Postuar më: 06/09/2018

E gjithë vëmendja tek qytetarët! Përgjegjshmëria e një qeverie në favor të përmirësimit të jetës së qytetarëve

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Parlament:

Dua të ndaj me ju një reflektim të ngjarjeve ekonomike jo vetëm të këtij viti, por edhe të viteve të shkuara, të reflektojmë për të gjithë projektet për të ardhmen, objektivat dhe pritshmëritë e buxheteve që vijnë në raport me pritshmërinë që kanë qytetarët dhe patjetër të nxjerrim në dritë të vërtetën e të gjitha debateve që natyrshëm, në emocion apo në statistikë, opozita në vazhdimësi përballet qoftë me mazhorancën, qoftë me të vertetën.

Dua që të bëj një parashtrim të situatës makroekonomike të viteve të fundit. Rëndom dhe shpeshherë dhe për qytetarët, fjala situatë makroekonomike duket si virtualitet, por dua t’i kujtoj qytetarët se situata makroekonomike është një kërcënim atje tej, larg syve të kujtdo nga ne, dhe duket si përrallë, ndërkohë që kur ndodh nuk është më një përrallë por është një e keqe, një kolerë që cënon çdo qënie të gjallë të ekonomisë dhe mbi të gjitha xhepin e qytetarit.

Është shumë e rëndësishme t’ju kujtojmë se çfarë ndodhi në ’96-ën. Ishte makroekonomia ajo që solli atë zinxhir të këqijash. Viti 2012, që është kulmi i varfërisë në Shqipëri, ishte sërish keqmenaxhimi dhe në thelb të keqmenaxhimit ishte makroekonomia. Edhe përtej kufijve, tek fqinjët tanë në Greqi, ishte sërish keqmenaxhimi i finacave publike dhe makroenomia që iu zbrazi xhepin qytetarëve.

Jo pa qëllim jua solla si shembull, për të ndarë me ju që shëndetshmëria e financave publike dhe shëndetshmëria makro është në themel të të gjitha planeve. Është njëlloj që të bëhesh gati për një maratonë, por të mos kesh muskujt e zemrën në rregull. Që të bëhesh gati për një maratonë, atë maratonë që kemi nisur së bashku, dhe maratonë i referohem të gjithë reformave, të mos kesh zemrën dhe muskujt gati, të mos jesh shëndetshmërisht i fortë në makroekonomi; Nuk i bën dot sepse në finale, nga ai virtualiteti i makroekonomisë që përmendim këtu deri tek xhepi i qytetarëve, ka një përpjekje shumë të madhe. E nëse ajo përpjekje është jo në drejtimin e duhur apo e gabuar, shkon drejtpërsëdrejti goditja tek xhepi i qytetarëve dhe tek ekonomia e tyre. E nëse bëhet mirë, atëherë modestisht, patjetër, fillojmë e shohim përditë përmirësime.

Sigurisht që debati sa afër janë përmirësimet me pritshmërinë do të jetë një debat i shëndetshëm në vazhdimësi sepse kjo mazhorancë, në finale, e ka vëmendjen tek qytetari, tek mirëqenia e qytetarit, tek hallet e përditshme të qytetarit, tek zëri i përditshëm i qytetarit, i cili natyrshëm kur diskutohet për ekonominë, nuk duhet të jetë asnjëherë i kënaqur pavarësisht nga sa përmirësohet ekonomia. Përmirësimi i ekonomisë është në raport me të tashmen, pritshmëria është detyrim për ata që bëjnë politikat, për të pasur vëmendjen për të ardhmen e ekonomisë së qytetarëve.

Viti 2018 ka vijuar të konsolidojë trendin përshpejtues të ekonomisë shqiptare që ka filluar tashmë që prej vitit 2014. Debati “a është rritur ekonomia, sa është rritur ekonomia”, diku është interesant, diku legjitim, diku bëhet dhe qesharak. E mbani mend 2012 – 2013? Statistikisht 0.5-0.8 % rritje ekonomike. Tani diskutohet që 4.5 % është pak.

Po patjetër që është pak 4.5%.  4.5% është larg pritshmërisë së qytetarëve, por sigurisht që e ka lënë mbrapa 0.5% e 0.8% qesharak, ku qytetarët humbisnin shpresën për të ardhmen dhe paratë e xhepit dhe të familjes. U ripërsërit i njëjti skenar, me figura të njëjta por me trajektore të ndryshme, i skemave piramidale të ’96 dhe ’97. Po, 4.5% të dashur qytetarë dhe qytetare është pak në krahasim me atë që ne presim, në krahasim me atë që ne po punojmë.

Patjetër që diskutohet akademikisht që kur rritja ekonomike kalon 3% fillojnë qytetarët ta ndjejnë. Patjetër që zhvillimi nuk është i njëtrajtshëm. Patjetër që pabarazia ka nevojë për instrumenta akoma më shumë për ta reduktuar në të gjithë Shqipërinë. Por do të duhet të biem dakord për një gjë, kemi lënë mbrapa skenarin grek e nuk duhet ta harrojmë asnjëherë këtë, sepse na u deshën 15 vjet e kusur për të arnuar, për të qepur e për të zhdukur kolerën e ’96-97-ës. Prandaj, kur flasim për makroekonominë shumëkush mund të mos na kuptojë, por në modesti do të desha që të mos harronim kurrë që plagët duan kohë të shërohen dhe sot ne ato plagë të hapura i kemi mbyllur, i kemi shëruar dhe sot jemi në garë me pritshmërinë e qytetarëve.

Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 4.45% në terma realë në tremujorin e parë dhe besojmë, në të dhënat indirekte të Bankës së Shqipërisë dhe të INSTAT-it, që edhe tremujori i dytë do të ruajë të njëjtin temp dhe besojmë se viti do të mbyllet me mbi 4%, për të na dhënë një mundësi që të ecim drejt atij angazhimi që ne kemi marrë në programin e qeverisë për të arritur në mesatare 4.5 e 5%.

Të gjithë komponentët e shpenzimeve të cilët gjeneruan pjesën më të madhe të rritjes ekonomike në tremujorin e parë 2018, ishin investimet dhe konsumi.

Të dashur qytetarë, çfarëdo lloj debati intiutiv e emocional që mund të bëhet këtu, shifrat janë të rëndësishme dhe konsumi ka të pakën 6 ose 7 tremujorë që vetëm rritet. Në të njëjtën kohë dhe investimet vetëm rriten. Në terma realë investimet janë rritur në 5.4 – 5.5 %. E gjitha ajo legjenda urbane që çfarë po ndodh me TAP-in e çfarë po ndodh me Devollin, po jua them: ne kemi nevojë për shumë më shumë investime. Ne kemi nevojë të jemi një ekonomi akoma më e hapur. Ne kemi nevojë të jemi konsumatorë dhe ekonomi me më shumë pritshmëri ndaj vetes sonë për të pranuar pa asnjë paragjykim çdo lloj investimi të huaj në ekonomi. Vetëm kështu do të kemi mundësi të ruajmë ritmin, por legjendës urbane çfarë po ndodh me investimet e huaj po jua them sot me statistika dhe me të dhëna operative të Bankës së Shqipërisë.

Tremujori i parë kapi nivelin 284 milionë euro, rekord. Tremujori i dytë, në të dhënat operative, shkon 210-220 milionë euro investime të huaja. Pra, ai debati politik ku janë investimet e huaja, këto i solli Saliu, ato i solli Nano, këto i solli Rama, janë qesharake. Ekonomia është një. Sërish këtë vit i ka të gjitha gjasat që të vendosë rekord, në 6 muaj 500 milionë euro.

500 milionë euro investime të huaja janë prapë pak për pritshmërinë, por janë më shumë sesa viti i kaluar dhe kanë mundësi që të vendosin sërish një numër rekord të investimeve të huaja në 1 miliard euro këtë vit.

Inat me shifrat do kemi? Se shifrat e opozitës duhet të jenë të zeza dhe shifrat tona duhet të jenë rozë?! Shifrat nuk janë as të opozitës, as të mazhorancës. Shifrat janë të ekonomisë dhe përkthehen në mirëqenie për qytetarët. Dhe akoma nuk kam dëgjuar një debat ndër vite, megjithë mungesën që ka opozita, një debat të qenësishëm për të gjitha këto çështje që shqetësojnë qytetarët.

E gjithë vëmendja e opozitës është si do të marrin këta pushtetin mbi hi, mbi shkrumb e mbi flake. “Krimi-droga, krimi-droga”. Nuk diskuton njeri fare çfarë ndodh me pagat, çfarë ndodh me vendet e punës, çfarë ndodh me zinxhirin e vlerës në ekonomi, çfarë ndodh me investimet e huaja. Këto i solli Saliu thonë! Shqipëria është ndarë në fragmente, kështu e ndajnë këta! Ndërkohë që ekonomia është qytetarëve, Shqipëria është e qytetarëve dhe shifrat nuk janë shifra, përkthehen në vende pune, përkthen në zhvillim ekonomik, përkthehen në paga, përkthehen në të ardhura, përthehen në imazh, në eksporte, në importe. Dhe, asnjëherë nuk e kanë bërë këtë diskutim.

E nëqoftëse biem dakord që patjetër që për shkak të situatës qoftë në rajon, qoftë në Evropë, investimet e huaja mund të kishin një risk të binin, e nuk po bien, është e rastësishme? Çfarë kontributi kemi në imazhin e Shqipërisë, qoftë djathtas, qoftë majtas? Ky është diskutimi. Diskutimi pastaj, këtë e solli Saliu, këtë e solli Rama, kthehet në diskutim qesharak. Nuk i duhet qytetarit fare kjo pjesë. Kjo pjesë nuk i intereson kush e solli. Qytetari do ta shikojë të përkthyer në vende pune e në vende pune të paguara mirë, e kjo është sfida jonë sot, të kemi vende pune të paguara mirë, e do i referohem vendeve të punës në një moment.

Ndërkohë që, sektorët realë përfituan mirë.

Industria. A e dini që më në fund kemi bërë një kthesë në industrinë e përpunimit të mineraleve? Të gjithë qytetarët dhe ju të nderuar kolegë, e dini që industria e përpunimit minerar u shkatërrua. I gjithë minerali eksportohej. Sot me politikë të kujdesshme fiskale, mos harroni që rentën e përpunimit e kemi bërë gjysmën e rentës për eksportin. Për ta thënë për qytetarët pak më thjeshtë, ai që eksporton mineral paguan 6% rentë; ai që e çon mineralin, kromin nëse doni, tek përpunimi vendas, në industri moderne, me kreditim e me kapital vendas, e me kreditim të huaj po deshët, ka bërë të mundur që më në fund të rikthejmë zixhirin e përpunimit në industrinë përpunuese të mineraleve. Epo “ku janë investimet, ku janë investimet”? Këto janë njerëzit, këto janë frymët e gjalla, këto janë mendjet, këto janë investimet që kanë realizuar këtë rritje të ekonomisë.

