Postuar më: 06/07/2018

Ekonomia shqiptare ka rritur produktivitetin dhe kokurrueshmërinë. Hapja e negociatave, hov pozitiv për zhvillimin ekonomik

Ministri Ahmetaj për zhvillimet kryesore ekonomike

Siç e kemi bërë traditë, edhe sot do t’i referohemi zhvillimeve ekonomike, fiskale dhe financiare të gjashtë muajve të parë të vitit 2018, duke iu referuar statistikave që kanë dalë për periudhën.

Besoj që ju e ndoqët dhe informacionin statistikor zyrtar të INSTAT përsa i përket rritjes ekonomike. Rritja ekonomike në tremujorin e parë 2018 kapi nivelin e 4.45%, e ndihmuar nga energjia, tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor, bujqësia, taksat neto. Pra, siç e shikoni, pothuajse të gjithë sektorët janë me rritje, me përjashtim të “informacionit dhe komunikimit” dhe aktivitete financiare të sigurimit, ndërkohë që kemi një nivel gati të papërfillshëm lëvizje tek aktivitet e pasurive të paluajtshme.

Shifra e tremujorit është një premtim shumë i mirë për të mbajtur objektivin me 4.2 për qind të rritjes ekonomike për vitin 2018. Ndërkohë që, akoma nuk kemi parë të plotë, se do ta shohim në tremujorin e dytë dhe në tremujorin e tretë, efektet e investimeve publike, efektet e projekteve të mëdha, efektet e turizmit, që do të thotë se mundësia që të jemi në këto nivele apo më lart është shumë e madhe. Sigurisht që varet edhe nga niveli i tremujorëve të vitit të kaluar.

Ajo që dua të veçoj janë dy elementë shumë të rëndësishëm, duke iu referuar pjesës së shpenzimeve, është rritja reale e konsumit final të popullatës. Siç e shikoni, tremujori i parë ka një rritje gati 3%, e konsiderueshme, u bë i disati tremujor që konsumi vetëm rritet. Dhe ndërkohë, shikoni edhe formimin e kapitalit fiks bruto, thënë ndryshe investimet totale, sërish me një rritje të konsiderueshme prej 5.43%. Pra, kërkesa e brendshme dhe investimet, së bashku me disa elementë të tjerë, do të jenë shtyllat kryesore të rritjes ekonomike edhe për këtë vit.

Rritja e besimit në ekonomi është në vazhdimësi në përmirësim. U rrit me 3.7 pikë gjatë tremujorit të parë të vitit 2018, duke vijuar të mbetet mbi mesataren afatgjatë të tij. Kjo tregon që aktorët vazhdojnë të kenë besim në rritje te ekonomia, qoftë konsumatorët, qoftë aktorët ekonomikë, pra sipërmarrjet private, dhe këtë mund ta konfirmojmë edhe me rritjen e shifrës së afarizmit, ku përfshin prodhimin dhe shërbimet. Shifra e afarizmit për prodhimin përgjatë tremujorit të parë të vitit 2018 shënoi një rritje prej 15.64 %. Pra, e gjithë boloria fermentuese e opozitës që “ka rënë ekonomia, s’ka biznes” etj., kuptohet që zerohet me të vërtetën statistikore dhe reale që nxjerrim jo ne, por institucione të pavarura nga qeveria. Shifra e afarizmit për shërbimet ka sërish një rritje prej 3.4%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Këto janë të dhëna shumë të rëndësishme të cilat qëndrojnë në themel të pulsit ekonomik dhe definitivisht dhe të rritjes ekonomike. Pra, siç e shikoni, situata ekonomike në gjashtë muajt e parë të këtij viti është në përmirësim të vazhdueshëm.

Vazhdojmë të jemi në nivelin më të ulët historik të papunësisë, 12.5%, në terma vjetore e ulur me 1.7%, e vazhdon trendi rënës i papunësisë tek të rinjtë. Siç e shikoni, pjesëmarrja në forcat e punës sërish është rekord. Janë të dhëna rekord historike përsa i përket tregut të punës, të pakrahasueshme me asnjë periudhë të mëparshme ku sondimi dhe skanimi statistikor ka qenë standard.

