ekonomike të vendit ndërkohë që vijon konsolidimin fiskal duke ulur më tej barrën e borxhit publik për biznesin dhe qytetarët.

Rritja ekonomike parashikohet në nivelin 4.3% për vitin 2019, e cila pritet të forcohet më tej në vitin 2020 dhe 2021. Raporti i borxhit publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto do të ulet në 64.9% në 2019-ën, duke synuar 60% të PBB në vitin 2021.

Rritja domethënese ekonomike e parashikuar për vitin 2019 krijon më shumë punësim me hapjen e mbi 30 mijë vendeve të reja pune të planifikuar, duke rezultuar në rënien e nivelit të papunësisë të forcës aktive për punë nën 12% në 2019-ën krahasuar me 12.9% që planifikohet mesatarja e këtij viti. Në këtë kontekst, projektbuxheti 2019 do të vijojë të mbështesë krijimin e vendeve të reja të punës me politika incentivuese fiskale si dhe me një skemë më efektive të punësimit dhe aftësimit profesional.

Për sa i përket objektivit madhor të konsolidimit fiskal, dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj disa aspekte kyçe që projektbuxheti 2019 mbart:

  • Një deficit fiskal që për herë të parë programohet nën 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (1.9%), ndërkohë që në periudhën afatmesme pritet të ulet akoma më shumë deri në 1.2% të PBB në 2021;
  • Balanca Primare që për të katërtin vit rradhazi është pozitiv, duke shënuar +0.5% të PBB në 2019-ën, i cili pritet të jetë akoma dhe më i lartë në vitet pasuese;
  • Bilanci Korrent me suficit të konsiderueshëm prej mbi 3% të PBB në periudhën 2019-2021

Programi i të ardhurave për 2019-ën bazohet në katër shtylla: përmirësimin e administrimit fiskal; minimizimin e informalitetit në ekonomi; rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit dhe nxitjen e prodhimit vendas dhe eksporteve.

Të ardhurat gjithsej të programuara në Buxhetin 2019 janë 486.5 miliard lekë,  30.6 miliard lekë më shumë se sa viti 2018 ose 6.71 % krahasuar me vitin 2018

Shpenzimet Buxhetore për vitin 2019 do të vijojnë të mbështesin sektorët prioritarë si: infrastruktura, arsimi, shëndetësia, bujqësia, të cilat do të stimulojnë më tej rritjen ekonomike të vendit duke gjeneruar njëkohësisht punësim.

Për vitin 2019, shpenzimet buxhetore do të kapin për herë të parë vlerën absolute prej 519.4 miliardë lekë ose 29.6% e PBB. Krahasuar me të pritshmin e vitit 2018, totali i shpenzimeve buxhetore programohet me rreth 5.9% më shumë, ndërsa investimet publike ruajnë nivelin 5.1% e PBB.

Viti 2019 mund të konsiderohet, midis të tjerash, viti i rritjes së pagave, viti i mbështetjes së bujqësisë, pra do të jetë një nga sektorët më të financuar, dhe patjetër viti i Paketës Sociale.

Përtej mbështetjes për vazhdimin e reformave të rëndësishme në ekonomi, ndër të cilat paketën e plotë të reformës në drejtësi, akomodon gjithashtu politika të reja, si ajo e rritjes së pagave për kategoritë kryesore, pra shëndetësi, arsim, diplomatët, sistemi penitenciar dhe policia e burgjeve, rritja për të cilat varion nga 7% kategoritë kryesore, deri në 20% për diplomatët. Efekti eshte 2 miliardë lekë dhe përfitojnë mbi 60 mijë të punësuar në sistemin publik.

Së dyti, është politika e nxitjes së lindjeve, sic e quajmë ndryshe bonusi i bebeve, ku parashikohet të mbështeten mbi 30 mijë familje në vit, me një fond prej 2 miliardë lekë.

Dua të fokusohem më tej tek paketa sociale e qeverisë:

Shpenzimet e fondeve speciale që përfshin shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, janë planifikuar në vlerën prej 179.98 miliardë lekë për vitin 2019, ku renditen:

Skema e Sigurimeve Shoqërore: Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2019 parashikohet në masën 130.63 miliardë lekë ose 7.5% e PBB, raport ky i njëjtë me vitin 2018, nga e cila për indeksimin e pensioneve është parashikuar një fond prej 2.45 miliardë lekë.

Duhet theksuar këtu se krahasuar me vitin 2013, kjo skemë i rëndon më pak buxhetit të shtetit, pasi në vitin 2013 transferta buxhetore zinte rreth 46.2% të totalit të shpenzimeve, ndërkohë që sot zë vetëm 35.6% të totalit të shpenzimeve. Kjo ka ardhur si pasojë e dy faktorëve kryesorë:

  1. Uljes së informalitetit në tregun e punës; dhe
  2. Rritjes së nivelit të punësimit dhe kontribuesve, ku vlen të përmendim se numri mesatar i kontribuuesve në skemën e sigurimeve shoqërore parashikohet rreth 809 mijë persona me një rritje në masën 7.3% më shumë se i pritshmi i vitit 2018

 Skema e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2019 janë parashikuar 41.9 miliardë lekë ose 2.4% e PBB nga 40.4 miliardë lekë të parashikuara në vitin 2018.

Fondi për Kompensimin në Vlerë të Pronarëve: parashikohet në total në masën 5 miliardë lekë ose 0.3% e PBB. Krahasuar me vitin 2013, në të cilin fondi ishte 1.89 miliardë lekë, duke filluar nga viti 2016 fondi i kompensimit është planifikuar në rritje nga vit në vit duke kulmuar në vitin 2021 me 5.5 miliardë lekë. Rritja e fondit të kompensimit në vlerë të pronarëve bëhet në mbështetje të reformës së ndërmarrë nga qeveria për trajtimin e ish-pronarëve pjesë e së cilës është kompensimi në vlerë për t’u realizuar brenda periudhës 10-vjeçare, të parashikuar dhe në ligjin nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit”.