Industria është 20% rritje. E rastësishme është? Jo, nuk është e rastësishme. Është punë zinxhir ndër vite. E dini se sa kanë ata investitorët në Elbasan që punojnë për atë fabrikë përpunimi? 5 vite. Para tre vitesh i kam takuar në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Njerëz të zakonshëm, shqiptarë të zakonshëm pune që si milingona, aty në korridoret e asaj banke punonin për t’u kredituar. Ja ku janë sot, eksportues të një malli të përpunuar e jo të një minerali bruto. Vlera e shtuar, për dijeninë tuaj e për informacion për qytetarët, e një minerali bruto dhe e një minerali të përpunuar ka raste që është dhe në raportin 1 me 6 herë në favor të të përpunuarit. Kjo është ekonomia. Asgjë nuk bëhet brenda një dite. Asnjë nga ne nuk ka arritur të bëjë çudira brenda një dite, kudo, në punë apo në shtëpi.

U rrit tregtia, 3.73 %. U rrit bujqësia me 2%. Ka rritur prodhimin. Ka rritur eksportin. E dini të dashur fermerë, që para 5 vitesh përfitonit rimbursim 800 mijë dollar. Ta themi të vërtetën sepse është shumë e rëndësishme, jo për debat politik, por për të mos bërë të njëjtat gabime dhe për t’u fokusuar tek qytetari. Ai fermeri aty është qytetar që kontribuon përditë me punën e tij në fushë, në fermë apo në sera për zhvillimin ekonomik të familjes së tij patjetër, por të sektorit dhe të ekonomisë. Para 5 viteve rimbursimi ka qenë 800 mijë dollar. E dini se sa është sot? Është 22 milionë dollar. Është i rastësishëm? Jo, nuk është i rastësishëm. E mbani mend Kryeministrin në ditën 1 që ka ardhur, ka thënë 6% i rimbursimit në bujqësi është një gënjeshtër, nuk kanë marr fermerët asnjë cent. Ne do ta ndërrojmë, megjithëse është e vështirë për buxhetin e shtetit. Do ta bëjmë TVSH-në e rimbursueshme për bujqësinë 20 %, që ata fermerë, ato ferma të përfitojnë 20 përqindëshin real dhe jo një 6 % të gënjeshtërt që nuk u materializua kurrë.

Se kur bëjnë debat politik këtu e shajmë njëri-tejtrin, se është bërë si shaka e zezë, gjithë kohës këtu midis nesh, ju s’keni atë, ju s’keni këtë. Jo, ne kemi përgjegjshmëri, e kemi thënë. Dhe ky korridori këtu është rastësisht ndarës midis papërgjegjshmërisë e gënjeshtrës dhe përgjegjshmërisë. Bëjmë gabime ne? Patjetër që bëjmë gabime në punën tone, nuk diskutohet, por e kemi përgjegjshmërinë, i korrigjojmë dhe diferenca më e madhe midis kësaj ane dhe asaj ane është vëmendja ndaj qytetarit.

Ata fermerët që sot kanë marrë 22 milion dollarë në krahasim me 800 mijë dollarë dikur, janë qytetarët e këtij vendi që presin që qeveria që kanë votuar, që nuk është dot kurrë perfekte, se në definicion qeveria nuk mund të jetë kurrë perfekte, është këtu për t`u kritikuar, është këtu edhe për t`u sharë, por diferenca e një qeverie është përgjegjshmëria dhe vëmendja ndaj qytetarit. 800 mijë dollarë me 22 milion dollarë, diferencën nuk kam nevojë ta bëj! A janë mjaft? Jo, nuk janë mjaft! Prandaj kemi bërë fondin e garancisë. Po nuk janë mjaft, prandaj e bëmë nga 10 milionë dikur mbështetjen për fermerët nëpërmjet programit të mbështetjes për fermerët, shkoi 26 milionë dollarë, 2 herë e gjysëm më shumë. Patjetër që dikush këtu, nga e majta, mazhoranca dhe kolegët e mi, do të thoni që nuk janë shumë. Po, nuk janë shumë, por është proces.

Kemi IPARD-in dhe le të bëhemi të zgjuar, të mençur, punëtorë, të strukturuar, të ndihmojmë fermerët me instrumentet tona shtetërorë, por edhe me të gjithë gamën e instrumenteve që lejon tregu, që të përfitojmë nga IPARD-i, i cili është 93 milionë euro me gjithë kontributin e buxhetit të shtetit. Diferencë e madhe e cila në fakt nuk na lejon të mburremi, sepse do të fokusohemi tek output-i, tek produkti. Produkti është se sa të mundur e kemi bërë këtë shumë të konsumohet nga bujqësia, nga sektori dhe të përfitojnë sa më shumë fermerë, sepse akoma jemi larg.

