Postuar më: 16/01/2014

Investim 65.2 milionë euro për furnizimin me ujë në Durrës

Investim 65.2 milionë euro për furnizimin me ujë në Durrës

 

Qeveria Shqiptare firmos kredinë me Bankën Botërore, projekti përfshin qytetin bregdetar dhe fshatrat përreth 

 

 

Qeveria e Shqipërisë dhe Banka Botërore firmosen sot marrëveshjen për huanë për Projektin e Investimeve për Sektorin e Ujit, në shumën 65.5 milionë Euro. Në emër të Republikës së Shqipërisë marrëveshja u firmos nga Ministri i Financave Shkëlqim Cani dhe për Bankën Botërore nga Përfaqësuesja e Përhershme e saj në Shqipëri Tahseen Sayed.  Ceremonia u mbajt në Bashkinë e Durrësit në praninë e Kryeministrit Edi Rama, Drejtoreshës së Bankës Botërore për Evropën Juglindore Ellen Goldstein, Kryetarit të Bashkisë së Durrësit, krerëve të pushtetit vendor si dhe të ekipit që përgatiti projektin. Ky projekt u aprovua nga Bordi Ekzekutiv i Drejtorëve më 20 dhjetor 2013.

 

 

Informacion mbi projektin

 

Projekti i Investimit ne Sektorin e Ujit ka si objektiv përmirësimin e cilësisë së shërbimit në fushën e ujësjellësit dhe kanalizimeve të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës (NUKD) si dhe përmirësimin e performancës financiare.

 

Aktivitetet që do të realizohen në kuadër të Projektit ndahen në 4 komponentë:

1.         Investime Prioritare për Furnizimin me Ujë, ku futet financimi i linjës së re të furnizimit përfshire një stacion të ri pompimi në Fushëkuqe. Linja do të jetë e dedikuar vetëm për qytetin e Durrësit, ndërsa linja ekzistuese do të përdoret edhe për fshatrat rreth saj. Linja e re do te përmirësojë shumë shërbimin e furnizimit të qytetit dhe zonës së plazhit. Gjithashtu, synohet përmirësimi i furnizimit me ujë në të gjithë zonën rurale nëpërmjet ndërtimit të linjave të reja të transmetimit dhe rezervuarëve për çdo fshat.

 

2.         Investime në Rrjetin e Kanalizimeve nëpërmjet të cilit synohet të përmirësohet dhe zgjidhet problemi i kanalizimit të ujërave të zeza të zonës së Durrësit, përfshirë dhe zonën e Plazhit. Qëllimi kryesor është ndarja e sistemeve të ujërave të bardha nga kanalizimet dhe rehabilitimi i linjave kryesore të transmetimit përfshire stacionet e pompimit. Gjithashtu do të mbulohen me rrjet kanalizimesh dhe zonat periferike informale si dhe zona rurale.

 

3.         Komponenti i Zhvillimit Institucional, Fuqizimit të Menaxhimit të Kërkesës dhe Fuqizimit të Ndërmarrjes, nëpërmjet të cilit do të mbështeten politikat dhe reformat e Qeverisë në sektorin e Ujit. Këto Reforma do të përfshijnë përgatitjen dhe zbatimin e një Programi për Monitorimin e Kërkesës për Ujë. Ky i fundit synon zbatimin e një programi matjeje për qytetin e Durrësit duke përfshire si klientët familjare ashtu dhe matjen në pikat e lidhjes ne linjën kryesore, zbatimin e një fushate ndërgjegjësimi për mos shpërdorimin e ujit, mbështetjen e Njësisë se Monitorimit pranë DPUK, asistence teknike për mbështetjen dhe zbatimin e një modeli efektiv për furnizimin dhe shpërndarjen e ujit etj.

 

4.         Komponenti i mbështetjes së zbatimit te Projektit, nëpërmjet të cilit do përballohen shpenzimet e stafit si dhe shpenzime te tjera operative te Njësisë se Zbatimit te Projektit.

 

Projekti i Investimit në Sektorin e Ujit do të financohet tërësisht nga Banka Botërore (IBRD), nëpërmjet një huaje në vlerën 62,500,000 Euro, financim i cili do të mbulojë edhe vlerën e TVSH në zbatim të projektit, ndërsa kontributi i Qeverisë Shqiptare konsiston në përballimin e kostove të shpronësimeve përkatëse.

 

Huaja e Bankës Botërore është me termat në vijim:

•           Shuma:  62,500,000 Euro;

•           Interesi: bazuar në normën e referencës EURIBOR + marzh të pandryshueshëm;

•           Tarifa Front-end Fee: 0.25% e shumës së kredisë, shumë kjo qe paguhet nga fondet e kredisë;

•           Maturimi: 23 vjet duke përfshirë periudhën prej 10 vitesh pa pagese principali.

 

Institucioni përgjegjës për zbatimin e projektit është Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës. Projekti mendohet të realizohet brenda një afati prej 5 vitesh.

Të rejat e fundit