Postuar më: 11/09/2018

Ish-të përndjekurit politikë, përfitojnë pagesat edhe pas këstit të tetë. Në katër vite, u paguan 75 milionë dollarë

Fjala e Ministrit në komisionin e Ekonomisë:

Faleminderit Kryetar,

Faleminderit dhe Komisionit,

Unë do të mundohem që të mbaj fjalën time shumë shkurt, duke ndarë me ju thelbin e ndryshimeve, por duke sjellë edhe disa statistika të rëndësishme, për të ndarë me qytetarët edhe ecurinë e këtij procesi ndër vite.  Përgjatë harkut kohor 2009-2018 janë miratuar rreth 13,101 dosje nga dosjet e aplikuara nga ish-të përndjekurit politikë. Ndërkohë që, në retrospektivë financiare, praktikisht janë shpërndarë deri tani 8 këste për kategorinë parësore dhe për shkak të kufizimeve ligjore të kësteve, jo më i madh se 1 milion dhe jo më i vogël se 100 mijë, sigurisht që duke iu referuar shumës përfituese ligjore, një pjesë ka mbetur në nevojë të këstit në 9. Mirëpo ligji kufizonte këstin e tetë kështu që, nëpërmjet këtyre ndryshimeve ne po bëjmë të mundur që kategorisë parësore dhe jo-parësore, që janë rreth 1200 dosje, parësorë dhe jo parësorë, do të përfitojnë nga ky ndryshim ligjor. Çfarë do të thotë kjo?

Nëpërmjet këstit të 9, ne do të mbyllim gjithë pjesën e kategorisë parësore, ata që kanë vuajtur drejtpërsëdrejti dënimin. Ka pasur një debat të gjatë edhe në Parlament, përsa i përket asaj se çfarë ka ndodhur me ish-të përndjekurit politikë. Unë do të ndaj me ju disa shifra të rëndësishme. Po të vini re, në vitet elektorale, në vitet 2009 dhe 2013, gjithmonë ish qeveria ka tentuar të përdorë buxhetin e shtetit me emocione elektorale ndaj këtij grupi. Që nga viti 2010 deri në vitin 2014, pra në katër vite, janë shpërndarë 7.9 miliardë. Nga viti 2014 deri në vitin 2018, në katër vite, janë shpërndarë 9.1 miliardë. Përsa i përket kategorisë parësore, që është shumë e ndjeshme dhe patjetër e rëndësishme, që i referohemi gjithmonë pjesës së ish të përndjekurve politikë që kanë vuajtur drejtpërsëdrejti dënimin, në periudhën 2009-2013 kësaj kategorie i janë dhënë pak më pak se 1.5 miliardë lekë. Nëse do t’i referohesha për thjeshtësi krahasuese, 15 milionë dollarë në katër vite.

2014-2018, kategorisë parësore i janë dhënë 7.07 miliardë lekë, pra 70 milionë dollar. Ky krahasim tregon drejtpërsëdrejti edhe kujdesin që kjo mazhoranca ka edhe ndaj kësaj kategorie që ka vuajtur në regjimin komunist. Shifrat janë kokëforte, të thata, për të treguar edhe të vërtetën e atij debati politik se çfarë i bëri njëra palë kësaj kategorie që ka vuajtur në regjimin komunist dhe çfarë i bën pala tjetër. Këta janë njerëz dhe familje që kanë vuajtur dhe boloria politike vetëm ua pështiros, por e vërteta është e thatë dhe e drejtpërdrejtë. Ata që dikur kanë mbajtur flamurin se e kanë mbështetur këtë kategori, atyre që kanë vuajtur drejtpërsëdrejti në regjimin komunist, iu janë dhënë vetëm 15 milionë dollarë, ju kanë mohuar të drejtën. Ua kanë mohuar të drejtën ndërsa deri më sot, brenda mandatit të parë të qeverisë Rama e deri tani kanë marrë 70 milionë dollarë.

Ndryshimi i dytë që ne paraqesim në ligj, që janë ndryshime themelore, është ndryshimi i raportit midis parësorëve në 70 me 30, duke i dhënë përparësi kategorisë parësore.

Nuk dua të bëj shumë politikë me këtë çështje. Ne do të vazhdojmë me parësorët për t’i paguar përfundimisht të gjithë kategorinë parësore, pra ata që kanë vuajtur drejtpërsëdrejti nga regjimi komunist, por e mendova të domosdoshme t’i drejtohem kësaj kategorie që parti të ndryshme politike tentojnë ta përdorin edhe emocionalisht; vuajtja ka qenë e madhe, por e vërteta është që Partia Demokratike që pretendon se i ka mbështetur, i ka dhënë vetëm 15 milionë dollarë. Ndërsa Rama 1 i ka furnizuar të drejtën e tyre ligjore me 70 milionë dollarë. Këtu do të ndaloj së bëri politikë dhe shpresoj që Komisioni dhe Parlamenti ta mbështesin këtë ndryshim.

Faleminderit.