Postuar më: 26/06/2020

Denaj: Të rrisim investimet e huaja, të rigjallërojmë forcën e punës në treg

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, në prani dhe të Kryeministrit Edi Rama, mori pjesë  në  inaugurimin e fabrikës më të re të prodhimit të pjesëve automotive të Kompanisë Yura Corporation Albania, një investim prej rreth 1 miliard lekësh.

Në fjalën  përshëndettëse, Ministrja Denaj  tha se “ në vitin 2019 arritëm nivelin më të lartë të investimeve të huaja direkte me një vlerë prej 1.08 miliardë euro,  ndërsa theksoi se, sot për pak muaj, për 9 muaj, kemi një godinë të re, por ku janë të instaluara të gjithë pajisjet me makineritë”.

Sipas saj, është mundësuar një investim prej gati 1 miliardë lekësh dhe punësim prej 546 personash në qytetin e Fierit, me një objektiv akoma më të zgjeruar për të ardhmen.

Sigurisht, shtoi Denaj, “Yura Corporation me mbështetjen e AIDA-s, janë ambasadorët për rritjen e investimeve të huaja direkte në Shqipëri, duke synuar që trendi pozitiv i viteve të shkuara të vijojë dhe të rritet më shumë”.

“Në vitin 2019 arritëm nivelin më të lartë të investimeve të huaja direkte me një vlerë prej 1.08 miliardë euro. Dhe vetëm në tremujorin e parë të këtij viti kemi kapur shifrën e 257 milionë eurosh”, tha ajo.

Ky nuk është një vit i zakonshëm, dhe për të gjithë ne, sidomos për ekonominë shqiptare e goditur nga dy fatkeqësi, ka procese të cilat mund të mendohen të ngadalësuara. Megjithatë unë besoj dhe e kam parë në të gjitha vizitat që kam bërë me biznesin këto javë të fundit, pas rihapjes ekonomike, në datën 18 maj, që kudo ka një gjallërim, ka një optimizëm dhe ka një shifër, së pari, e lidhur me punësimin, tha Ministrja , e cila theksoi,  se prej tre muajve të fundit ka një gjallërim të forcës së punës të hyrë në tregun e punës, prej gati 110 mijë personash, duke e zvogëluar dhe ngushtuar pjesën e numrit të të papunëve në gati 27 mijë.

“Kemi 15% më shumë eksporte në fushën e bujqësisë, akuakulturës dhe përpunimeve, të cilat lidhen me eksportin kryesisht të produkteve bujqësore. Këto janë tregues që na bëjnë të ndihemi besëplotë që në afatshkurtër ne do ia dalim. Por në terma afatmesëm dhe afatgjatë në Shqipërinë 2030, jemi të sigurt që do të kemi një reformë ekonomike të plotë për të përfunduar të gjithë reformat e qeverisjes Rama dhe për të vijuar me një ekonomi akoma më të zgjeruar, sidomos në kuadër të investimeve të huaja direkte”, tha Denaj.

“Kjo sfidë e pandemisë 2020 nuk goditi vetëm bizneset, goditi dhe  individët. Megjithatë qeveria shqiptare tregoi një mbështetje dhe një angazhim të plotë, jo vetëm me mbështetjen e 250 mijë shqiptarëve me ndihmë të drejtpërdrejtë direkte, por edhe 100 mijë bizneseve nëpërmjet lehtësive fiskale apo shtyrjes së kredive. Janë akoma 2 garanci sovrane, të cilat në vlerën e 260 milionë eurove do të mundësojnë atë transformim të ekonomisë, të prodhimit, i cili do të mundet të automatizojë, dixhitalizojë dhe të rrisë konkurrueshmërinë, shërbimin dhe cilësinë”, u shpreh në fjalën e saj Ministrja e Financave dhe Ekonomisë.

Kompania koreane e prodhimit të pjesëve automotive “Yura Corporation” vjen në Shqipëri  pas investimeve në 60 fabrika në 12 shtete.  Në këtë fabrikë janë punësuar deri më sot 546 vetë e pritet të krijohen 700 vende të reja pune vitin e ardhshëm dhe të arrihet një total prej 2000 punonjësish në vitin 2023. Ndërsa volumi i eksporteve të kompanisë parashikohet të mbërrijë në 100 milionë Euro brenda tre viteve.