E rëndësishme është që në ekonomi edhe perceptimi i aktorëve ekonomikë është përmirësuar. Mund të them që është mbi mesataren 10 vjeçare i përmirësuar. Shumë e rëndësishme është sesi e perceptojnë konsumatorët se vazhdojnë të konsumojnë dhe sipërmarrjet që vazhdojnë të investojnë, është shumë e rëndësishme si e percepton të ardhmen e ekonomisë shqiptare. Bëmë një diskutim këtu për Eurobarometi-n, do të isha shumë i prirur ta bëja debat, qoftë me mazhorancën, qoftë me opozitën, të dhënat e Barometrit, përmirësimet, perceptimi për ekonominë dhe duke thënë që po, konsumatorët, qytetarët dhe sipërmarrja ka një përceptim dhe pritshmëri pozitive për ekonominë.

Hajde ta “çimentojmë” së bashku këtë perceptim për ta kthyer në materializim pozitiv për të ardhmen dhe këtu do të ishte debati i shëndetshëm. Këtu, asnjëri nga ne nuk do ishte as i turpëruar, as i fyer, të dilte të pranonte se çfarë është bërë mirë dhe çfarë jo. Po s’kemi arritur kurrë ta bëjmë dot me opozitën këtë debat në favor të qytetarëve. Nuk e kemi bërë dot! Por ne si qeveri dhe si mazhorancë vërtet nuk arrijmë të bëjmë me të munguarit një debat, por përgjegjshmëria dhe vëmendja ndaj qytetarëve nuk cënohet asnjë sekond.

Përsa i përket ecurisë fiskale unë do them vetëm tre elementë se besoj është shumë e rëndësishme që ta ndajmë më qytetarët atë që po ndodh me këtë rishikim buxheti.

Pikë së pari, të nderuar qytetarë dhe kolegë deputetë, nuk kemi ndryshuar të ardhurat. Të ardhurat nuk janë ulur. Të ardhurat janë ato që kemi parashikuar në dhjetor, po këtu, në këtë parlamet. E njëjta gjë ndodh edhe për shpenzimet! Jo, nuk i kemi ndryshuar! Kemi rialokuar për të furnizuar projekte që kanë ecur pak më shpejt me ato projekte që kanë ecur pak më ngadalë. Po çfarë është e rëndësishme në këtë buxhet? Në këtë buxhet ne kemi rikonfirmuar Paketën e Solidaritetit për pensionistët dhe familjet me ndihmë ekonomike. Kemi thënë që në çdo vit ne do të kemi paketë solidariteti dhe do ta rrisim vit pas viti për ta çuar në atë nivel që kemi premtuar në programin tonë qeverisës, në 7 mijë lekë.

Më lejoni që për shkak të debatit politik, të bëj edhe një seri shumë të shkurtër shifrash. Sivjet, në fund të këtij viti, pensionistët do të marrin 33 milionë dollarë nga buxheti i shtetit, Paketë Solidariteti, 50 mijë lekë të vjetra. Dikush mund të thotë, a mjafton kjo? Jo, nuk mjafton kjo! Dikush tjetër mund të thotë se kjo është vetëm thela e mishit të gjelit për Vitin e Ri. Edhe kështu mund të ishte, por nuk është kështu! Nuk është kështu për dy arsye shumë të rëndësishme.  E para, është gjest që kjo qeveri nuk heq dorë nga Paketa e Solidaritetit dhe bën përpjekje sado të vështira, diku me shumë sukses, diku me sukses, diku ndoshta dhe pa sukses, të mos lërë asnjë qytetar mbrapa pa vëmendje.

Ndonjëherë nuk është e duhur të bësh krahasime se sa kemi mbështetur shtresat në nevojë, por është e rëndësishme për debatin politik për t`ju përgjigjur gënjeshtrave të vazhdueshme. Në 8 vite qeverisje të PD-së, verifikojeni dhe mbaj përgjegjësi zyrtare dhe morale për këtë që po them, janë dhënë vetëm 4 herë bonuse në fund të vitit dhe po ta shikoni, këto bonuse janë dhënë vetëm gjatë viteve elektorale dhe shuma në këto 8 vite është rreth 10,4 miliardë lekë.

Mandati i parë i qeverisë Rama, ka dhënë që nga 2014-ta, me gjithë borxhet që na lanë, kusuret e plagët që na lanë, çdo vit, 2014, 2015, 2016, 2017 dhe sërish në 2018 dhe në 4 vite kthejmë mbrapsht si Paketë Solidariteti tek qytetarët 11.7 miliardë, që do të thotë se kjo qeveri, kjo mazhorancë, në 4 vite ka dhënë Paketë Solidariteti më shumë dhe pa asnjë influecë elektorale se ç`kanë dhënë ata në 8 vite.

Sigurisht që nuk është mjaft dhe është larg pritshmërisë, por edhe një llogari tjetër do t’jua bëj për pensionet për të prekur në realitet atë nga vijmë dhe atë ku jemi. Në maj të këtij viti ne kaluam indeksimin e pensioneve me një shumë 16 milionë dollarë dhe 33 milionë dollarë do të jepen bonus në fund të vitit, shkon gati 50 milionë dollarë që ne i kemi shtuar fondit të pensioneve dhe xhepave të pensionistëve. Nëse do bëja një llogari ku fondi për pensionet, pa përfitimet e statuseve të ndryshme, është 1 miliardë, çdo vit me Paketën e Solidaritetit që bën Kryeministri dhe Qeveria, shton pensionin me 5%. Nuk është shumë! Pensionistët e këtij vendi kanë nevojë për shumë më shumë vëmendje. Por, një gjë me modesti do ta them. Përgjegjshmëria e kësaj qeverie dhe kësaj mazhorance bëri të mundur që këtu në këtë vend të mos të ndodhte ajo që ishte parapërgatitur dhe që ndodhi rëndom në shumë vende, në Greqi, në Serbi etj. U ulën pensionet në shumë vende, këtu jo! Këtu nuk u ulën pensionet, këtu u ul borxhi dhe u rrit përgjegjshmëria ndaj moshës së tretë, ashtu siç u rrit përgjegjshmëria ndaj të gjithë qytetarëve në nevojë.

