Postuar më: 10/09/2019

Denaj: Shkollat profesionale të orientuara drejt kërkesave të tregut të punës

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, mori pjesë në aktivitetin e zhvilluar nga projekti “Aftësi për Punë”, Shkolla Verore 2019, organizuar në Golem, Durrës.

Ministrja ishte pjesë e panelit me temë “Zhvillimi i kapitalit njerëzor në Shqipëri”, së bashku me z. Brian J. Williams, Koordinator i Përhershëm i OKB në Shqipëri; znj. Linda Rama, eksperte e çështjeve të zhvilllimit njerëzor; z. Patrik Meier, Zv. Shef i Misionit, Ambasada e Zvicrës në Shqipëri si dhe përgjegjës për fushën e zhvillimit ekonomik; dhe z. Vasil Naçi, Drejtor Ekzekutiv dhe President i AGNA Group.

Në diskutimin e saj, Ministrja Denaj theksoi se qeveria shqiptare në 5 vitet e fundit ka rritur mbështetjen e saj për zhvillimin e arsimit profesional në vend. Numri i nxënësve që ndjekin arsimin profesional sot është 19 300, me një ritëm rritje prej 35 %, ndërkohë që ekzistojnë 35 shkolla të arsimit profesional, me 85 profile studimi.

Ministrja informoi se po punohet për hartimin e kuadrit të nevojshëm ligjor për rritjen e nivelit të kualifikimit të shkollave profesionale, ndërsa është menduar që zbatimi i Strategjisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive 2014-2019 të shtyhet deri në vitin 2022, propozim ky që shumë shpejt do të miratohet në Këshillin e Ministrave.

E pyetur mbi ngushtimin e hendekut mes nevojës në tregun e punës dhe ofertës, Ministrja Denaj vuri theksin në një bashkëpunim më të mirë me biznesin dhe në një komunikim të vazhdueshëm me të.

Ministrja informoi se në zbatim të ligjit të ri “Për nxitjen e punësimit” do krijohet dhe institucioni që do të bashkojë arsimin profesional me zyrat e punës, në mënyrë që të ketë një ndërthurje më të mirë të nevojave të arsimit profesional dhe zyrave të punës.

“Sot kemi 35 shkolla të arsimit profesional, 85 profile, të cilat mendoj që janë një bazë shumë e mirë për të punuar drejt eficencës, pasi sigurisht që investimet në infrastrukturë nuk do të mungojnë. Qeveria shqiptare ka rritur ritmin e investimeve në infrastrukturë, por mendojmë se duhet të përmirësojmë më shumë investimet në mësuesit tanë, në rritjen e tyre profesionale dhe një shpërndarje më të mirë të këtyre profileve, ashtu siç i kërkon biznesi. Që ky hendek të ngushtohet duhet që ne të dëgjojmë biznesin dhe të kemi një përshtatshmëri të dy palët se ku do të shkojmë në 5 vitet e ardhshme, pasi këto projeksione nuk japin rezultat pas një viti, por pas 5 vjetësh dhe në bazë të kësaj të shikojmë profilizimet e 85 profileve aktuale dhe t’i ndryshojmë ato, sikurse të ndryshojmë ndoshta dhe lokacionet. E gjithë kjo është pjesë e rishikimit të përditshëm që ne bëjmë, por edhe njëherë e theksoj që për të ulur hendekun, komunikimi permanent dhe i strukturuar me biznesin është i padiskutueshëm dhe së fundmi do t’i vijë në ndihmë edhe një sistem i ri që do krijohet me institucionin që do të krijohet si rrjedhojë e ligjit për nxitjen e punësimit”, u shpreh Ministrja Denaj.

Ministrja e konsideroi si mjaft të rëndësishm edhe promovimin e Zyrave të Punës, në mënyrë që bizneset të bashkëpunojnë me to për furnizimin e tyre me fuqi punëtore.

Projekti “Aftësi për Punë” i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim zbatohet në Shqipëri nga organizata Sëisscontact dhe që prej tetorit 2015 mbështet qeverinë dhe aktorët e tjerë të interesit për të ndërtuar një sistem sa më efikas të Arsimit dhe Formimit Profesional (AFP) në Shqipëri, të frymëzuar nga modeli zviceran. Për arritjen e këtij qëllimi, projekti po promovon një nismë të re: Akademinë “Aftësi për Punë”, e cila do të shërbejë si një platformë për nxitjen e të menduarit kritik dhe të dialogut midis palëve të interesuara të sistemit të AFP në Shqipëri. Shkolla Verore 2019 shënon aktivitetin e radhës të Akademisë, ku përgjatë tri ditëve do të mblidhen së bashku në diskutime politikë-bërës, akademikë, drejtues, mësimdhënës dhe instruktorë të institucioneve ofruese të AFP-së në të gjitha nivelet (publike dhe jo-publike), punëdhënës, nxënës dhe prindër.