Postuar më: 30/05/2019

Denaj: Raporti i KE vlerësoi treguesit makroekonomikë dhe fiskalë

I nderuar kryetar i Kuvendit,

Të nderuar deputetë dhe qytetarë,

Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë konfirmoi qartë drejtimin e duhur që po ndjek Qeveria në një sërë reformash: që nga ajo e drejtësisë, energjisë, ajo e financave publike, arsimit dhe punësimit. Po aq i qartë është edhe mesazhi për të vazhduar me tej me thellimin e këtyre reformave.

Në lidhje me Kriterin Ekonomik, raporti i Komisionit Evropian thekson përmirësimin e treguesve kryesorë makroekonomikë dhe parametrave fiskalë.

-Rritja ekonomike arriti nivelin më të lartë në 10 vitet e fundit, një rritje cilësore me ndikim të drejtpërdrejtë në punësim. Eksportet u rritën bindshëm dhe balancat me jashtë u përmirësuan.

-Investimet e huaja direkte arritën mbi 1mld Euro dhe niveli i borxhit publik për vitin 2018 arriti 67.2% i PBB. Së bashku me reduktimin e kredive të këqija në nivelin e 11 %, bëjnë që Shqipëria të ngushtojë hendekun e saj ekonomik me vendet e Bashkimit Evropian.

-Shqipëria arriti shkallën më të lartë të punësimit në rajon me 52.1 për qind duke shënuar rritjen më të madhe me 1.8 pikë përqindje në vitin 2018. Hendeku gjinor në pjesëmarrjen në forcat e punës dhe në punësim ka ardhur duke u reduktuar.

Raporti i Komisionit Europian vlerëson masat e ndërmarra nga Shqipëria në kuadër të Kapitullit 2 të Acquis që lidhet me lëvizjen e lirë të punonjësve, në veçanti në lidhje me marrëveshje dypalëshe të sigurimeve shoqërore. Sot Shqipëria ka marrëveshje me Belgjikën, Republikën Çeke, Gjermaninë, Luksemburgun, Hungarinë, Austrinë, Rumaninë, Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë. Negociatat me Zvicrën dhe Kanadanë kanë përfunduar dhe marrëveshjet priten të ratifikohen.

Gjithashtu, raport progresi vlerëson edhe zhvillime të tjera në këtë kuadër, duke vënë në pah në veçanti transformimin e zyrave të punës dhe rritjen e eficencës së tyre, si në lidhje me ndërmjetësimin në punësim të punëkërkuesve të papunë, ashtu edhe në bashkëpunimin e tyre me bizneset private. 34,669 punëkërkues u ndërmjetësuan në punësim në vitin 2018 dhe 61,391 vende pune u identifikuan.

Gjatë vitit 2019 prioritet mbetet kompletimi i kuadrit ligjor dhe institucional për Punësimin dhe Arsimin Profesional dhe fuqizimi i dialogut social duke vendosur ndër të tjera kritere të qarta përfaqësueshmërie për anëtarësim në Këshillin Kombëtar të Punës.

Shqipëria dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë angazhohet çdo vit në procesin e hartimit të Programit të Reformave Ekonomike si një nga bazat e plotësimit të kriterit ekonomik. Deri më sot kemi realizuar me sukses një sërë rekomandimesh nga Dialogu Ekonomik dhe Financiar mes Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të BE-së.

Hartimi i buxhetit në përputhje me ligjin organik dhe ecuria e mëtejshme e zbatimit të buxhetit janë vlerësuar pozitivisht edhe në linjë me transparencën e buxhetit dhe shpenzimet në vlerësimin e këtij raporti.

Gjej rastin dhe shpreh mirënjohjen për Bashkimin Evropian për mbështetjen e madhe për reformën e financave publike, që ndoshta është eklipsuar disi nga jehona e reformës në drejtësi por që për nga rëndësia e hapjes së negociatave është po aq kritike.

Jemi në vitin e pestë të zbatimit të reformës dhe shumë përpjekje janë  bërë për të përmbushur angazhimet e ndërmarra në kuadër të financave publike, duke filluar me një zbatim të Strategjisë së Shlyerjes së Detyrimeve të Prapambetura, e deri tek arritjet në drejtim të  ndryshimit të kuadrit ligjor të financave publike.

Si ndryshimet më të rëndësishme po përmend:

  • ligjin e ‘Menaxhimit Financiar dhe Kontrollit’,
  • ligjin ‘Për Auditimin e Brendshëm’,
  • ligjin ‘Për Inspektimin Financiar Publik’,
  • ligjin Organik të Buxhetit
  • ligjin “Për Financat e Vetëqeverisjes Vendore’,
  • dhe së fundmi miratimin e ligjit të ri “Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare.

Të tjera arritje në zbatimin e reformës janë:

  • zhvillimi i sistemeve në funksion të përmirësimit të menaxhimit të proceseve të ciklit të plotë buxhetor (ku përfshihen Sistemi Informativ i Menaxhimit Financiar Shqiptar, sistemet e IT të Administratës Tatimore dhe Doganore, dhe sistemi i prokurimit elektronik);

Edhe pse reforma ka shënuar shumë arritje, siç theksohet dhe në raport progres, mbetet shumë punë për tu bërë për përballimin dhe zvogëlimin e sfidave në fushën e financave publike.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në bashkëpunim të ngushtë dhe me partnerët ndërkombëtarë, ka bërë një vlerësim të thelluar të reformës së Menaxhimit të Financave Publike dhe ka përpiluar strategjinë e re që adreson masat e identifikuara për zbatim.

Në raportin e Komisionit Evropian vlerësohet realizimi i kësaj reforme dhe ky rishikim afatmesëm i hapave të mëtejshëm të lidhura kryesisht me:

  • vlerësimin e planifikimit buxhetor,
  • përmirësimin e planifikimit të investimeve publike, kryesisht atyre me PPP dhe Konçesion,
  • risqet fiskale
  • dhe aksesin elektronik në sistemin e thesarit.

Më tej, Qeveria në linjë me institucionet e saj është e angazhuar në:

  • forcimin e sistemeve të kontrollit për parandalimin e detyrimeve të prapambetura,
  • reduktimin e borxhit publik dhe lidhjeve më të mirë të tyre me planet strategjike afatmesme.

Sërish shpreh mirënjohjen tonë për partnerët tanë Evropianë për mbështetjen e vazhdueshme për një gamë të gjerë reformash të rëndësishme për qytetarët shqiptarë.

Shpresoj që ky bashkëpunim të arrijë një nivel tjetër më të lartë dhe më intensiv, atë të hapjes të negociatave për të adresuar më tej sfidat e mbetura.

Faleminderit!