Postuar më: 11/10/2018

Formalizimi, emergjencë për klubet sportive. Qeveria ka bërë diferencë në vëmendjen ndaj sportit

Interpelanca me deputetin Erjon Brace – Fjala e Ministrit Ahmetaj:

Ahmetaj: “Formalizimi, emergjencë për klubet sportive. Qeveria ka bërë diferencë në vëmendjen ndaj sportit”

Kjo interpelancë besoj se është një rast shumë i mirë për të bërë dallim midis dy qeverive, asaj të para 2013-tës dhe Qeverisë “Rama 1” dhe “Rama 2”, për atë çfarë ka bërë për sportin.

Struktura ligjore përsa i përket sporteve në tërësi, por sidomos futbollit dhe pjesës së pronësisë e cila është konfuze, pjesës së sponsorizimeve dhe pjesës së promovimit të mbështetjes së sportit, që ka sjellë në rastin më të mirë një konfuzion dhe në shumë raste kaos në klubet sportive, sidomos në klubet e futbollit në Republikën e Shipërisë. Duke iu referuar kërkesës për interpelancë, më duhet të them që kërkesa ka qenë e gjerë dhe për këtë arsye, më jep mundësinë që të flas gjerësisht, por patjetër që brenda mundësisë për të folur gjerë ka dhe detaje të cilat besoj do të hedhin dritë mbi situatën e klubeve të futbollit apo edhe mbi aktivitetin e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Ne kemi në dorë Ligjin e Sportit i cili ka marrë mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Financave, një iniciativë e drejtpërdrejtë e Kryeministrit për të qartësuar më në fund situatën e pronësisë, situatën e mbështetjes financiare, situatën e përgjegjësive, qoftë të bashkive, qoftë të presidentëve të klubeve, dhe patjetër do të ndihmojë dhe transparencën, edhe formalizimin e mëtejshëm në këtë fushë.

Federata Shqiptare e Fubollit sot, për shkak të mbështetjes së drejtpërdrejtë buxhetore dhe ligjore të Qeverisë “Rama 1”, ka 3 stadiume të reja, stadiumi i Elbasanit, stadiumi i Shkodrës dhe Kompleksi Sportiv i Tiranës. Stadiume në këtë vend janë ndërtuar vetëm në kohën e Enverit, në 1980. Që nga ajo ditë, stadiume janë ndërtuar vetëm në mandatin “Rama 1”, vazhdojnë në “Rama 2” dhe jam I bindur që do të vazhdojnë edhe në “Rama 3”. Kjo e ndan këtë mazhorancë nga opozita e sotme dhe mazhoranca e kaluar, në vëmendjen ndaj sportit. A ka hapësirë për të bërë më shumë për sportin? Patjetër! Futbolli, peshëngritja, si dhe shumë sporte të tjera, janë krenaria e Shqipërisë.

Kemi qenë ne, majtas dhe djathtas, të emocionuar, kur ekipi ynë kombëtar në Francë bëri atë paraqitje spektakolare dhe ishte kjo mazhorancë, kjo qeveri, ishte ky Kryeministër që menjëherë me fitoren e asaj dite i akordoi Kombëtares një pagesë 1 milionë euro, për të treguar vlerësimin që edhe nëpërmjet këtyre instrumentave, edhe nëpërmjet sportit, dinjiteti kombëtar ka mundësi të rritet dhe këtu besoj është “thembra e Akilit” në kuptimin e mbështetjes së shtetit për të rritur dinjitetin e qytetarëve shqiptarë dhe dinjitetin e vendit. Ka emra të njohur në fushën e futbollit dhe jo vetëm, sot në Europë, qoftë në aspektin e lojtarëve në fushë, qoftë edhe në aspektin e teknikëve në bankinë, që i bëjnë nder vendit. Igli Tare është një nga teknikët më të mirë në botë sot dhe është një ish-lojtar i Kombëtares dhe qytetar dinjitoz shqiptar.

