Postuar më: 15/10/2020

Denaj: Ndryshimet ligjore, lehtësuam barrën fiskale për biznesin

 

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë prezantoi në seancën plenare të radhës Projektligjin për ndryshimet “Për sistemin e taksave vendore”.

“Qeveria Shqiptare është përpjekur maksimalisht të krijojë mundësinë për lehtësimin e ngarkesës, dhe uljen e barrës fiskale duke ndërmarrë iniciativa ligjore  prej muajit korrik në kuadër të lehtësimit të të bërit biznes dhe të krijimit të mundësisë të një akumulimi të fondit për disa vite”, u shpreh Denaj.

 

Fjala e plotë e Ministres Denaj

—————–

 

Të nderuar Deputetë,

Situata me të cilën përballemi ka sjellë një domosdoshmëri në përballje me lehtësimin e kuadrit ligjor për të gjithë tatimpaguesit e vegjël të cilët përballen me vështirësitë më të mëdha në kushtet e pandemisë.

Për këtë qëllim, Qeveria Shqiptare është përpjekur maksimalisht të krijojë mundësinë për lehtësimin e ngarkesës, dhe uljen e barrës fiskale duke ndërmarrë iniciativa ligjore  prej muajit korrik në kuadër të lehtësimit të të bërit biznes dhe të krijimit të mundësisë të një akumulimi të fondit për disa vite.

Në Korrik aprovuam  dhe miratuam ndryshimet ne Ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, ku tatimpaguesit me qarkullim deri në 14 milion lekë kanë mundësinë të paguajnë 0% tatim fitim.

Edhe më herët gjatë situatës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, Parlamenti ka miratuar shtyrjen e afateve te parapagimit të kësteve të tatimit fitimit dhe afateve për pagesën e tatim fitimit për vitin 2020 me biznese në  qarkullim deri nen 14 milion lekë.

  • Këto masa, për këto kategori, lehtësuan 50% të të gjithë numrit të bizneseve në vend.

Ndërkohë, përsëri këtë vit plotësojmë kuadrin për lehtësimin e biznesit të vogël, duke sjellë përpara jush ndryshimet në ligjin Për sistemin e taksave vendore, i cili synon:

Një thjeshtim të lehtësimit të tatim fitimit për të gjitha bizneset:

         Shkalla tatimore e aplikueshme mbi fitimin e tatueshëm, për tatimpaguesit që i nënshtrohen tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, me qarkullim vjetor nga 5 deri në 8 milionë lekë, është 5%.

         Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin, për tatimpaguesit me këtë  qarkullim vjetor nga 0 (zero) deri në 5 milionë lekë, është 0 (zero) lekë në vit.

Me anë të këtij projektligji propozohet që tatimpaguesit objekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin me qarkullim, deri në 8 milion leke të mos tatohen, pra norma e tatim fitimit  për të dyja këto kategori të jetë 0%.

Nga kjo lehtësi fiskale do të përfitojnë rreth 5 mijë e 311 biznese, të cilat janë biznese të vogla.

Në mbështetje të biznesit në këto kohë të vështira, mendoj se është masa e duhur dhe duhet të miratohet nga të gjithë.

Ndërkohë, më lejoni të bëj dhe një prezantim të pikës së gjashtë që ka lidhje me ndryshimin në ligjin e TVSH-së që lidhen me të gjitha investimet në fushën e sportit.

Qeveria shqiptare po ndërmerr një masë e cila vjen në vijim të disa masave të cilat më parë kanë sjellë një lehtësi për të rritur financimin në fushën e sportit. Më lejoni të sjellë përpara jush në vëmendjen tuaj dy nga këto lehtësime përpara se të shkojmë dhe të bëjmë një prezantim të ligjit që propozojmë sot:

  1. Rritem nga 3% ne 5 % shumen e lejuar si shpenzim i zbritshëm për të gjithë sponsorizimet.
  2. Njëkohësisht, njohim trefish të kësaj vlere si shpenzim të zbritshëm për çdo sponsorizim nga kompanitë me fitim mbi 100 milionë lekë.

Këmi ndërmarrë këto ndryshime, pasi janë ndryshime te cilat nxisin financimet nga vetë bizneset të cilat kanë dëshirë të investojnë ose të financojnë më shumë sportin.

Gjithashtu, përjashtuam të ardhurat personale të sportistëve nga tatimi mbi të ardhurat për 2 vite, sigurisht ne mund të diskutojmë nëse kjo është një kohë e mjaftueshme por mendoj se është një kohë e cila e lejon këtë sektor të formalizohet dhe një zgjatje e këtij afati është e panevojshnme.

Për të ardhur sot të nderuar qytetarë dhe sportdashës, tek ky propozim, i cili  në thelb ka ndryshimin e ligjit të TVSH-së ku parashikohet që prej vitit 2021 të aplikohet një shkallë e reduktuar e TVSH-së prej 6% për shërbimet e punimeve për investimet shtetërore apo investimet e klubeve, federatave sportive, për infrastrukturën sportive.

Pra, investimi në furnizimin e shërbimit të punimeve të ndërtimit për investimet shtetërore dhe investimet e klubeve apo federatave sportive në infrastrukturën sportive të përcaktuar në legjislacionin përkatës, të mos trajtohet më në shkallën standarde 20%, por të trajtohet me 6%. Për të gjithë furnizuesit e punimeve të ndërtimit ndonëse do të llogarisin TVSH–në në shitje prej 6% për punimet e ndërtimit për infrastrukturën sportive, do të zbresin të plotë të paguar prej 20% për blerjen e mallrave dhe shërbimeve ne funksion të këtyre punimeve.

Edhe ky është një projektligj i rëndësishëm, për të nxitur investimet në infrastrukturë dhe shpresojmë që ta miratojmë atë.

 

[1] Aplikimi i shkallës së reduktuar të TVSH-së, lejon zbritjen e shumës së TVSH-së, së cilës i njihet e drejta e zbritjes, siç përcaktohet në dispozitat e ligjit “Për TVSH-në”.