Postuar më: 21/03/2019

Banka Botërore: Shqipëria, vendi me punësimin më të madh në Ballkan

 

Raporti i Bankës Botërore për trendin e punësimit në Ballkanin Perëndimor, konfirmon edhe njëherë angazhimin e Qeverisë Shqiptare për të ulur normën e papunësisë në vend, nxitjen e politikave lehtësuese dhe klimën e favorshme të biznesit.

Raporti konstaton se Shqipëria është vendi me punësimin më të madh në Ballkan, ku nga 68 mijë të punësuar më shumë në të gjithë rajonin, Shqipëria ka kontribuar me 38,700 të tillë. Kjo falë edhe kontributit mbresëlënës të Zyrave të Punës dhe programeve të nxitjes së punësimit.

Raporti konstaton se Shqipëria ka rritjen më të madhe të punësimit në masën 3.3%, tre herë më e lartë se ajo e rajonit, sikurse dhe rritjen më të lartë në paga në masën 6.6%. Norma e punësimit në Shqipëri në nivelin 60% është më e larta në rajon, ndërsa papunësia në vend ka arritur në pikën më të ulët në masën 12.4%.

Edhe pse raporti përmend se informaliteti ka trend rënës, lufta ndaj informalitetit do të mbetet një angazhim madhor për Qeverinë Shqiptare në vijimësi të mandatit. Ndërsa krijimi i vendeve të reja të punës përtej aksit Tiranë-Durrës, si dhe fokusi i zhvillimit rural përmes mbështetjes së bujqësisë dhe agroturizmit do të jenë angazhim serioz në funksion të rivitalizimit të jetës dhe ekonomisë së fshatit.

Raporti i Bankës Botërore dhe Institutit të Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare “Trendet e Tregut  të Punës në Ballkanin Perëndimor për vitin 2019”

Performanca e tregut të punës në Ballkanin Perëndimor ka vazhduar të përmirësohet, ndonëse me një ritëm më të ngadaltë se sa një vit më parë për pjesën më të madhe të 6 vendeve të rajonit. Sipas raportit për “Trendet e Tregut të Punës në Ballkanin Perëndimor për vitin 2019”, të prezantuar para 2 ditësh nga Banka Botërore dhe Instituti i Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (ëiië), numri i vendeve të reja të punës të hapura ndërmjet tremujorit të dytë të vitit 2017 dhe tremujorit të dytë të vitit 2018 është rreth 68,000, krahasuar me 231,000 prej tyre një vit më parë. Nga 68,000 vende pune të krijuara, 38,700 janë në Shqipëri.

Shqipëria dhe Mali i Zi kanë raportuar rritjen më të madhe sa i takon numrit të vendeve të punës në rajon, me 3.3 përqind secila, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me një rritje prej 2.1 përqind. Shumica e vendeve të reja të punës në Shqipëri u krijuan në sektorin e industrisë dhe shërbimeve. Gratë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në tregjet e punës në Ballkanin Perëndimor, por më shumë se gjysma e rritjes së punësimit është regjistruar në rradhët e tyre. Në Shqipëri 70 për qind e rritjes i përket grave (me rreth 28,000 gra me shumë të punësuara). Të rinjtë (15-24) gjithashtu janë ndër përfituesit më të mëdhenj me rreth 23,000 të rinj më shumë që rezultojnë të punësuar.

Mesatarisht, tregjet rajonale të punës kanë shfaqur përmirësime në normat e aktivitetit (nga 0.5 pikë përqindjeje deri në 62.8 përqind) dhe normat e punësimit (nga 1 pikë përqindjeje deri në 52.9 përqind), por, gjithsesi ato mbeten shumë më poshtë standardeve europiane.

Papunësia pësoi ulje historike në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke rënë nga 16.2 për qind në 15.3 për qind gjatë vitit të kaluar. Normat në shtetet në fjalë shkonin nga rreth 12 për qind në Shqipëri dhe Serbi në 29 për qind në Kosovë. Rajoni gjithashtu ka përjetuar një rënie të ndjeshme të papunësisë afatgjatë, nga një shifër kulminante prej 1.5 milionë persona në vitin 2011 në 776,000 persona në tremujorin e dytë të vitit 2018. Megjithatë, papunësia në Ballkanin Perëndimor dhe në Shqipëri mbeti një sfidë e konsiderueshme.

Raporti vëren se punësimi informal, një nga sfidat më të mëdha të tregjeve të punës të Ballkanit Perëndimor, ndonëse me një trend rënës në përqindje në Shqipëri (nga 50% në 2014, në 36% aktualisht). Në vitin 2018 ishin të rinjtë, gratë e moshuara dhe punonjësit me arsim të ulët ata që kishin më shumë gjasa të kryenin punë informale.

“Përmirësimet në performancën e tregut të punës janë inkurajuese, por trendi ngadalësues nxjerr në pah një sërë shqetësimesh”, tha Linda Van Gelder, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. “Ne ende kemi nevojë për një sektor privat më të fuqishëm që gjeneron vende pune dhe politika publike të përshtatshme që përmirësojnë punësueshmërinë e fuqisë punëtore për të mbështetur performancën dhe ecurinë e tregut të punës në të ardhmen”.

Pavarësisht pozicionit të tyre të vështirë në tregun e punës, situata e punësimit të të rinjve vazhdoi të përmirësohej, ku norma e papunësisë në rradhët e të rinjve pësoi rënie me 3 pikë përqindje deri në 34.6 për qind. Edhe pse në rënie, përqindja e të rinjve (15-24 vjeç) të cilët nuk janë të përfshirë në punësim, arsim dhe as në trajnim (NEET) mbeti e lartë në nivelin 22.3 për qind. Normat nën mesatare u raportuan në Mal të Zi dhe në Serbi (rreth 17 përqind), krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor (që variojnë nga 24 deri në 26 përqind).

Së fundmi pagat reale në Shqipëri kanë pësuar një rritje të ndjeshme me rreth 6.6%, ndonëse raporti nënvijëzon një stagnim në produktivitet.