Postuar më: 04/02/2020

Denaj në Këshillin e Integrimit Europian: Të vendosur për të luftuar evazionin fiskal dhe informalitetin, përafrim të legjislacionit me BE-në

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, mori pjesë në takimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit, në kuadër të Javës së Integritetit, e cila zhvillohet për herë të parë në vend nga data 3 deri më 11 shkurt.

 

Fjala e Ministres Denaj:

 

Të nderuar deputetë,

I nderuar Z. Balla,

E nderuar Znj. Hajdari,

E nderuar Znj. Gjonaj,

Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile dhe të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë,

 

Kjo tryezë sot, sikurse edhe vetë titulli i adresuar më parë në raport me ndërgjegjësimin për masat që janë marrë në raport me luftën kundër korrupsionit, na sjell në vëmendje disa aspekte shumë të rëndësishme që u përmendën edhe pak më parë, si rezultat i nevojës për ta luftuar korrupsionin në të gjithë elementët e tij.

Në aspekt të çështjeve që lidhen me biznesin dhe në lidhje me kuadrin juridik, sigurisht procesi i reformave është një proces i cili ka nisur prej kohësh në shumë sektorë strategjikë që prekin ekonominë.

Unë dëshiroj të theksoj, në radhë të parë, se përmirësimi i vazhdueshëm i klimës së biznesit lidhet me shumë prosece legjislative, duke filluar me fokusin që i vihet raportimit financiar të shëndetshëm dhe transparent nga çdo biznes, qoftë ky vendas apo i huaj i cili, si një fokus i rëndësishëm edhe i administrimit fiskal, luan një rol kryesor në zhvillimin ekonomik të vendit, në vendosjen e një konkurrence të ndershme, në zhvillimin e tregjeve të kapitalit, në aksesin në financim dhe sigurisht në rritjen ekonomike të vendit.

Kuptohet që të realizosh këtë objektiv duhen si instrumente juridikë, ashtu edhe administrativë, dhe për këtë kërkohet kohë dhe shikohet progres.

Jemi angazhuar t’i shërbejmë mirëqeverisjes së koorporatave, të reduktojmë qasjen korruptive në disa aspekte në luftën kundër evazionit dhe informalitetit.

Në tërësinë e tyre, këto masa juridike përfshijnë angazhimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në përmirësimin e të gjithë kuadrit rregullator drejt përshtatjes dhe përafrimit me legjislacionin me atë të acquis communitare me vendet e BE-së. Ritheksoj se janë 13 kapituj që Ministria e Financave dhe Ekonomisë negocion prej disa kohësh. Njëkohësisht, një paketë e rëndësishme është aprovuar vitin e kaluar dhe më e fundit para një jave, Paketa Moneyval e cila i krijon mundësinë MFE dhe institucioneve të saj të luftojnë dhe kenë instrumente shumë më të rregulluar ndaj evazionit fiskal dhe pastrimit të parave.

Unë jam dakord me ju se vetëm pjesa legjislative nuk është e mjaftueshme për të luftuar korrupsionin pasi duhen instrumente të tjerë dhe, mbi të gjitha, duhen instrumente në kohë reale dhe të saktë. Në këtë aspekt, prej gati 9 muajsh ne jemi përfshirë në një proces shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me ligjin e Fiskalizimit, i cili do të ndihmojë në mënyrë të drejtpërdrejtë Administratën Tatimore të marrë të dhëna në kohë reale, të dhëna të sakta, për të gjithë marrëdhëniet e biznesit në raport me administratën tatimore, por njëkohësisht edhe të gjithë informacionit që qarkullon në raport me marrëdhëniet “biznes me biznes” dhe “biznes me qeveri”.

Synimi është që në vitin 2021 i gjithë procesi i informacionit nëpërmjet faturimit të jetë elektronik dhe kjo të ushtrojë një presion akoma më të shtuar drejt qasjes së pasqyrave financiare reale dhe jo atyre fiskale që sot gjykojmë se janë shumë larg realitetit dhe që mundëson edhe një limitim dhe të kreditimit në ekonomi.

Njëkohësisht, shumë e rëndësishme është raportimi financiar i njësive ekonomike në raport me ligjin e kontabilitetit dhe më lejoni të shpreh këtu falënderimin për partnerët tanë ndërkombëtare, Banka Botërore dhe SECO në veçanti, të cilët së bashku me MFE ndërmorrën iniciativën për të ndryshuar ligjin ekzistues për kontalitetin dhe pasqyrat financiare. Qëllimi kryesor i këtyre ndryshimeve është përmirësimi i cilësisë së kuadrit ligjzbatues ekzistues dhe përditësimi i tij për të pasqyruar zhvillimet e fundit, të paktën për 10 vitet nga ndryshimi i fundit i këtij ligji.

