Postuar më: 12/11/2018

Buxheti 2019, të ardhurat rriten mbi 30 miliardë. Vazhdon konsolidimi fiskal.

PROGRAMI I TË ARDHURAVE PER VITIN 2019

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat

Programi i të ardhurave për vitin 2019 mbështet synimet e Qeverisë për konsolidim të mëtejshëm fiskal, reduktimin e deficitit buxhetor dhe uljen e borxhit publik.

Programi i të ardhurave për 2019-ën bazohet në katër shtylla: përmirësimin e administrimit fiskal; minimizimin e informalitetit në ekonomi; rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit dhe nxitjen e prodhimit vendas dhe eksporteve.

Të ardhurat gjithsej të programuara në Buxhetin 2019 janë 486.5 miliard lekë,  30.6 miliard lekë më shumë se sa viti 2018 ose 6.71 % krahasuar me vitin 2018

Të ardhurat tatimore janë 447.2 miliard lekë, me një rritje 28 miliard ose +6.65 % krahasuar me vitin 2018

Të ardhurat nga Tatimet, Doganat dhe Sigurimet janë 425.5 miliard lekë, me një rritje 26.6 miliard lekë, ose +6.7 % krahasuar me vitin 2018

Në programimin e të ardhurave nga Tatimet dhe Doganat për vitin 2019, janë marrë në konsideratë të gjithë faktorët kryesorë me ndikim në buxhet, përfshirë efektin e rritjes ekonomike dhe indeksit të çmimeve, politikat e reja fiskale si dhe efektet nga lufta kundër informalitetit, e shoqëruar kjo me masa ligjore anti-shmangie me qëllim rritjen e nivelit të pajtimit vullnetar të tatimpaguesve me ligjin.

Programimi i të ardhurave për vitin 2019 është në linjë me synimet e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për konsolidimin e mëtejshëm fiskal, reduktimin e deficitit buxhetor dhe borxhit publik, si dhe përmirësimin e administrimit fiskal dhe minimizimin e informalitetit në ekonomi, në mbështetje të rritjes ekonomike të qëndrueshme, duke nxitur rritjen e prodhimit dhe eksportet.

Metodologjia e programimit të të ardhurave është bazuar në modelet bashkëkohore të programimit, si dhe në analizën e detajuar të faktorëve që ndikojnë mbi secilën taksë dhe tatim. Modelet bazë të përdorura janë:

  • Parashikimet makroekonomike.
  • Modeli bazuar në analizën e 60-grup produkteve kryesore në import dhe Analizën e Serive Kohore të tyre.
  • Modeli bazuar në koefiçentin e elasticitetit “Buoyancy” dhe “Effective Tax Rate” për çdo taksë.

Këto modele bazohen në të dhëna historike 4-vjeçare të importeve dhe të ardhurave doganore për 60-grup produktet kryesore; analizojnë tendencën e ndryshimit të sasive të importuara për të njëjtat periudha në 4 vite; marrin në konsideratë faktorë të tjerë të konstatuar gjatë vitit korrent; masin dhe vlerësojnë efektet bazuar në indikatorë makroekonomikë duke analizuar efektin në ndryshimin e të ardhurave për një % të ndryshimit në PBB (“Buoyancy” dhe “Effective Tax Rate”).

Në terma konkretë, në planifikim janë harmonizuar faktorët makroekonomikë, me treguesit kryesorë që ndikojnë në taksa specifike. Janë analizuar në veçanti sasitë dhe çmimet e mallrave kryesorë të importit dhe prodhimit vendas që mbulojnë mbi 90% të vlerës së të ardhurave totale, duke marrë në konsideratë gjithashtu:

  • Rritjen nominale të PBB-së duke analizuar këtë efekt në mënyrë të integruar me faktorë të tjerë për çdo taksë në veçanti, të ndërlidhur me të dhënat historike dhe projeksionet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare tek taksat ad-valorem si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, Renta minerare dhe Taksa doganore.
  • Kursin e pritshëm të këmbimit të dy monedhave kryesore: USD dhe EURO me Lekun.
  • Çmimet në Bursë që ndikojnë në të ardhurat nga TVSH-ja dhe Renta minerare.
  • Sasitë e pritshme të importit të mallrave.
  • Rritjen e të ardhurave nga akciza për karburantet, cigaret, pijet etj, si rezultat i rritjes së pritshme në sasi të tyre, në përputhje me konsumin. Janë programuar të zhdoganohen +200 ton ose 6.9% më shumë cigare krahasuar me realizimin e pritshëm të 2018-ës. Po kështu, është parashikuar rritja prej 4% e importit të karburanteve bazuar në ecurinë e vitit 2018, konsumit të karburanteve në përputhje me rritjen ekonomike dhe nevojat e tregut.
  • Ndryshimin e çmimeve të karburanteve, sipas publikimeve të “EIA- U.S Energy Information Administration”, një institucion referencë.
  • Rritjen e të ardhurave nga TVSH-ja në import dhe TVSH-ja brenda vendit, e shoqëruar me programimin e fondeve të nevojshme për rimbursimin në kohë të tatimpaguesve.
  • Rritjen e të ardhurave nga Tatimi mbi Fitimin, e cila reflekton rritjen e deklarimit dhe qarkullimit të realizuar të operatorëve ekonomikë.

Të ardhurat tatimore  nga Tatimet, Dogana dhe Kontributet për sigurime për vitin 2019, vlerësohen të jenë në shumën rreth 424.5 miliardë lekë, 26.4 miliardë lekë më shumë se parashikimi i vitit 2018. Këto të ardhura do të jenë sa 24.2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Kemi një tabelë të detajuar se si i kemi bërë parashikimet që nga projekti bazë i 2018-ës, pra pritshmëritë, gjithë të ardhurat që janë “one-off” ose që realizohen vetëm një herë e nuk kanë frekuencë të përvitshme, pastaj kemi të llogaritur rritjen e të ardhurave nominale, efektin e deflatorit, kuptohet edhe masat fiskale. Për vitin 2019 kemi një sërë masash fiskale që ne i përmendëm para disa ditësh në komision.

  1. Parashikimi i të ardhurave tatimore sipas llojit të tatimeve për vitin 2019:

 

  1. Të ardhurat nga T.V.SH-ja parashikohet të jetë 153.3 miliardë lekë, 9.5 miliardë lekë më shumë se pritshmëria për vitin 2018, me një rritje prej 6.6%. Brenda rritjes së TVSH-së në vitin 2019 do të jenë:
  • TVSH që do të gjenerohet si rezultat i rritjes ekonomike dhe indeksit të çmimeve,
  • TVSH nga rritja e volumit të importeve dhe konjuktura e çmimeve ndërkombëtare,
  • TVSH nga përmirësimi i administrimit, lufta ndaj informalitetit dhe kontrolli i zinxhirit të transaksioneve ndërmjet operatorëve.

 

  1. Të ardhurat nga akciza vlerësohen të jenë 48.3 miliardë lekë me një rritje prej 2.8 miliardë lekë ose 6.2% më shumë se pritshmëria e vitin 2018. Faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e parashikuar të të ardhurave nga akciza janë:
  • Programimi i rritjes me 200 ton cigare krahasuar me të pritshmin e vitit 2018,
  • Rritja me 4 % e importit dhe prodhimit të karburanteve,
  • Rritja e akcizës së cigareve me 3 lek/paketa e planifikuar në bazë të skedulit me efekt 0.46 miliard lekë
  • Rritja e të ardhurave nga akciza e duhanit dhe zëvendësuesve të tjerë
  • Lufta kundër informalitetit, kontrolli rigoroz i subjekteve të akcizës si dhe disiplinimi i mëtejshëm i procedurave të përfitimit të përjashtimeve dhe rimbursimeve nga kjo taksë.

 

  1. Të ardhurat nga Tatimi mbi Fitimin vlerësohen me rritje 7% ose 2.2 miliardë lekë më shumë se viti 2018, pra parashikohet të arkëtohen 33.5 miliardë lekë. Ritja e parashikuar në tatimin mbi fitimin bazohet:
  • së pari në rritjen ekonomike të parashikuar, çka do reflektohet edhe në deklaratat e tatimpaguesve;
  • së dyti në forcimin e kontrollit të deklaratave, bazuar në kriteret e riskut;
  • së treti në kontributet fiskale që do të gjenerohen nga sektori energjetik i cili vitin e kaluar, për hir të së vërtetës, nuk dha tatim fitimi, nuk kontribuoi në rritje, por përkundrazi kërkoi mbështetje direkte nga buxheti i shtetit.

Theksoj se performanca në tatimin mbi fitimin e vitit 2018 dhe rritja relativisht e ulët krahasuar me vitin 2017, lidhet me situatën energjitike që kaloi vendi në vitin 2018 e cila u reflektua në bilancet dhe kontributet fiskale, pra ajo që thashë pak më lart.