Shpenzime të tjera sociale që përfshijnë:

  • Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në 500 milionë lekë, e cila vjen në ulje krahasuar me planin e vitit 2018, duke reflektuar rritjen gjithmonë e më shumë të numrit të të punësuarve dhe nevojën gjithnjë e më të paktë për të aplikuar për këtë skemë sociale, që gjej rastin për të theksuar që prej tre vitesh garanton një pagesë sipas standardeve të ILO-s për këtë kategori prej jo më pak se gjysma e pagës minimale;

 

  • Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 20.5 miliardë lekë, në të njëjtin nivel si vitin e kaluar, duke reflektuar reformat e ndërmarra të synuara nga Qeveria për:
    • zhveshjen e këtyre skemave nga përfitues abuziv;
    • punësimin dhe ri-integrimin social të këtyre kategorive nëpërmjet skemave të ndryshme të aftësimit dhe punësimit.
  • Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1 miliard lekë ose 0.1% e PBB, ku sërish prioriteti mbetet dëmshpërmblimi i plotë dhe sa më i shpejtë i ish të përndjekurve të gjallë;
  • Subvencionet për nxitjen e punësimit qëndrojnë konstante krahasuar me vitin 2018 në 490 milionë lekë, të cilat vijojnë të përdoren në funksion të punësimit të qëndrueshëm të punëkërkuesve të papunë, duke qenë në sinkron të plotë me skemat e tjera të aftësimit dhe formimit profesional;

 

Mbi pagën minimale:

Shumë shkurt për mundësinë e rritjes së pagës minimale. Ne besojmë si qeveri që ka ardhur koha për ta riparë pagën minimale. Unë nuk po i hyj pjesës proceduriale të kompetencave apo referencave se sa ligjore është vendosja e pagës minimale sepse është shumë ligjore dhe është detyrim ligjor. Këtu besoj diskutimi do të jetë tek shifra, tek vlera.

Ne kemi rekomanduar dhe jemi duke diskutuar brenda nesh, por kjo është një tryezë e vlefshme për ta diskutuar që rritja e pagës minimale të bëhet me atë vrull që ne kemi parashikuar, pra nga 24 të shkojë në 25 mijë lekë në muaj, duke vënë në peshore të dyja anët, pjesën e konkurrueshmërisë dhe pjesën e rritjes graduale të pagës minimale që është patjetër një domosdoshmëri.

Paga minimale do të jetë nga 1 janari, kështu që do t`ju lutesha të jemi të drejtëpërdrejtë dhe sa më konçiz në diskutim. Sa i përket pagës minimale, unë do të sugjeroja, se gjykimin e keni ju, një përfaqësues nga punëdhënësit, një përfaqësues nga punëmarrësit dhe pastaj të kalojmë tek statuset me një informim.

Për statuset:

Unë dua të bëj një përshkrim të shkurtër sa i përket statuseve, kjo do të jetë dhe pika e fundit përsa i përket informacioneve dhe disa tema të tjera, sepse edhe buxheti është i rëndësishëm, edhe paga minimale është e rëndësishme, edhe ligji. Pra, kërkesat e ish-minatorëve, naftëtarëve dhe metalurgëve po i shqyrtojmë bashkarisht me një ligj për profesionet e vështira dhe konkretisht projekt-ligjin për “Trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, punonjësve të industrisë së naftës dhe gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”. Ky projektligj ka për qëllim të përfitimeve përpara kohës së mbushjes së moshës për pension, si dhe përfitime shtesë nga ato që akordohen nga ligji 7703, i muajit maj të vitit 1993, për “Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për 3 kategori mjaft të veçanta punonjësish të cilët kanë punuar në miniera nën tokë në industrinë e naftës si edhe në punë, në një shkallë vështirësie shumë të lartë siç është metalurgjia.

Personat e kategorive të sipërshënuara, u sigurohen përfitime suplementare mbi ato të përcaktuarat në ligj, për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar për shkak të profesionit, llojit të punës, shtesë mbi pensionin e pleqërisë, shtesë mbi pensionin e invaliditetit.

Unë besoj se përfituesit që kanë përfituar ose do të plotësojnë kushtet për të përfituar pension pleqërie sipas ligjit 7703 të ndryshuar, kanë të drejtën e përfitimit të shtesës mbi pension kur kanë periudhë sigurimi në profesion: punonjësit e nëntokës 12.5 vite, punonjësit e industrisë së naftës dhe të gazit 20 vite por me faktorë më të ulët për të barazuar 12.5 –shin, gratë 15 vite, punonjësit e metalurgjikut burrat 20 vite, gratë 15 vite. Gjithashtu, punonjësit e këtyre industrive kanë të drejtën e pensionit për shkak të profesionit deri në 10 vite përpara moshës së pensionit nga skema e detyrueshme.

Natyrisht këto kërkojnë buxhet të konsiderueshëm. Bazuar në të dhënat që disponojmë lidhur me numrin aktual të të punësuarve në industrinë e naftës, parashikohet që numri i personave që përfitojnë të jetë 7 mijë ish-naftëtarë, me një efekt finaciar rreth 800 milionë lekë, 16 mijë minatorë me efekt financiar rreth 550 milionë lekë në vit dhe numri tek metalurgët, numri i përfituesve llogaritet të jetë rreth 2500 persona, me një efekt financiar rreth 250 milionë lekë, gjithsej do të jenë 25.500 përfitues, me një efekt 1.55 miliardë lekë në vit.

Faleminderit,