Postuar më: 18/07/2019

Forumi i Biznesit Shqipëri-Kroaci, Ministrja Denaj prezanton lehtësitë që ofron Shqipëria për investitorët kroatë

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, mori pjesë sot në Forumin e Biznesit Shqipëri-Kroaci, organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë. Të pranishëm në këtë Forum ishin dhe Ministri i Mbrojtjes së Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi, dhe Ministri i Ekonomisë së Kroacisë, z. Darko Horvat.

Në fjalën e saj, Ministrja Denaj pohoi se potencialet e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve janë të mëdha dhe e konsideroi Forumin e Biznesit si fillimin e një bashkëpunimi të frytshëm e afatgjatë, për të cilin shprehu edhe angazhimin e MFE.

Ministrja prezantoi para pjesëmarrësve disa prej politikave të qeverisë shqiptare për krijimin e një mjedisi më të mirë për biznesin, si: reformat në kuadrin rregullator dhe ato që synojnë përmirësimin e klimës së biznesit, të cilat janë në linjë me rekomandimet e BE-së dhe parimet e OECD-së; lehtësitë fiskale që ofron Shqipëria në disa sektorë të ekonomisë, si turizmi, ku është reduktuar TVSH-ja nga 20 % në 6 % për hotelet me 4 dhe 5 yje; drafti i ri i Ligjit të Unifikuar të Investimeve, i cili po diskutohet për tu përmirësuar më tej me rekomandimet e komunitetit të biznesit; si dhe projekti i Fiskalizimit, i cili do të përfundojë në vitin 2021 dhe synon të vendosë një klimë më të mirë biznesi, rregulla të pastra loje dhe konkurrencë të ndershme.

“Është një revolucion në financa, në fakt, dhe në mënyrën se si i gjithë procesi Fiskalizimit do të ndodhë në Shqipëri, por me një garanci të plotë, të realizojë një klimë biznesi, rregulla të pastra loje dhe një menaxhim më efektiv të të gjithë të dhënave që vijnë në sistemin tonë fiskal, në mënyrë që ne të punojnë me biznesin e ndershëm dhe të vlerësojmë të gjithë përpjekjet e tij dhe zhvillimit të tij drejt përmirësimeve të vazhdueshme”, u shpreh znj. Denaj.

Ministrja tha se Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbetet e interesuar në shqyrtimin e mundësive për projektmarrëveshje dhe protokolle të reja të baashkëpunimit me palën kroate në disa fusha, si atë të investimeve, kulturës, transportit, energjisë dhe turizmit.

 

Fjala e plotë e Ministres Denaj:

I nderuar Z. Horvat,

E nderuar Znj. Ambasadore,

Të nderuar Presidentë të Dhomave të Tregtisë,

Të nderuar përfaqësues të bizneseve shqiptare dhe kroate,

Në radhë të parë një falënderim të veçantë për këtë organizim, ju uroj mirëseardhjen në Shqipëri dhe shpresoj në një takim të frytshëm “Biznes to Biznes” dhe në një shijim të vetë klimës së Shqipërisë.

Forumi i sotëm i Biznesit do të donim të ishte vetëm fillimi i një bashkëpunimi të frytshëm që të jetë sa më afatgjatë. Për këtë angazhohemi mes të dy ministrive, mes dhomave të tregtisë, dhe sigurojmë që këtë bashkëpunim do ta ndjekim të vijueshmëri.

Marrëdhëniet mes vendeve tona, sikurse u përmendën pak më parë, nuk janë në ato nivele ku potencialet ekonomike dhe vullnetet e palëve ekzistojnë. U përmend pak më parë një shkëmbim tregtar 60 milionë Euro, sikurse dhe vetëm për 4 mujorin e parë të vitit 2019 një qarkullim deri në 19 milionë Euro. Këto shifra nuk na krenojnë, sigurisht, por na japin detyra për të ecur përpara dhe për të realizuar objektiva në të ardhmen. Gjithsesi, në vitin 2018 importi me Kroacinë është rritur me 26%, ndërkohë që eksporti drejt Kroacisë është rritur më 54%.

