Postuar më: 04/09/2018

3.3 miliardë për Paketën e Solidariteit në fundvit. Miratohet Akti Normativ i Buxhetit 2018

Fjala e Ministrit Ahmetaj në prezantimin e Aktit Normativ të Buxhetit 2018 në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat

 

Unë do ta nis fjalën time me një parashtrim të situatës makroekonomike, për të kaluar pastaj në detaje të aktit normativ duke iu referuar edhe statistikave, të dhënave qoftë në mënyrë kuantitative, qoftë në mënyrë cilësore të fiskut, deri në fund shtatëmujorit dhe operative, deri në fund të tetë mujorit.

Situata Makroekonomike:

Viti 2018 ka vijuar të konsolidojë trendin përshpejtues të ekonomisë shqiptare që ka filluar tashmë që prej vitit 2014, pra viti i pestë me një përshpejtim të rritjes ekonomike, një trend domethënës që reflekton se kjo performancë më në fund është e bazuar jo në rastësi, por në fondamentet ekonomike.

Prodhimi i Brendshёm Bruto (PBB) u rrit me 4.45 % në terma real nё tremujorin e parё të 2018 dhe të gjitha të dhënat indirekte tregojnë që do të kemi po një rritje të këtij niveli dhe në tremujorin e dytë.  Ndërkohë që objektivi ynë vazhdon të qëndrojë një rritje 4% – 4.2% në fund të vitit 2018, dhe në referencë të planifikimeve që institucionet ndërkombëtare me gjithë qëndrimin konservator në përgjithësi të tyre, referojnë për ekonominë shqiptare.

Komponentët e shpenzimeve të cilët gjeneruan pjesën më të madhe të rritjes ekonomike nё tremujorin e parё 2018, ishin konsumi dhe investimet, pra konsumi i bazuar kryesisht tek kërkesa e brendshme. Përkatësisht, konsumi total u rrit me rreth 2.96%, gati 3% në terma real, po aq edhe ai i privat i familjeve, që tregon për disa tremujorë rrjesht, rritje të konsoliduar të konsumit, i bazuar në kërkesën e brendshme dhe në përmirësimin, pra në konsenguencë dhe për shkak, të përmirësimit të konsiderueshëm të tregut të punës. Ndërsa investimet totale gjatë tremujorit tё parё tё 2018 u rritën me rreth 5.43% në terma real.

Tek investimet vlen të përmendet ecuria e investimeve të huaja direkte për tremujorin e parë të cilat patën një rritje tejet të fortë mbi 60 %. Ky zhvillim përbën një tejkalim të konsiderueshëm të pritshmërive fillestare për T1-2018, që pritej në fakt një lloj ngadalësimi, me të gjitha gjasat dhe me referencat e institucioneve ndërkombëtare, dhe për shkak se projektet e mëdha kanë filluar të ulin ritmet e investimit dhe janë vitin dhe dy vitet e fundit të tyre. Megjithatë surpriza jo e rastësishme, investimet kapën nivele rekord tremujor dhe nga të dhënat indirekte dhe në diskutimet me shifra operative me Bankën e Shqipërisë, mendohet që investimet e huaja për tremujorin e dytë të shkojnë në nivelin 210-220 milionë euro, që do të thotë të kapin nivelin e 500 milionë euro në 6-mujor, që do të thotë sërish që viti 2018 të ketë në të gjitha gjasat e veta, një rekord të ri historik në investimet e huaja në vendin tonë.

Ndërkohë, është me interes të shikohet tremujori i dytë dhe ai tretë sa i takon eksporteve të shërbimeve, pasi pritshmëritë dhe vlerësimet paraprake për sektorin e turizmit të këtij viti janë shumë optimiste. Për rrjedhojë, presim që gjatë vitit në tërësi kërkesa e brendshme të vijojë të jetë gjeneruesi kryesor i rritjes ekonomike.