Siç e theksova, punësimi është 5% më i lartë se një vit më parë. Krahasuar me Maj 2017 janë 33 mijë e pak më shumë vende të reja pune, e krahasuar me janar 2013, mbi 200 mijë vende të reja pune. Gati 35% e vende të punës janë formuar në mandatin e parë dhe në vazhdimësi në vitin 2018 të mandatit Rama 2. Janë vendet e lira të punës të shpallura nëpërmjet Shërbimit Kombëtar të Punës. Në anën tjetër, në janar-qershor keni dhe punësimin nëpërmjet ndërmjetësimit të zyrave të punës. Po bëhet një punë shumë e mirë në Shërbimin Kombëtar të Punësimit, në ndihmë ndaj gjithë punëkërkuesve të papunë. Janar-qershor janë gati 14,600 të punësuar vetëm nga zyrat e punës, e ndërkohë kemi vende të lira të punës të shpallur 31,484.

Kemi programet për mbështetjen e punësimit. Siç e keni parë ka një fokus shumë të rëndësishëm tek formimi profesional, formimi profesional i familjeve dhe anëtarëve të familjeve në nevojë, ku buxheti i shtetit paguan 5500 lekë të vjetra në muaj për ata që janë në trajnime dhe që kanë qenë, kanë dalë ose janë brenda skemës së ndihmës ekonomike.

Inflacioni vazhdon të jetë në nivelet +/- 2 %, me gjithë ato goditje që dha kursi i këmbimit dhe inflacionit shumë të ulët të importuar nga vendet partnere tregtare, si Italia apo Greqia.

Dua t’ju provokoj pozitivisht në një debat që përfundoi në debat politik, ndërkohë që duhet të ishte jo vetëm debat politik, por edhe teknik, është efekti i përfshirjes së biznesit të vogël në skemën e deklarimit të TVSH-së. Nga të gjitha studimet e ekspertëve për ndryshimin e çmimeve është vënë re se indeksi i çmimeve për njësitë tregtare të marra në studim, nuk është impaktuar nga përfshirja e tyre në skemën e TVSH-së. Pra, përveç logjikës së inflacionit total, kemi bërë dhe një sondim brenda njësive tregtare që janë marrë për t’u studiuar pikërisht për efektin e shtrirjes së deklarimit të TVSH-së dhe fakti është që ka shumë çmime të ulëta. Pra, e gjithë ajo bolori e opozitës apo e pseudo-ekspertëve se “do rriten çmimet, do rriten çmimet”, jo vetëm që nuk u rritën, por edhe u ulën në shumë artikuj. Kështu që, këtë të dhënë merrni me vete për t’ia treguar kujtdo që ngulte këmbë me vendosmëri jo-profesionale përpara disa muajsh që do të ketë rritje çmimesh. Besoj, nga sa kujtoj unë, asnjë nga ju nuk e bëri këtë pyetje, se ishit të qartë që praktikisht çmimet nuk do të rriteshin.

Pozicioni i jashtëm i ekonomisë – në vitin 2017 vijoi përmirësimi i përgjithshëm i pozicionit të jashtëm të ekonomisë shqiptare. Bilanci i përgjithshëm i pagesave shënoi rritje duke arritur vlerën +185.4 milionë euro. Nuk po ndaloj gjatë këtu në detaje, por dua të theksoj se flukset e investimeve të huaja u rritën 62% në krahasim me tremujorin e njëjtë të vitit 2017. Ju apo qytetarët që na ndjekin jeni të interesuar të dëgjojnë të gjitha palët, por pala neutral, e pavarur, që është Banka e Shqipërisë dhe Instituti i Statistikave tregojnë statistikat ekonomike në rritje dhe një nga statistikat më të rëndësishme, është fluksi i investimeve të huaja. E ndërkohë, për tremujorin e parë, zëri i shërbimeve të lidhura përgjithësisht me turizmin shënoi rritje në vlerën 331 milionë euro ose 10%, nga viti në vit.