Ndërkohë, do vazhdojmë sërish të kemi balancë primare pozitive që do të thotë, për të gjithë qytetarët, që kjo qeveri dhe kjo mazhorancë nuk krijon borxh të ri. Është e rëndësishme ta themi, e ka përgjegjshmërinë e plotë që mos të bëjmë asnjë cent borxh të ri për qytetarët dhe për ata që do jetojnë nesër në këtë vend, që është sot 10 vjeç, 15 vjeç, 20 vjeç, 25 vjeç, dhe të marrë frenat e ndërtimit të këtij vendi për 5 vite, 10 vite apo 15 vite.

Kjo qeveri nuk krijon asnjë lek borxh të ri! Ta fiksojmë në mendje. Borxhi sivjet shkon 67.5% në zbritje dhe me operacionet e veta kjo qeveri ka përgjegjshmërinë që mos ta rrisë asnjë cent borxhin. Përkundrazi, po del në treg me shumë përgjegjshmëri dhe me shumë kujdes për të financuar operacionet e veta me kosto shumë të ulët dhe po shërben për borxhin që kemi trashëguar nga këta dhe ata para këtyre. Këtë detyrë kemi! Kjo nuk është mburrje, kjo është përgjegjshmëri dhe vëmendje ndaj qytetarëve.

Ndërkohë, dua të përmend tregun e punës. Diskutimi për papunësinë, punësimin, rritjen e vendeve të punës është diskutimi më i rëndësishëm që mund të bëjë një klasë politike brenda dhe jashtë parlametit, kudo që t’i jepet mundësia. Unë do të them disa statistika por natyrisht do t’i vesh edhe me komentet e duhura, diku emocionale, diku të thata, por shumë të vërteta, në lidhje me tregun e punës. Të gjitha janë raporte dhe unë dua t’i citoj. Thonë që tregu i punës në Shqipëri është përmirësuar dhe për këtë shkas paga reale është rritur, debatin se sa, do ta kap më vonë.

Dua t’i sjell qytetarët në një moment shumë të rëndësishëm të vërtete. Imagjinoni që në 30 vite janë krijuar rreth 700 mijë vende pune në Republikën e Shqipërisë. Në 30 vite, të dashur qytetarë. Vetëm në 4 vitet e fundit janë krijuar 240-250 mijë vende pune. Pra, rreth 35 % e vendeve të krijuara në 30 vite janë krijuar vetëm në këto 4 vite. Debati është a ka papunësi? Po, ka papunësi edhe është sfidë. Sfidë tjetër është edhe rritja e pagës reale për të kaluar në një cilësi tjetër të vendit të punës. Kjo është sfida dhe hajdeni ta diskutojmë. Kur themi që janë krijuar 240 mijë vende pune nuk e themi si mburrje sepse nuk do ishte me vend por iu themi atyre të papunëve, 76 mijë që janë të regjistruar dhe po kaq shumë që janë të parregjistruar, e kemi së bashku një shpresë po të vazhdojmë me reformat që siç krijuam vende pune për këta të 240 mijë, ashtu do krijojmë vende pune edhe për këta 150 apo 160 mijë, dhe këtu kemi shumë sfida ku njëra është sfida demografike.

Kryeministri ka marrë iniciativën për të materializuar një politikë strehimi në favor të përmirësimit të strehimit për çiftet e reja, me funksion dhe me qëllim rritjen demografike, për t’i bërë thirrje çifteve të reja apo shqiptarëve që, duke i ndihmuar aq sa mundemi sepse ky është vendi, kjo është pasuria e vendit, kjo është ekonomia e vendit, kjo është financa e vendit, të kthejmë mbrapsht atë trend negativ që po sheh për herë të parë vendi, ndër shekuj nëse doni, uljen demografike. Ai është risku më i madh i ekonomisë, i vendit, i integritetit kombëtar apo çfarë të doni.

Rritja demografike nuk është vetëm sfidë e një qeverie, jo vetëm e një trupe politike, por është për të gjithë, djathtas, majtas apo edhe jashtë këtij parlamenti. Sfida, siç e thashë, është rritja e cilësisë së vendit të punës dhe këtu po ndërmarrim një revolucion në mënyrën e kualifikimit. Shumë shpejt do t`i prezantojmë qytetarëve një paketë për kualifikimin total të të papunëve të regjistruar dhe të anëtarëve brenda forcës së punës, të familjeve që marrin ndihmë ekonomike. Do të jetë një revolucion në reflektim dhe të asaj që ka ndodhur në Bashkimin Europian vite e vite më parë, pas Letrës së Bardhë të ’89-90, për rikualifikim total të forcës së punës që ndodhej në Bashkimin Europian, atë do të mundohemi të kopjojmë mirë e me pak inovacion, me ato fonde që kemi. Jam i bindur që po ta bëjmë mirë, me shumë dashuri e më shumë modesti në funksion e në reflektim të vëmendjes ndaj kësaj shtrese që është e papunë, besoj se do të kemi rezultate shumë pozitive.

