Postuar më: 18/07/2019

Fjala e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, në Parlament

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, paraqiti para deputetëve në seancë plenare projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar.

Në fjalën e saj, Ministrja u shpreh se synimi i këtij projektligji është përmirësimi i kuadrit ligjor, mënyra e zbatimit të procedurave për dhënien e koncesioneve/PPP, si dhe rritja e kontrollit mbi angazhimet fiskale të marra përsipër nga Autoritetet Kontraktore nëpërmjet kontratave të koncesionit/PPP.

Znj. Denaj theksoi se në hartimin e këtij projekakti janë marrë në konsideratë edhe rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore, SIGMA-OECD, ndërsa ndryshimi kryesor është heqja e propozimeve të pakërkuara në një sërë sektorësh.

“Kemi propozuar kufizimin e së drejtës së identifikimit dhe zhvillimit të propozimeve të pakërkuara nga sektori privat, vetëm për realizimin e punimeve dhe/ose ofrimin e shërbimeve në porte, aeroporte, për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, energjisë për ngrohje dhe shpërndarjen e gazit natyror. Pas hyrjes në fuqi të këtij projektligji, sektori privat nuk do të mund të propozojë projekte koncesioni/PPP, në formën e propozimit të pakërkuar për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale me rëndësi të veçantë. Këto projekte do të zhvillohen sipas procedurave dhe rregullave të përcaktuar në ligjin 125/2013”, u shpreh znj. Denaj.

Gjithashtu, Ministrja theksoi se një ndër synimet e projektligjit është dhe forcimi i rolit të Ministrisë përgjegjëse për Financat dhe Ekonominë.  “Qëllim i këtij projekt akti është përcaktimi i qartë i rolit dhe përgjegjësive të ministrisë përgjegjëse për financat në lidhje me vlerësimin, miratimin e të gjithë projekteve dhe ecurinë e kontratave të koncesionit/PPP”, tha znj. Denaj.

Fjala e plotë e Ministres Denaj:

I nderuar Kryetar i Seancës,

Të nderuar deputetë dhe qytetarë,

Synimi i projekt aktit është të përmirësojë kuadrin ligjor, mënyrën e zbatimit të procedurave për dhënien e koncesioneve/PPP, të rrisë kontrollin mbi angazhimet fiskale të marra përsipër nga Autoritetet Kontraktore nëpërmjet kontratave të koncesionit/PPP.

Duhet të theksojmë se në hartimin e këtij projektakti janë marrë në konsideratë edhe rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore, SIGMA-OECD.

Këto ndryshime vijnë në koherencë dhe harmoni të plotë me ndryshimët e bëra më parë në ligjin organik nr. 9936/2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar së fundmi (Me ligjin Nr. 57/2016).

Risitë kryesore të këtij projekt akti janë:

Së pari heqja e Propozimeve të Pakërkuara në një sërë sektorësh.

Kemi propozuar kufizimin e të drejtës së identifikimit dhe zhvillimit të propozimeve të pakërkuara nga sektori privat, vetëm për realizimin e punimeve dhe/ose ofrimin e shërbimeve në porte, aeroporte, për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, energjisë për ngrohje dhe shpërndarjen e gazit natyror.

Pas hyrjes në fuqi të këtij projektligji, sektori privat nuk do të mund të propozojë projekte koncesioni/PPP, në formën e propozimit të pakërkuar për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale me rëndësi të veçantë. Këto projekte do të zhvillohen sipas procedurave dhe rregullave të përcaktuar në ligjin 125/2013.

Së dyti një parashikim shumë i rëndësishme është heqja e bonusit për propozimet e pakërkuara.

Me qëllim rritjen e transparencës dhe trajtimit të barabartë për të gjithë operatorët në procedurën konkurruese është hequr mekanizmi i shpërblimit me pikë bonus, për propozime të pakërkuara.

Për të ruajtur interesin e sektorit privat me propozim projektesh është zevendësuar sistemi me pikë bonus me sistemin e kompensimit në vlerë monetare. Kjo pritet të ndodhë në rastët kur propozuesi I pakërkuar nuk shpallet fitues.

Vlera e kompensimit nuk mund të jetë më e lartë se 1% e vlerës së investimit. Mekanizmi i propozuar i kompensimit nuk cënon konkurrencën dhe nuk avantazhon propozuesin e pakërkuar.

Së treti forcimin e rolit të Ministrisë përgjegjëse për Financat dhe Ekonominë.

Qëllim i këtij projekt akti është përcaktimi i qartë i rolit dhe përgjegjësive të ministrisë përgjegjëse për financat në lidhje me vlerësimin, miratimin e të gjithë projekteve dhe ecurinë e kontratave të koncesionit/PPP.

Menaxhimi i  riskut fiskal kërkon një vlerësim periodik të performancës së tyre dhe marrjen e masave të nevojshme për minimizimin e kostove fiskale.

Ministria përgjegjëse për financat duhet të jetë e informuar në lidhje me të gjitha risqet që lidhen me kontratat koncensionare/PPP si ato me bazë ekonomike dhe ato juridike me synim për të analizuar dhe minimizuar këto risqe fiskale dhe buxhetore në të ardhmen.

Kjo është arsyeja pse në nenin 3 (pika 4) njihet detyrimi i autoritetit konraktor përtë raportuar të paktën tre herë në vit, pranë ministrisë përgjegjëse për financat, në lidhje me zbatimin e kontratave të koncesionit/PPP.

Një parashikim tjetër shumë i rëndësishëm është paraqitja e kontratës për vlerësim përpara nënshkrimit të kontratës pranë ministrisë përgjegjëse për financat.

Gjithashtu, për të shmangur çdo dyshim dhe çdo kosto shtesë, si rrjedhojë e vënies në zbatim të këtyre projekteve të koncesionit/PPP, është e domosdoshme që çdo ndryshim si gjatë fazës së përgatitjes së projekteve (në studim fizibilitetit), dhe çdo ndryshim pas duhet të vijë për opinion dhe për vlerësim pranë ministrisë përgjegjëse për financat.

Së katërti, me qëllim rritjen e cilësisë së studimeve të fizibilitetit mbi projektet e koncesionit/PPP, është parashikuar në nenin 6 të këtij projektligji krijimi i Komiteti i Përzgjedhjes së Projekteve të Koncesionit/PPP.

Ky Komitet do të jetë një organ kolegjial me objekt kryesor të veprimtarisë përzgjedhjen e projekteve të Koncesionit/PPP të cilët do të asistohen me ekspertizë të specializuar për hartimin e studimeve të fizibilitetit dhe/ose oponencën e tyre.

Me lejoni të theksoj se 1 cështje e rëndësishme në lidhje me Koncensionet/PPP është transparenca.

Aktualisht në faqen zyrtare të Agjencisë së Trajtimit të Koncensioneve – ATRAKO, do të gjeni informacion të detajuar për të gjitha kontratat koncesionare apo ato PPP.

Në të ardhmen, qeveria shqiptare shpreson të rrisë nivelin e informacionit publik, për të siguruar një llogaridhënie afatgjatë dhe të strukturuar në vijim të ndryshimeve të këtij projektligji, të asistuar edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, që do të na mbështesin në procesin e ngritjes së kapaciteteve teknike.

Ju faleminderit,