Thënë kjo, unë po vij tek Federata Shqiptare e Futbollit. Federata Shqiptare e Futbollit dikur, përpara 10 vitesh, ka qënë një institucion pa zë për shkak të situatës së futbollit. Sot patjetër që është në fokus nga mbështetës dhe kritikë, dhe ashtu duhet të jetë sepse edhe vëmendja ndaj sportit është rritur ndjeshëm. Çfarë është Federata Shqiptare e Futbollit në aspektin fiskal? Federata Shqiptare e Futbollit është regjistruar në organin tatimor në 08.08.1996. Federata Shqiptare e Futbollit ka statusin e Organizatës jofitimprurëse. Federata Shqiptare e Futbollit deklaron në organin tatimor, tatimin mbi të ardhurat personale, kontributet e sigurimeve, TVSH-në për veprimtarinë e shitjeve që ushtron, tatime të tjera që i mban në burim në bazë të ligjit.

Të ardhurat dhe shpenzimet e FSHF-së në vite janë:

Në vitin 2014-të, të ardhur 835 milionë lekë, shpenzime 930 milionë lekë. Si të gjithë institucionet shqiptare në atë vit, edhe Federata Shqiptare paska detyrime të prapambetura.

Në vitin 2015-të, të ardhura 2.4 miliardë lekë dhe ka harxhuar 2.6 miliardë lekë, dhe sërish me detyrime

Në vitin 2016-të, afërsisht 3.3 miliardë lekë, thënë më saktësisht 3.292 miliardë lekë dhe shpenzimet i ka 2.6 miliardë lekë.

Në vitin 2017-të, 1.787 miliardë lekë i ka ardhurat dhe shpenzimet i ka 1 miliardë e 385 milionë lekë.

Unë këtu kam dhe pasqyrat e plota financiare të Federatës Shqiptare të dorëzuara që mund të konsultohen faqe më faqe, zë për zë, kategori më kategori.

Për vitin 2017, të ardhurat totale sipas strukturës janë si më poshtë:

Të ardhurat nga shitjet në 2017:

  • materiale sportive 11 milionë e 57 lekë;
  • e drejta TV ekipi kombëtar UEFA 340 milionë e 463 lekë;
  • e drejta TV Kategori Superiore 68.5 milionë lekë;
  • Reklama 20 milionë e 307 lekë;
  • bileta ndeshje futbolli 53 milionë e 607 lekë;
  • Kurse UEFA 20 milionë e 373 lekë;
  • qera fusha stadiume 26 milionë e 752 lekë.

Pra, totali i të ardhurave në këtë kategori nga shitjet është 541 milionë e 113 mijë lekë.

Kategoria e dytë e të ardhurave.

  • Të ardhurat nga klubet e futbollit janë në total 72 milionë e 769 mijë lekë.
  • Kartona federimi 1 milion e 867 mijë lekë;
  • kuota anëtarësimi 10 milionë e 700 mijë lekë;
  • kontribute pagesa gjyqtarësh 41 milionë e 37 lekë;
  • sponsorizime donacione 196 milionë e 893 mijë lekë;
  • amortizim grante në të ardhura, në bazë të ligjit të kontabilitetit ndër vite, në vitin 2017- 838 milionë e 139, dhe nga UEFA, nga qeveria shqiptare dhe nga FIFA;
  • Grante nga qeveria për stadiumin 133 milionë vetëm në 2017;
  • Rimarrje provigjionesh, që është koncept legal dhe kontabël, 4 milionë e 838 mijë lekë.

Totali, 1.25 miliardë lekë.

Për vitin 2017 shpenzimet sipas strukturës janë si më poshtë:

  • Paga 92 milionë e 644 mijë lekë;
  • Sigurime të paguara 11 milionë e 45 mijë lekë;
  • amortizim, 108 milionë e 117 mijë lekë;
  • shpenzime të tjera 1 miliard e 176 milionë e 689 mijë lekë.