Dua gjithashtu të jap disa përgjigje për disa akuza. Po marr akuzën për shpenzimet e luksit, të dashur qytetarë, se futemi në bolorinë e diskutimeve, nga njëra dritare në dritaren tjetër, nga njëri podium në podiumin tjetër, këta kanë shpenzuar kaq, këta kanë shpenzuar aq. Unë marr përgjegjësi zyrtare për këtë të vërtetë këtu, për t’iu përgjigjur gënjeshtrës, të qëllimshme kuptohet, në funksion të hirit dhe të zjarrit të kësaj mazhorance. Shpenzimet për periudhën 7 mujore janar-korrik 2018, shpenzimet për mobilje zyrash për vitin 2018 janë planifikuar gjithsej 342 milionë lekë, ose vetëm 0.6 % e totalit vjetor të investimeve të brendshme. Për periudhën 7-mujore ato janë realizuar në nivelin faktit vetëm 76 milionë. Ku janë 110 milionë dollar? Këto janë shifra të thesarit të shtetit. Janë të verifikueshme nga kushdo. Ja pra, një gënjeshtër e qëllimshme. Nga padituria? Jo, nuk është nga padituria. Është e qëllimshme. Është varianti i hedhjes baltë mbi çdo gjë, baltë-baltë se ndoshta i mbetet ngjyra përjetë.

Ndërkohë, shpenzime për rikonstruksion e ndërtim zyrash për vitin 2018 janë planifikuar 647 milionë lekë ose vetëm 1.17 % e totalit vjetor të investimeve të brendshme prej 55.17 miliardë. Janë realizuar vetëm 545 milionë. Pra, ku janë 110 milionë dollar? Ku janë? Pse gënjejnë? E dini se çfarë kanë quajtur makinë luksi? Këta kanë quajtur makinë luksi flotën që ka blerë Agjencia Kombëtare e Ushqimit për të kryer detyrat funksionale kundër informalitetit në sigurinë ushqimore. Po të ishin këtu duhet të dilnin t’i thonin qytetarëve, “po, qytetarë, ne nuk duam t’ia dimë për sigurinë tuaj ushqimore, ne nuk duam që këta të kenë mjete, instrumente në funksion të sigurisë ushqimore dhe ne çfarëdo që të bëjë AKU-ja e quajmë shpenzim luksi”. A mund të quhet një makinë që bën testime laboratorike, që merr inspektorët e AKU i çon në çdo cep të këtij vendi, shpenzim luksi? Jo. Është shpenzim në funksion të sigurisë ushqimore. Nëse ju e quani sigurinë ushqimore luks, atëherë e dimë që kemi një diferencë shumë të madhe midis asaj që ju mendoni për vëmendjen ndaj qytetarëve dhe asaj që ne mendojmë për vëmendjen ndaj qytetarëve.

Pjesa tjetër e arsimit, besoj që ministrja do ta zgjerojë vetë, ofrimi i teksteve falas. Janë mbi 190 mijë nxënës, fëmijë që përfitojnë libra falas. Po pse nuk bëtë ju këtë? Apo do të harxhonit tek Rruga e Kombit 1.5 miliardë, 7-fishi çmimi i betonit e 8-fishi çmimi i hekurit? Këtë do të bënit? Janë libra falas. A e shpëtuan librat falas një fëmijë e një familje? Po një lek dhe ia kursyem, patjetër. Por, mbi të gjitha tregojnë se kjo mazhorancë është e vëmendshme përditë ndaj qytetarëve, ndaj atij fëmijës që shkon në shkollë, ndaj atij prindi që harxhon për librat dhe sigurisht që krijon dhe një kulturë të re kursimi. Pse? Sepse ata fëmijët do të mësohen që ta ruajnë atë librin. Pra, milionë dollarë nga buxheti injektojnë një kulturë të re, ndihmojnë familjen, ndihmojnë fëmijët, tregojnë që kjo mazhoranca nuk lë asnjë shtresë prapa pa vëmendje.

I harruam 600 mijë qytetarët e pasiguruar. 600 mijë qytetarë të pasiguruar i kishin lënë në mëshirë të fatit. Kur bëjmë debatin e bolorisë këtu me baltë, me ngjyrë, i harrojmë ata 600 mijë që ajo qeveria që ishte këtu e që sot është në opozitë, e është e munguar dhe në vëmendje ndaj qytetarit, i la në rrugë.

Ne iniciuam një politikë që sot po jep frytet e veta, modestisht, por të rëndësishme. Ata 600 mijë qytetarë, megjithëse të pasiguruar, përfitojnë rimbursim ilaçesh dhe shërbim falas.

Paskemi hequr dorë ne nga shëndetësia falas? Përkundrazi, gjithë politika e shëndetësisë falas, me gjithë vështirësitë që kemi aty, me gjithë përmirësimet e domosdoshme që duhet të bëjmë aty, po jep frytet e veta. A e dini sesa është rritur fondi i rimbursimeve në funksion të kësaj kategorie që është e pasiguruar? 20 milionë dollarë. Pra, të dashur qytetarë, të dashur kolegë, 20 milionë dollarë deri dje paguheshin nga këta qytetarë, sot paguhen nga buxheti i shtetit. E ndërkohë, po ulim dhe borxhin.

