Historik i shkurtër

Avokati i Tatimpaguesve u krijua si institucion fillimisht pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në vitin 2010, si pjesë e strukturës së saj organizative. Nga ky vit, deri në në vitin 2016, Avokati i tatimpaguesve ka kryer funksionin e tij në përbërje të Administratës Tatimore, por me veprimtari të pavarur në vendimmarrje. Në vitin 2018, me sugjerimin e grupeve të biznesit,
Qeveria Shqiptare vendosi kalimin e këtij institucioni si pjesë e strukturës së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Ky ndryshim u bë qëllimisht për të forcuar rolin e pavarur të institucionit të Avokatit të Tatimpaguesve ndaj Administratës Tatimore, për të mos qenë më pjesë e saj, për shkak të funksionit që mbart Avokati i Tatimpaguesve përballë Administratës Tatimore.

Për këtë qëllim, u bënë edhe ndryshimet e nevojshme ligjore, ku Avokatit të tatimpaguesve iu dhanë kompetenca për të rritur rolin e tij dhe pavarësinë në mbrojtjen e interesave të tatimpaguesve.
Gjatë gjithë këtyre viteve, që nga krijimi, Avokati i Tatimpaguesve ka trajtuar me qindra ankesa dhe kërkesa, duke dhënë zgjidhje, bërë rekomandime dhe duke propozuar edhe rregullime ligjore, për të garantuar të drejtat e tatimpaguesve dhe mbrojtur interesat e tyre nga veprimet dhe sjelljet e
administratës tatimore, apo të punonjësve të veçantë të saj.