Postuar më: 27/12/2019

Denaj: Audituesit, një hallkë e rëndësishme në mirëmenaxhimin e financave publike

Ministria e Financave dhe Ekonomisë zhvilloi sot ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave të Audituesve të Brendshëm në Sektorin Publik për sezonin 2018-2019.

E pranishme në këtë aktivitet ishte dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, e cila gjatë fjalës së rastit foli mbi rëndësinë e rolit të audituesve në administrimin me efektivitet dhe përgjegjshmëri të financave publike, si dhe të rritjes së transparencës ndaj qytetarëve mbi mënyrën se si menaxhohen financat publike.

“Audituesit për sektorin publik kanë një vlerë të rëndësishme dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë në financat publike, në përgjegjshmërinë që financat kanë jo vetëm në çdo lek të investuar, për sa mirë është investuar dhe në përputhshmëri të plotë ligjore, dhe mbi të gjitha në një përgjegjësi shumë të shtuar ndaj qytetarëve, të cilët kontribuojnë me taksat e tyre”, u shpreh Ministrja .

Ministrja Denaj theksoi nevojën e ridinamizimit të mënyrës së auditimit në sektorin publik, sipas standardeve ndërkombëtare, çka kërkon më shumë llogaridhënie dhe kualifikim.

“Unë ju ftoj që si proces të mos e shikoni të përfunduar sot, por ta shikoni si proces në vijueshmëri. Është shumë e rëndësishme të analizohet se çfarë ndodh me praktikën nga një proces akademik te tjetri, çfarë evidentojmë në praktikë për të përmirësuar proceset tona të brendshme, në raport me zbatueshmërinë e ligjit dhe llogaridhënien sepse të dyja janë shumë të rëndësishme, për ju si auditues dhe ne si Ministri e Financave dhe Ekonomisë”, tha znj. Denaj.

Procesi i certifikimit për periudhën 2018 – 2019 përfundoi me dhënien e certifikatës së “Audituesit të Brendshëm në Sektorin Publik” për 41 persona, të cilët u vlerësuan të sukseshëm duke treguar rezultate pozitive në përvetësimin e dijeve dhe aftësive profesionale të nevojshme për t’u renditur në armatën e audituesve të brendshëm publikë.

 

Në të ardhmen, në kuadër edhe të prioriteteve dhe objektivave strategjikë të MFE, në pajtueshmëri të plotë me kërkesat e Ligjit 114/205 të Standardeve Ndërkombëtarë të Auditimit të Brendshëm të pranuara, ky proces do të forcohet dhe përmirësohet akoma dhe më shumë.