Më tej, çfarë ka bërë qeveria e Edi Ramës me investimet. Edhe këtu fillohen dhe shahen të gjitha. Shahet Rilindja Urbane, shahet llogaria e investimeve, shahet edhe Partneriteti Publik Privat.

Së bashku me Partneritetin Publik Privat, qeveria “Rama 2” do të investojë rekord në 30 vite, 3.9 miliardë dollarë, rekord. Pra, në katër vitet vendos rekord për 30 vitet, 3.9 miliardë dollarë investime. Do të ndaloj një sekond tek Partneriteti Publik Privat. Çfarë është Partneriteti Publik Privat që këta e demonizojnë? Të dashur qytetarë, Partneriteti Publik Privat është një përpjekje e përbashkët e privatit me shtetin, ku riskun kryesor e merr në përgjithësi privati, por që thelbi është që të bëjmë të mundur të sjellim një shërbim të munguar apo të përkeqësuar në cilësi e në sasi ndaj qytetarëve, ta sjellim sot dhe të përmirësuar. Ju marr disa shembuj: PPP, konçesioni që e demonizoni dializën. Çfarë kanë me njerëzit që vuajnë, që kanë nevojë për dializë? Duan t’i lënë prap në skajet e atdheut që marrin rrugën në katër të mëngjesit, që të arrijnë në Spitalin e Tiranës në pesë të mëngjesit edhe të bëjnë dializë? E të vuajnë atje dhe në fund të dializës, të mendojnë sesa e vështirë do jetë java që duhet të kalojë për të marrë dializën tjetër? Këtë thonë këta? Kjo është vëmendja?

Po çfarë bëmë të mundur me dializën? Të gjithë mund të fokusohen tek proçesi, e demonizojnë, e bëjnë konçesionin si një kafshë e egër, e shëmtuar, mitike që ha para dhe ha njerëz. Jo, jo, ta shikojmë në sy të vërtetën. Patjetër që kemi nevojë të përmirësojmë, qoftë komunikimin, qoftë transparencën, qoftë procedurat, por në finale, e rëndësishme është çfarë i afrojmë qytetarit. Tani hajde t’i pyesim ata që vuajnë fatkeqësisht në fat të tyre, vuajnë dhe kanë nevojë për dializë, që është e mire apo është e keqe? Është e mirë, i afron shërbim aty ku ata vuajnë fatkeqësisht dhe pa para, falas.

Po Check Up-i? Pse nuk ka pyetur ndonjëherë opozita sa vetë, sa qytetarë shqiptarë janë shpëtuar nga Check Up-i? Chech Up-i ka shpëtuar jetë qytetarësh. Doni t’i vini ju çmim jetës së qytetarëve? Jo, për ne nuk ka çmim. Jeta e qytetarëve nuk ka çmim dhe për këtë arsye, falas do të vazhdojmë ta bëjmë. Patjetër që kemi nevojë të përmirësojmë, do vazhdojmë të bëjmë PPP në shërbim të qytetarëve, për shërbimin ndaj qytetarëve.

Hajde diskutojmë PPP, pra konçesionin e Rrugës së Dibrës. Çfarë jeni duke thënë ju si opozitë? Ju jeni duke thënë që 243 milionë euro nuk ia vlejnë të shpenzohen për popullin e Dibrës. Çfarë, i vini çmim popullit të Dibrës? Populli i Dibrës ka një jetë i ndarë nga Shqipëria për shkak të terrenit dhe rrugës, dhe 243 milionë euro janë shumë pak. Kujt i thoni ju që aty janë 80 mijë banorë? Aty janë 80 mijë herë 80 mijë shpirta dhe sy shqiptarësh që kanë nevojë të vijnë në Tiranë, ashtu siç vjen një nga Durrësi, ashtu siç vjen një nga Shkodra, ashtu siç vjen një nga Fieri, ashtu siç vjen një nga Korça. E doni jashtë Dibrën ju, jashtë Shqipërisë? Po për çfarë e doni jashtë Dibrën, për ato tre vota që merrni ju atje? Po sikur t’ju falin ato dhe s’ju mjaftojnë, mjafton që ata qytetarë të kënaqen dhe jo thjesht me qeverinë Rama, por me vëmendjen e kësaj qeverie dhe kësaj mazhorance ndaj tyre.

Të dashur qytetarë, diskutimi për PPP-të ky është. Hajde të diskutojmë si të përmirësojmë standardet, patjetër. Hajde të diskutojmë transparencën, patjetër. Nuk diskutohet që çdo ditë ka nevojë për përmirësim.

Imagjinoni tani t’i thoni popullit të Dibrës: “popull i Dibrës ne sot jo vetëm që nuk kemi para, por ne nuk bëjmë asnjë përpjekje, asnjë përpjekje për instrumenta inovativë që ju të keni një rrugë. Ju hajdeni këtu pas 25 vitësh atëhere do ta ndërtojmë ne rrugën”. Çfarë? Po për çfarë e ka votuar këtë qeveri, këtë mazhorancë dhe nëse doni, edhe këtë opozitë? Për çfarë e ka votuar? Që t’i thotë hajde pas 25 vitesh? E dinë vetë ata. Hallin e tyre prej 25 vitesh e dinë vetë ata, s’ka nevojë t’ia tregojë askush. Ata duan zgjidhje dhe kjo është zgjidhja. Konçesioni i Rrugës së Arbrit është zgjidhje. Këto janë konçesionet.