Federata Shqiptare e Futbollit ka në organikë 72 punonjës. Listë pagesa në gusht të vitit 2018. Për të sjellë një shembull, Ilir Shulku, Sekretar i Përgjithshëm, e ka pagën bruto 522 mijë lekë. Paguan kontribute punëdhënësi 15 mijë e 878 mijë lekë dhe punëmarrësi 10 mijë e 56. Dhe vazhdon listë pagesa e Federatës Shqiptare të Futbollit.

  • Në 2014, Federata ka paguar 13 milionë e 423 mijë lekë kontribute sigurime shoqërore dhe shëndetësore.
  • Në 2015, 14 milionë e 867 mijë lekë.
  • Në 2016, 15 milionë e 282 mijë lekë.
  • Në 2017, 18 milionë e 575 mijë lekë.
  • Në 2018, deri në fund të muajit gusht, ka paguar 12 milionë e 923 mijë lekë.

Tatimi mbi të ardhurat nga punësimi.

  • Në 2014, ka paguar 5 milionë e 825 mijë lekë.
  • Në 2015, 6 milionë e 684 mijë lekë.
  • Në 2016, 8 milionë e 117 mijë lekë.
  • Në 2017, 11 milionë e 74 mijë lekë.
  • Në 2018, deri në këtë periudhë, 6 milionë e 799 mijë lekë.

Dhe, tatimi i mbajtur në burim, pra të detajuara.

Këtu ka një problematikë serioze me klubet. Po ju nxjerr tre klube të rëndësishme të vendit që i kanë dhënë dinjitet futbollit dhe që kanë nevojë për formalizim të mëtejshëm. Po ju sjell ekipin e Skënderbeut, një klub dinjitoz që i ka dhënë emër futbollit shqiptar në vite të vështira. Çfarë ndodh? Kristi Vangjeli, të cilin e njihini shumë mirë, e dini se sa paguhet? 100 mijë lekë në muaj, të reja. Ndërsa, ekonomistja e klubit merr pak më shumë se ai, merr 130 mijë lekë në muaj.

E dini se sa kanë marrë këta futbollistë në 2014? Ja ku e keni. Duket sikur me këto listë pagesa këta futbollistë nuk kanë pasur mundësi të hanë për të qëndruar në këmbë, jo më për të luajtur futboll. 22 mijë lekë, futbollistët. Ja ku i keni, me emra.

E vërteta është që këtu ka nevojë për formalizim, për t’iu referuar pastaj emrave si Mesi, apo atyre historive andej.

Pastaj kemi Tirana. Tirana ndahet në dy periudha. Periudha e Tiranës kur Bashkinë e kishte Kryetari zyrtar i opozitës së sotme dhe e kësaj periudhe tani që jemi duke folur. T’ju sjell një emër? Bujar Lubani, trajneri i madh, i nderuar, merrte 36 mijë lekë në muaj. Gugash Magani, trajner futbolli, ky punonte me zero, ky nuk merrte lekë, nuk merrte pagë, e bënte nga pasioni për futbollin.

Pastaj kemi Klodian Dervishi, trajner futbolli, dhe ky me zero. Pastaj kemi Ze Maria, trajner futbolli, ky merr vetëm 90 mijë lekë. Kemi Iljon Lika, futbollist i madh, 90 mijë lekë. Kemi Rafael Kosta, trajner futbolli, 60 mijë lekë.

Pra, e kuptoni se sa larg janë klubet e futbollit nga formalizimi? Janë shumë larg.

Pastaj kemi Astrit Nallbani, paga bruto është 1 lek. Nuk e ekzagjeroj, i kam marr nga Tatimet. Ja ku i keni, 1 lek.

Listë pagesa Vllaznia. Armando Cungu, trajner futbolli, 544 mijë lekë (të reja). Për hir të së vërtetës, Klubi Vllaznia është më afër formalizimit.

