Postuar më: 03/02/2014

Analiza te doganat, Cani thekson prioritetet

Më datë 4 shkurt, u zhvillua në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave analiza vjetore për 2013-n si dhe sfidat me prioritet kryesore të 2014-s, ku mori pjesë edhe Ministri i Financave, z.Shkëlqim Cani.

Në fjalën e saj, drejtorja e Përgjithshme e Doganave znj.Elisa Spiropali theksoi rëndësinë e mirëkoordinimit mes institucioneve fiskale, zbatimin me korrektesë të pakatës fiskale për pjesën e doganave, si dhe vijimin e komunikimit me grupet e interest, me qëllimin përmirësimin e shërbimeve dhe arritjen e produktivitetit.

Ministri Cani uroi doganat për rezultatet e deritanishme jo vetëm në pjesën e arkëtimeve, por edhe në luftën ndaj korrupsionit. Rëndësi për ministrin ka zbatimi me rigorozitet i Kodit Doganor nga ana punonjësve të administratës.

Ministri i Financave u ndal në disa çështje me interes në lidhje me:

Rëndësinë e thjeshtimit të procedurave doganore, pasi në këtë mënyrë lehtësohen bizneset, ul radhët e qëndrimit në pikat doganore, etj;

Forcimin e bashkëpunimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve si dy institucione kryesore që ndikojnë në rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare;

Kontraktimin e Crown Agents, jo vetëm në rritjen e të ardhurave të doganave shqiptare, por edhe në përmirësimin e kapaciteteve të brendshme, me synim arritjen e një administrate profesioniste dhe të qëndrueshme.

Ministri i Financave gjithashtu vuri theksin në intensifikimin e bashkëpunimit me doganat kosovare duke patur si qëllim unifikimin e pikave doganore mes dy vendeve. Me rëndësi të vecantë ishte dhe diskutimi në lidhje me çmimet e referencës duke përsëritur angazhimin se do të shkohet drejt eleminimit të kësaj praktike brenda vitit.

Në vitin 2013, administrata doganore mundi të mbledhë rreth 141 miliardë lekë, nga 129.2 miliardë lekë të arkëtuara në 2012-n.

Të rejat e fundit