Po konçesionet që zënë e flasin inceneratorët dhe Arben Ahmetaj. Plehrat e Tiranës i keni pare? Janë projekte publike, pronë publike, i ngelen publikut, i ngelen qeverisë, i ngelen bashkisë. Plehrat e Fierit, plehrat e Elbasanit në turinj do t’ia lëmë neve shqiptarëve, në kurriz do t’ia lëmë neve qytetarëve? Po është problem për t’u zgjidhur, është problem për t’u zgjidhur. Si, duhet të mbylim sytë përpara problemit? Shumë probleme ka, e sigurisht një qeveri lëviz brenda hapësirës së vet dhe bën edhe inovacion. Inovacion patjetër, në kuadrin e gjithë menaxhimit të risqeve dhe konçesionet janë këto që thashë. Janë instrumenta inovative, patjetër hajde punojmë bashkë t’i rregullojmë, patjetër hajde t’i përmirësojmë proçedurat. Proçedurat janë në reflektim të gjithë proçedurave ndërkombëtare, por kush ka ide më të mira, hajde t’i ndajmë.

Por shërbimet dhe investimet ne do t’i bëjmë, megjithëse nuk i kemi paratë, do t’i gjejmë dhe jo duke shpikur, por duke kopjuar mirë. Doni të na ndihmoni të kopjojmë mirë? Hajdeni, do përfitojnë qytetarët e Dibrës, ata që janë të sëmurë me dializë, ata që kanë nevojë të venë të kontrollohen tek mjeku falas, ata që kanë nevojë për librat falas, ata që kanë nevojë t’u hiqen plehrat përpara turinjve, ata që kanë nevojë për rrugën Thumanë-Kashar etj, etj.

E fundit fare, dua të ndaj me ju një statistikë që nuk e kemi përmendur shpesh dhe besoj këtu do duhet të kërkojmë falje. Rilindja Urbane, ajo që këta e quajnë përmirësimin e sheshit, përmirësimin e rrugës, përmirësimin e ujit, përmirësimin e sokakëve të Gjirokastrës, përmirësimin e sheshit të Kukësit, të Konispolit, këta e quajnë bojë, se këta nuk duan t’ia dijnë për qytetarët. Këta e quajnë bojë, ajo është cilësi jete. Po tani për çfarë është votuar kjo mazhorancë? Gurë, gurë bëhet mur. S’po them që po bëjmë çudira, se jemi shumë larg asaj që duam, duhet, e kemi ndërmend ta bëjmë.

Janë investuar 510 milionë dollarë në katër vite për Rilindjen Urbane. Ka ndryshuar Belshi, ka ndryshuar Durrësi, ka ndryshuar Kukësi, ka ndryshuar Tropoja, ka ndryshuar Peshkopia, ka ndryshuar Korça, ka ndryshuar Fieri, Gjirokastra, Saranda, Vlora, kanë ndryshuar fytyrën. Njerëzit venë më krenarë, më të rehatshëm në qendër të qytetit që ishte një llum dhe është i pastër, me gurë të pastër, me infrastrukturë modeste, por të strukturuar dhe mendon ndryshe për vendin e vet, për qytetin e vet, për fshatin e vet, për rrugën e vet. 510 milionë dollarë. Ku shkuan investimet? Ja ku shkuan investimet, këto janë investimet dhe janë 642 projekte.

Tani, hajde dilni ju që mungoni dhe thoni “642 komunitetet që kanë përfituar nga përmirësimi sado i vogël i cilësisë së jetës së tyre për ne nuk numërohen”. Për ju nuk numërohen patjetër, sepse e doni 7-fish të aplikoni çmimin e rrugës, siç e keni bërë. Për këtë mazhorancë, për këtë qeveri, për këtë Kryeministër, 642 komunitete janë shqiptarë që meritojnë nevojë për përmirësim të jetës së tyre të përditshme.

Këto janë investimet. Shkoni nëpër Shqipëri, punë kemi sa të duash për të bërë, por kanë ndryshuar qytetet. I pyet të majtë e të djathtë “si të duket Lushnja”? Shumë më mirë se ç’ka qenë. Duhet dhe kanali, duhet edhe kjo rruga, duhet dhe ky ndriçimi. Po, por të paktën tani bëmë sheshin, nesër do bëjmë ndriçimin. Kjo është logjika në Shqipëri dhe kjo mazhorancë nuk vjen këtu të thotë që “që ditën që erdhëm ne e bëmë Shqipërinë rozë”. Jo. Ditën që erdhëm ne e shpëtuam Shqipërinë nga skenari grek. Rruga e rritjes së mirëqënies është e gjatë, është e mundimshme, ka nevojë për përgjegjshmëri, ka nevojë për vëmendje ndaj qytetarëve dhe të gjithë punët tona, pavarësisht se nuk janë perfekte, bëjnë një një dallim nga ajo që ka ndodhur, janë punë të përgjegjshme, të diskutuara mire, për të rritur mirëqënien e qytetarëve dhe ekonominë e vendit.

Faleminderit!