Kam sjellë një grafik për investimet e huaja. Unë besoj dhe shpresoj se ky vit do të shënojë sërish një rekord dhe ai meraku i vazhdueshëm për projektet e mëdha, projektet e mëdha janë duke mbaruar fazën e investimit, e ndërkohë investimet e huaja po ecin konsoliduar. Po ta shikoni, stoku në 2015-ën ishte 5 miliardë euro, stoku në dhjetor të 2017-ës ishte 6.5 miliardë euro, pra +16 % stoku i investimeve të huaja.

Kam sjellë një grafik për të parë hyrjen e shtetasve të huaj. Është domethënës, një rritje e konsiderueshme Maj me Maj gati 10%, ndërsa pesëmujor me pesëmujor gati 8 %, që shkon në përputhje dhe me atë rritje që ju solla përpara të shifrës 339 milionë euro në tremujorin e parë, më një rritje prej 9.9 % në tremujorin e parë.

Tregtia e Jashtme. Eksportet u rritën 18.4%. A mund t’ju kujtoj një element shumë të rëndësishëm këtu? Në disa muaj të fundit kemi parë lëvizje në kursim e këmbimit, forcim të lekut dhe natyrshëm e legjitimisht çdonjëri nga ne apo dhe eksportuesit do shqetësoheshin. Ndërkohë, po të shikoni eksportet, me gjithë këtë lëvizje në kursin e këmbimit që tradicionalisht mund të ishte penguese, eksportet janë rritur me 18.4%, që do të thotë se ekonomia shqiptare, produktet shqiptare, kompanitë shqiptare janë bërë më produktive, kanë rritur produktivitetin dhe konkurrueshmërinë. Pra, dy elementë kyç që ekonomia shqiptare të përformojë tani apo afatmesëm e afatgjatë pozitivisht.

Ndërkohë kemi një rritje gati 7% të importeve. Pra, tani u bë e zakonshme dhe unë jam i bindur që qetësia juaj reflekton pozitivitetin e zakonshëm ndër vite të ekonomisë shqiptare dhe të situatës fiskale. Unë ju kam parë sa herë që ka ndonjë marzh të gripit të lehtë në ekonominë shqiptare, ju menjëherë bëheni të ndjeshëm. Në përgjithësi, këto dy-tre vitet e fundit nuk keni qenë shumë të ndjeshëm ndaj trendit lart, sepse jeni mësuar që të jetë lart pothuajse çdo trend elementësh ekonomikë. Imagjinoni sikur të kishim ndonjë trend, sikur dhe ndonjë të parëndësishëm në rënie, pyetjet edhe ankthi do të ishte shumë i madh nga ana juaj.

Përsa i përket performancës së të ardhurave, kemi një rritje prej 3.3%. Janë gati 60 milionë dollarë më shumë në gjashtëmujor se sa viti i kaluar. Kemi një rezultat gati 98%, megjithë goditjen serioze dhe jo të vogël që i ka dhënë të ardhurave doganore kursi i këmbimit. Me gjithë atë goditje, qëndrojmë në nivele të kënaqshme. Kuptohet që ka shumë hapësirë për ta përmirësuar punën. Beteja anti-informalitet po vazhdon. Gjithë skuadra e terrenit është fokusuar përtej të zakonshmes edhe në njësitë që shërbejnë në zonat turistike dhe besoj që trendi përmirësues dhe në të ardhura do të vazhdojë.

Kredia në sektorin privat. Kemi rënien e kredisë me probleme nga 25% në 13.2% dhe do të vazhdojë. Ka shumë punë për të bërë, është e lidhur me rritjen e kredisë, patjetër, e cila megjithëse ka filluar të lëvizë pozitivisht, prapë nuk është në atë nivel që do të donim të ishte. Një grafik për kredinë në të tre monedhat, vendase, në dollar dhe në euro. Të treja kanë rend rritës, por sigurisht që kredia e re në lek dhe kredia e re në euro akoma është në nivele jo fort të kënaqshme, pra 1.65% dhe 1.8%, ndërsa në dollar është 7.7%.