Formalizimi në klubet e futbollit është emergjencë. Federata Shqiptare e futbollit, po të krahasosh vitin 2014 kur futbollistët merrnin pagë minimale 22 mijë lekë dhe në vitet e fundit që praktikisht kanë filluar të reflektojnë pagat afër reales, akoma jemi larg, sigurisht që ka një avancë në drejtimin e duhur. Por unë besoj që me ligjin e ri të Sportit, atë që po kalojmë për mendimmarje dhe pastaj për aprovim në qeveri dhe në parlament, jam i bindur që situata do të avancojë akoma më pozitivisht. Por, ajo që dua të them, është se është e dukshme që sporti ka shumë më shumë nevojë për t’u mbështetur nga qeveria, sporti ka shumë më shumë nevojë të formalizohet, pra futbolli por të gjitha sportet, dhe besoj që formalizimi është një instrument për t’u kthyer dinjitetin atyre lojtarëve që e mbani mend si i trajtuam si heronj në kampionatin europian. Heronj janë vërtet, sepse secili në punën e vet i shton dinjitetin vendit dhe ata, me atë heroizmin e vet në fushë, që ne e kemi emocion në stolat e stadiumit, ata e kanë sfidë në fushën e gjelbër, është një lloj heroizmi në natyrën e vet, që ka nevojë të mbështetet më tej me formalizim dhe me dinjitet, e me më shumë mbështetje nga qeveria.

Faleminderit.

 

Replika:

Unë z. Ruçi mendoj që të harxhosh kaq shumë kohë për Federatën Shqiptare të Futbollit dhe për sportin është gjëja e duhur. Madje më shumë duhet të harxhojmë, edhe ia vlen që të fokusohemi dhe tek bastet. Para se të flas për bastet sportive, do i rikthehem, në respekt të së vërtetës së ligjit, Federatës Shqiptare të Futbollit. Federata Shqiptare e Futbollit ka statusin e organizatës jo-fitimprurëse.

Federata Shqiptare e Futbollit deklaron në organin tatimor, tatimin mbi të ardhurat personale, kontributet e sigurimeve, TVSH për veprimtarinë e shitjeve që ushtron, tatime të tjera që i mban në burim në bazë të ligjit dhe po i rilexoj, përpara se të flas për bastet, edhe një herë.

Federata Shqiptare e Futbollit ka në listë pagesa të punësuar në vitin 2014, 57 të punësuar; në vitin 2015, 55 të punësuar; në 2016, 62 të punësuar; në 2017, 72 të punësuar; viti 2018, 72 të punësuar. Kontributet e sigurimeve shoqërore në total gjatë 2014-2018, pra për periudhën që jemi duke folur e deri në fund të gushtit, ka paguar 75 milionë lekë kontribute sigurime shoqërore dhe shëndetësore, që do të thotë për qytetarët nga listë pagesa, jo ata që ofrojnë shërbime teknike, pra në të vërtetën e ligjit, por ata që janë të punësuar, 75 milionë lekë kontribute sigurime shoqërore dhe shëndetësore.

Tatim mbi të ardhurat, nga punësimi ka paguar 38 milionë e 501 mijë lekë; tatim i mbajtur në burim për pagesa 170 milionë e 279 mijë lekë; totali i pagesave 2014-2018 në buxhet është 283 milionë e 853 mijë lekë; pagesa për shërbime teknike, shërbimet e manaxhimit, shërbime financiare dhe ato të sigurimit janë 95 milionë lekë, e ardhura; tatim i mbajtur në burim 9.6 milionë lekë; pagesat për manaxhim dhe pjesëmarrje në këshillat drejtues, e ardhura është 35 milionë lekë, tatim i mbajtur në burim 5.36 milionë lekë; pagesat për qeratë, e ardhura është 11 milionë lekë, tatim i mbajtur në burim 2.1 milionë lekë; pagesat për shfaqjet e aktorëve, muzikantëve apo sportistëve, e ardhura është 964 milionë lekë.