Ligji për kontabilitetin përcakton kriteret që duhet të përmbushen nga subjektet për përdorimin e standardeve të raportimit financiar.

Standardet Kombëtare të Kontabilitetit janë rishikuar në korrik të vitit 2014, me një datë efektive më 1 Janar 2015. Ky përmirësim dhe rishikimi i standardeve kombëtare të kontabilitetit është një proces i vazhdueshëm, i cili kryhet nga Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit, një ent i pavarur dhe që monitoron në mënyrë të vazhdueshme vijueshmërinë e këtij aspekti juridik.

Në aspekt me zhvillimet e klimës së biznesit është shumë e rëndësishme të përmendim jo vetëm Indekset që u përmendën në këtë takim sot, për të cilat do të flas në vijim, por edhe Indekset të cilat e vendosin Shqipërinë në kuadër përmirësimi të klimës dhe të përmirësimit të kapaciteteve operacionale.

Prej vitit 2016 Shqipëria ka pasur një përmirësim në “Indeksit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme 2019” në indikatorët mbi:

  1. “Të mësuarit rreth sipërmarrjes dhe sipërmarrja e grave”,
  2. “Shërbimet mbështetëse të NVM-ve”,
  3. “Aftësitë e ndërmarrjeve”

Shqipëria vazhdon të jetë lider në rajon për “Mjedisin operacional të NVM-ve”. Ky është një raport i cili është i disponueshëm por shpesh nuk lexohet sepse përmirësimet gjithmonë janë të fundit në listë e kritikat në fillim.

Për të adresuar shqetësimet në lidhje me klimën e biznesit dhe ato indikatorë që u përmendën pak më parë, më lejoni të theksoj që nëse matja e indikatorëve për rritjen e dhënies së rryshfetit është dy herë më shumë, sikurse u përmend si një raport i Bankës Botërore, unë do të vlerësoja shumë të dija bazën e informacionit pasi është shumë e rëndësishme të kuptojmë nëse kjo bazë informacioni është me perceptime dhe atëherë është një element që duhet ta gjykojmë; nëse është me denoncime, unë do ta mirëprisja këtë raport sepse do të thotë që ndërgjegjësimi i aktorëve të biznesit është rritur në raport me denoncimet. Sikurse e tha edhe kolegia ime pak më parë, ne e kemi të nevojshëm që ky denoncim të jetë i rritur në mënyrë që edhe lufta jonë drejt gjetjes së elementëve korruptivë të jetë efektive dhe e drejtpërdrejtë. Kështu që, nxitja drejt denoncimeve sigurisht është një nxitje që edhe unë si Ministre e Financave dhe Ekonomisë e bëj.

Ne nuk pretendojmë që korrupsioni është zero, se kjo është një luftë e cila do të mbarojë ndonjëherë, pasi është një proces i vazhdueshëm, por ndërgjegjësimi, dhe ky forum pikërisht kësaj i shërben, nëse ka ndihmuar me rritjen dyfish të denoncimeve, unë do ta mirëprisja shumë këtë tregues dhe nuk do ta shikoja me sy negativ, por me syrin pozitiv.

Gjithashtu, më lejoni të theksoj se në klimën e biznesit, elementi i ndryshimit të shpeshtë të kuadrit rregullator e legjislativ, kryesisht atij fiskal, është shqetësues. Është një shqetësim që është përcjellë te Ministria e Financave dhe Ekonomisë edhe në forume të ndryshme të biznesit që ne zhvillojmë. Në këtë aspekt, prej mëse një viti ne kemi komunikuar me biznesin në mënyrë intensive të gjitha aktet juridike, duke filluar nga ai i Fiskalizimit e të gjitha aktet e tjera të Paketës Fiskale, dhe jemi angazhuar në një përpjekje për të adresuar ndryshimet fiskale në një kontekst afatmesëm e jo afatshkurtër, duke synuar të kalojmë nga ndryshimet vjetore në ndryshimet minimalisht 3 vjeçare, pasi edhe për biznesin parashikueshmëria e kuadrit legjislativ fiskal është e nevojshme të jetë më afatmesme dhe afatshkurtë. Kështu që kjo është e mirëpritur.