Regjistri i bizneseve. Besoj që statistika është kokëfortë, tregon që ka një rritje neto. Janar-qershor 7 mijë biznese të reja neto.

Dua të ndaj me ju dy informacione të reja. Ne kemi filluar procesin zyrtar të Eurobondit. Kemi nxjerrë atë që teknikisht i referohemi si kërkesa për propozim nga menaxheri drejtues, në bazë të proçedurës ligjore. Besoj që shumë shpejt do të kemi vendosjen e menaxherëve drejtues. Në takimet e mia me investitorët e Eurobondit, apo me investitorët potencialë, shoh një pozitivitet shumë të madh ndaj ekonomisë shqiptare dhe ndaj konsolidimit fiskal që ne kemi bërë. Nëse do të vendosim të dalim në treg, besoj që do të jetë një rezultat pozitiv.

Së fundmi, dua të ndaj një informacion shumë të rëndësishëm dhe pozitiv. Sot ne kaluam në Komisionin e Ekonomisë paketën fiskale të mesvitit me lehtësi të konsiderueshme fiskale për agroturizmin, ku ulëm tatim-fitimin nga 15% në 5%, pra tre herë; hoqëm taksën e infrastrukturës për  investime të reja në agroturizëm dhe e reduktuam nivelin e TVSH-së nga 20% në 6% për agroturizmin, në akomodim dhe në ushqim.

Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, pra për kooperativat moderne kuptohet, në vazhdën e lehtësive fiskale, ulëm tatim-fitimin nga 15% në 5%, tre herë, ndërkohë që me TVSH-në e kemi bërë lëvizjen pozitive para disa muajsh dhe së fundmi, përsa i përket bizneseve, e rritëm tavanin nga 8 milion në 14 milionë për bizneset që do të taksohen me 5% nga 15% tatim-fitimi. Si konkluzion do të thotë që, me këto lëvizje janë 91% e sipërmarrjeve të Shqipërisë që e kanë tatim-fitimin ose 0, ose 5 %. 91% e sipërmarrjeve iu është ulur tatim-fitimi konsiderueshëm ose 0, ose 5 %. Besoj që edhe në vjeshtë do të kemi një paketë proceduriale – fiskale në favor të sipërmarrjes.

Unë jam i bindur që me datën konkrete të hapjes së negociatave dhe me modernizimin e institucioneve dhe ekonomisë në përgatitjen për hapje negociatash fillon skanimi menjëherë në Korrik.

Ekonomia shqiptare do t’i ndjejë efektet e drejtpërdrejta pozitive të kësaj ngjarje shumë të rëndësishme për vendin. Data konkrete për hapjen e negociatave, që nuk është thjesht një fitore e një qeverie por është një fitore e një vendi, e qytetarëve të Shqipërisë, do të influencojë në themel përmirësimin e ekonomisë shqiptare.

Këtu e mbyll prezantimin tim dhe ju falenderoj.

***

I pyetur për rishikimin ekonomik të tarifave aeroportuale të aeroportit të Rinasit, Ministri Ahmetaj u përgjigj:

“Besoj që jemi në proces zyrtar të skanimit të balancave apo inbalancave ekonomike në kontratën e konçesionit të Aeroportit Nënë Tereza. Shumë shpejt do të kemi rezultate dhe do t’i ndajmë me publikun. Unë kam dëgjuar nga ekrani juaj disa shifra, besoj që ju keni burimet tuaja, por në këndvështrimin tim, shumë shpejt Ministria e Infrastrukturës së bashku me Ministrinë e Financave, të dyja ministritë, me një urdhër zyrtar të dy ministrave kanë filluar një skanim të detajuar të kontratës së konçesionit dhe të balancave apo inbalancave ekonomike. Rezultatet do të dalin shumë shpejt.”

Të rejat e fundit