 

  1. Të ardhurat nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale parashikohen 41,9 miliard lekë, me rritje +12% ose +4,5 miliard lekë më shumë se viti 2018. Në parashikimin e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale janë marrë në konsideratë:
  • rritja normale ekonomike dhe impakti i saj në nivelin e pagës mesatare;
  • rritja e numrit të të punësuarve, bazuar në ecurinë e vitit 2018;
  • ulja e të ardhurave nga rritja e pragut të taksimit të pagave me tarifën 23 %, që vlerësohet në -320 milion lekë;
  • ulja e normës së tatimit mbi dividentin nga 15 % në 8%.

 

  1. Të ardhurat nga Taksa Nacionale dhe të Tjera vlerësohen të jenë 41.2 miliardë lekë. Parashikohet për këtë taksë për vitin 2019 që të ketë afërsisht 3 % më shumë ose 1.1 miliardë lekë më shumë se i pritshmi i 2018-ës dhe sigurisht këtu kemi dhe efektin nga mbyllja e lojërave të fatit që shkon, i kombinuar, deri në 7 miliardë.
  • efektet e ndryshimeve në taksën e ambalazheve plastike dhe taksën e rentës gjithashtu.

 

  1. Të ardhurat nga Taksa Doganore në vitin 2019 vlerësohet të jenë 7.4 miliard lekë, me rritje 390 milionë lekë ose 5,6 % krahasuar me vitin 2018, realizimi i pritshëm i të cilit parashikohet të jetë 7 miliard lekë. Në programimin e të ardhurave janë marrë në konsideratë efektet e rritjes së importeve të tatueshme, si dhe disa efekte minimale nga lëvizja e tarifave doganore.
  2. Parashikimi i të ardhurave nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore në vitin 2019.

 

Të ardhurat nga Kontributet për Sigurime Shoqërore e Shëndetësore në vitin 2019 parashikohet të rriten me +7%, ose 6.4 miliard lekë krahasuar me të pritshmin e vitit 2018. Të ardhurat nga kontributet pritet të jenë 97.9 miliard lekë, nga 91.5 miliard lekë që do arkëtohen në vitin 2018.  Rritja e programuar e të ardhurave mbështetet në këta faktorë:

  • Rritja ekonomike
  • Forcimi i administrimit ( të dyja kombinojnë dhe rritjen e numrit të të punësuarve)
  • Rritmin e rritjes së të ardhurave nga kontributet në dy-tre vitet e fundit
  • Efektin e rritjes së pagës minimale nga 1 janari 2019. (Sot është 24. Ne po bëjmë kalkulimet tona për 25 dhe 26 mijë lekë, por ende nuk është marrë një vendim në nivelin e Kryeministrit).

 

Risqet fiskale

Risqet fiskale që shoqërojnë gjithë planifikimin lidhen natyrshëm si çdo vit, me realizimin e të ardhurave të programuara nga Tatimet, Doganat dhe Kontributet e Sigurimeve, konsistojnë në:

  1. Rritjen me rreth 28% të çmimit Brent të naftës bruto, krahasuar me muajin gusht 2018. Në planifikimin e të ardhurave është vlerësuar kompensimi i luhatjeve të mundshëm të çmimit, nëpërmjet disiplinimit maksimal të rasteve të përjashtimeve dhe rimbursimeve përtej normave ligjore dhe parashikimeve.
  2. Është parashikuar një rritje me 200 ton e importit të cigareve me një efekt në të ardhura nga TVSH, Akciza dhe Taksa Doganore, por që sigurisht mund të mos realizohet 100 %.
  3. Është parashikuar rritja e importit dhe prodhimit vendas të karburantit me 4% bazuar në performancën e vitit 2018. Në rast se nuk verifikohet kjo rritje mund të shkojë me efekt negativ deri në 1 miliardë.
  4. Mosrealizimi në masën e projektuar i të ardhurave nga tatimi mbi dividentin, që lidhet me incentivimin e shpërndarjes së fitimeve të mbartura nga vitet e kaluara, me afat kohor shtatorin. Këtu kemi një risk të paktën 1.5 miliardë lekë.

Pra, kjo ishte një përmbledhje e detajuar e gjithë platformës që qëndron përtej planifikimit të të ardhurave. Këtu po ndaloj prezantimin dhe me kënaqësi do të prisja opinionet ose pyetjet.

Faleminderit.