Konsultimet publike janë të vërtetueshme se si po ndodhin dhe nuk mendoj se janë një format thjesht sa për të kaluar radhën. Është e nevojshme që konsultimet publike të sjellin përmirësim legjislativ. Fakt është që katër nga nenet kryesore të ligjit të Fiskalizimit janë ndryshuar falë konsultimit publik shumë intensiv të bërë me grupet e interesit. Megjithatë, siç e thanë edhe kolegët e tjerë, nuk është një proces i cili përfundon sot. Ne kemi akoma shumë punë për të bërë si në aspektin rregullator, ashtu edhe në atë legjislativ, e unë nuk do të doja të përsërisja pjesën e përmendur nga znj. Gjonaj në raport me shërbimet online.

Doja të përmendja vetëm një shifër që është e rëndësishme për tu mbajtur mend, synohet që në fund të vitit 90% e shërbimeve të jenë online dhe pjesa më e rëndësishme e dokumentacionit, rreth 2/3 e tyre të merren nga administrata e jo nga qytetarët apo biznesi e kjo sigurisht futet nën ombrellën e madhe të revolucionit dixhital, i cili do të eleminojë jo vetëm burokracitë por edhe qasjet e korruptive në raport me sportelet.

Sa i përket zhvillimit ekonomik lidhur me investitorët e huaj, dua të theksoj se të përmirësosh një klimë biznesi, jo vetëm në kuadrin legjislativ, por edhe në kuadrin e ndjekjes së investimeve të huaja, që është shumë e rëndësishme.

Në këtë aspekt janë bërë përpjekje për të ndryshuar edhe mënyrën se si qaset një investitor, duke filluar nja një derë e vetme që ëshët AIDA për të ndjekur të gjithë procesin e zinxhirit të rrugëtimit që një investitor kryen në Shqipëri, sikurse është duke u rishikuar ligji i investimeve, duke përshtatur jo vetëm ligjin e investimeve strategjike, i cili ka një kohëzgjatje të limituar, por edhe ligjin e mëparshëm të investimeve në një ligj të unifikuar të investimeve, i cili sot është hedhur për konsultim publik dhe me mbështetjen e Bankës Botërore në vitin e fundit ne kemi arritur në një qasje që të jetë një kuadër legjislativ i lexuar nga investitorët e huaj për të ndihmuar investimet në vend të cilat, më lejoni të theksoj, nuk janë ulur.

U përmend këtu në fillim ulja me shifra por në fakt, po t’i referohemi shifrave të investimeve të huaja direkte të vitit të kaluar, në 9 mujor, në krahasim me 9-mujorin e 2018-ës, kemi një 10 % rritje, e cila synon që të tejkalohet dhe niveli i 1 miliardë euro që ka qenë në vitin 2018. Pra, treguesit janë aty me shifra për tu evidentuar dhe për tu vlerësuar.

Kjo sigurisht nuk ul aspak presionin që qasja ndaj investitorëve të huaj të na bëjë ne të jemi komodë me faktin që numri i investitorëve dhe vlerat e investimeve janë në rritje sepse, e lidhur edhe me klimën e biznesit, burokracia dhe korrupsioni duhen luftuar në mënyrë të vazhdueshme. Në këtë aspekt, një rol të rëndësishëm kanë edhe Rrjeti i Koordinatorëve dhe i Ministrit të Shtetit për Sipërmarrjes, në një komunikim të drejtpërdrejtë për çdo ankesë, për çdo denoncim, i cili shkon paralelisht edhe me denoncimin korruptiv që menaxhon Ministrja Gjonaj.

 

Në përfundim të fjalës sime dua të theksoj se sot kuadri legjislativ është i plotë, i orientuar drejt legjislacionit të BE-së, synon përafrimin në raport me luftën kundër evazionit dhe korrupsionit në aspekt të evazionit fiskal dhe pastrimit të parave. Sigurisht që vetëm legjislacioni nuk është i mjaftueshëm. Të gjithë institucionet që janë përgjegjëse për të implementuar instrumentet dhe për ta ndjekur legjislacionin deri në fund janë duke punuar dhe ne kemi mbështetjen jo vetëm të organizatave ndërkombëtare në Shqipëri, por edhe aty jashtë saj.

Unë pritja dje zëvendëssekretarin e përgjithshëm të OECD-së, i cili është në një vizitë dy ditore në Shqipëri, institucion që është duke na ndihmuar edhe për ligjin më të fundit që kemi miratuar, atë të shkëmbimit automatik të informacionit, i cili do të ndihmojë jo vetëm përafrimin e legjislacionit në aspekt me këtë element të rëndësishëm, por njëkohësisht dhe çdo aksion që do të realizojë që informacionet nëpërmjet administratave tatimore të 43 vendeve me të cilat ne kemi marrëveshje të taksimit të dyfishtë të jetë në kohë reale dhe sipas standardeve europiane.

Faleminderit.