Postuar më: 20/05/2020

Dialogu Financiar dhe Ekonomik me Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, Ministrja Denaj zhvilloi takimin virtual

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë znj. Anila Denaj mori pjesë në takimin virtual mbi “Dialogun Financiar dhe Ekonomik me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë”.

Në takimin, që u zhvillua nën drejtimin e Ministrit të Financave, njëherazi edhe Zëvendëskryeministër i Kroacisë z. Zdravko Maric, vend i cili mban edhe presidencën e Këshillit të BE-së për 6-mujorin e parë të vitit 2020, morën pjesë Ministrat e Financave dhe Ekonomisë të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, si edhe përfaqësues të Presidencës së ardhme të Gjermanisë, por edhe asaj të Finlandës.

Ndikimi që po shkakton pandemia e Covid – 19 në ekonomi, si dhe masat që po marrin qeveritë ishin në qendër të diskutimeve të ministrave respektivë të vendeve të rajonit.

Gjatë fjalës së saj, znj. Denaj theksoi se masat e menjëhershme që mori qeveria shqiptare në ndihmë të qytetarëve dhe bizneseve, si dhe hapja graduale kanë qenë efikase, por tashmë po punohet edhe për një plan të detajuar për rimëkëmbjen e ekonomisë.

“Ndihma e menjëhershme e Bashkimit Evropian ishte jo vetëm shenjë solidariteti, por mbi të gjitha mbështetje reale për qytetarët shqiptare, të cilët nuk e kanë parë kurrë veten të ndarë nga Europa” tha ministrja Denaj.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë po harton një strategji afatmesme të menaxhimit të të ardhurave, përmes së cilës pritet që të ardhurat në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto të rriten me 3%, duke kaluar normën prej 30% dhe duke u afruar me normat e Serbisë dhe Maqedonisë. Kjo strategji, e shoqëruar me procesin e Fiskalizimit dhe atë të Shkëmbimit Automatik të Informacionit do të sjellin, jo vetëm më shumë siguri për investimet afatgjata publike, por edhe mundësi për zhvillimin e ekonomisë vendase.

Nga ana tjetër, në përputhje me pritshmërinë e Bashkimit Europian, qeveria shqiptare, krahas angazhimit me Programin e Rimëkëmbjes, do të vijojë reformat për konsolidimin fiskal dhe menaxhimin e financave publike, me qëllimin administrimin e duhur fiskal.

Ministrja Denaj vlerësoi hapjen e negociatave me Bashkimin Euriopian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe garantoi angazhimin për vijimin e reformave dhe plotësimin e shpejtë të kushteve ekonomike, përpara konferencës së parë ndërqeveritare.

Në mënyrë të veçantë, ajo falënderoi Komisionin Europian dhe përfaqësuesit e Presidencës për mbështetjen e pakushtëzuar për reduktimin e pasojave të shkaktuara nga tërmeti i vitit të shkuar, por edhe ato nga emergjenca e pandemisë Covid – 19.