Janë rreth 45 kompani kroate në këtë Forum Biznesi dhe jam e lumtur për interesin e tyre të shprehur në Shqipëri sot.

Ne konsiderojmë me interes të bashkëpunojmë në shkëmbimin edhe të know-how dhe të praktikave më të mira që vendi juaj ka krijuar.

Në vijim të ditës së sotme, unë mendoj që prezantimi që do të bëjë Agjencia Shqiptare e Zhvillimin e Investimeve do të jetë një mundësi e parë e njohjes së potencialeve që ka Shqipëria për të ofruar tek ju.

Por, më lejoni të jap disa elementë të politikave të qeverisë shqiptare për të realizuar një klimë të mirë biznesi.

Së pari, reforma në kuadrin rregullator dhe ato që synojnë përmirësimin e klimës së biznesit janë dhe synohet të jenë në linjë me rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe parimet udhërrëfyese të OECD-së. Së fundmi ne kemi nënshkruar dhe një marrëveshje, e cila i hap rrugë këtij bashkëpunimi dhe zhvillimi akoma më dinamik në të ardhmen.

Së dyti, drafti i ri i Ligjit të Unifikuar të Investimeve, i cili sikurse u përmend pak më parë nga z. Jaka, është në tryeza për tu përmirësuar më tej me rekomandimet dhe me të gjithë vërejtjet që komuniteti i biznesit po na jep, dhe ju falënderojmë për të gjithë kontributin tuaj në këtë konsultim publik.

Lehtësitë fiskale kanë gjithashtu në fokus disa sektorë. Më lejoni të shpreh nevojën për të sjellë në vëmendjen tuaj potencialin që ka turizmi në Shqipëri. Një element shumë i rëndësishëm i lehtësisë fiskale synon ta rrisë atë drejt një niveli elitar turizmi dhe për këtë arsye është aplikuar reduktimi i TVSH nga norma standarde prej 20 % në 6 % për të gjitha Hotelet me 4 dhe me 5 yje.

Projekti i Fiskalizimit është një projekt, i cili sot që po flasim është në gjysmën e tij të rrugës. Unë jam shumë e kënaqur që në këtë proces ne na ndihmon një kompani kroate, e cila po ndihmon Ministrinë e Financave për implementimin e e të gjithë procesit, i cili do të jetë gati në 2021 dhe është një revolucion në financa, në fakt, dhe në mënyrën se si i gjithë procesi Fiskalizimit do të ndodhë në Shqipëri, por me një garanci të plotë, të realizojë një klimë biznesi, rregulla të pastra loje dhe një menaxhim më efektiv të të gjithë të dhënave që vijnë në sistemin tonë fiskal, në mënyrë që ne të punojnë me biznesin e ndershëm dhe të vlerësojmë të gjithë përpjekjet e tij dhe zhvillimit të tij drejt përmirësimeve të vazhdueshme.

Së fundmi, plotësimi i kuadrit të bashkëpunimit tonë bilateral në të gjitha fushat me interes të ndërsjellët:

Pala Shqiptare dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë është shumë e interesuar për të shqyrtuar mundësitë për projekt-marrëveshjen dhe protokollet e reja të bashkëpunimit në fushën e investimeve, kulturës, transportit, energjisë dhe turizmit.

Ja pse, ditën e nesërme së bashku me Ministrin Horvat do të shqyrtojmë mundësinë e firmosjes së një memorandumi bashkëpunimi në fushën e sipërmarrjes dhe investimeve.

Shpresojmë që bisedimet e nesërme me z. Horvat të na sjellin një rezultat po aq të rëndësishëm sa sot, për të siguruar kushtet më të favorshme për ushtrimin e veprimtarive tuaja.

Ju faleminderit që jeni në Shqipëri dhe shpresojmë në biznes të frytshëm mes të dy palave.