Nëse i referohemi numrave të turizmit, ku përkufizohen brenda eksportit të shërbimeve, në 7-mujor kemi 2,9 milionë shtetas të huaj që kanë vizituar Shqipërinë. Vetëm në korrik kishte mbi 1 milionë dhe gushti, në të dhënat tona operative, ka njohur prapë numra rekord të shtetasve të huaj që kanë vizituar për turizëm Shqipërinë, mbi 1 milionë, që do të thotë që 8-mujori të ketë kapur shifrën rekord në historinë e këtij sektori, në 4.2-4.4 milionë turistë në 8-mujor dhe ky vit sërish dhe për turizmin, ashtu si dhe për investimet e huaja, do të shënojë rekord me shifrën mbi 5.5-5.8 milionë turistë deri në fund të vitit.

Sektorët të cilët gjeneruan pjesën dërrmuese të rritjes ekonomike, ishin:

  • Industria, e cila u rrit në terma real me pothuajse 20% (19.9 %);
  • Tregtia e cila u rrit me 3.75%;
  • Bujqësia që u rrit në terma 2% (1.93%)

 

Performanca e mirë e ekonomisë reale gjatë vitit 2017 dhe tremujorit tё parё të 2018, u reflektua qartёsisht edhe në tregun e punës. Nё fund tё vitit 2017, shkalla e papunësisë ra në 13.6 %, ndёrsa vijoi tё bjerё sërish në T1-2018 nё 12.5 % duke regjistruar nivelin më të ulët që nga tremujori i parë i vitit 2012. Ndërkohë, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u zgjerua me 3.4 %  gjatë 2017 ose rreth 38 mijë të punësuar të rinj. Punёsimi u zgjerua gjithashtu nё T1-2018 me 3.5% krahasuar me T1-2017. Pra, një panoramë shumë e shkurtër e përmirësimit të tregut të punës, qoftë në uljen e papunësisë, qoftë në rritjen e pjesëmarrjes në forcën e punës.

Edhe perceptimi i agjentёve ekonomik mbi ekonominё ka njohur njё pёrmirёsim tё dukshёm, siç dёshmohet nga Treguesi i Ndjesisё Ekonomike. Ky tregues sot qёndron mbi mesataren afatgjatё qё prej T2-2016. Pra, për ta thënë ndryshe, që prej T2-2016 aktorët ekonomikë vetëm kanë rritur dhe konsoliduar qëndrimin, ndjesinë e tyre ekonomike pozitive për ekonominë shqiptare.

ECURIA FISKALE:

Përsa i përket ecurisë fiskale, në  Aktin Normativ të miratuar nga Qeveria në korrik të vitit 2018, totali i të ardhurave të buxhetit nuk ka ndryshuar, duke ruajtur të njëjtin nivel të parashikuar në fillim të vitit me 464.7 miliard lekë.

Po kështu, edhe totali i të ardhurave tatimore nuk ka ndryshuar. Ato janë 424.44 miliard lekë, e njëjta shumë e  miratuar në ligjin fillestar të buxhetit për vitin 2018.

Axhustimet e nevojshme dhe të domosdoshme janë bërë brenda zërave të të ardhurave, me qëllim pasqyrimin e efekteve të faktorëve të paparashikuar, të cilët  kanë ndikuar në 6 mujorin e parë të vitit.

  1. Janë axhustuar të ardhurat  nga TVSH për 3.5 miliard lekë ulje që lidhet me:
  • Reduktimin e TVSH-së në import, nga rënia e kursit të këmbimit të monedhave të huaja (Euro, USD) krahasuar me  lekun. Efekti i matur i këtij faktori, që është përtej duarve dhe mundësive tona për t’u kontrolluar, shkon në 6-mujor 4 miliardë dhe në 8-mujor ka kapur 5 miliardë. Pra, pëer t’i thënë Komisionit, por dhe qytetarëve, që buxheti ka pësuar një goditje vetëm në këtë korsi, pra për shkak të mbivlerësimit të lekut, prej gati 5 miliardë lekë vetëm në kuadrin kohor të 8 muajve. Të dhënën e gushtit e kemi akoma operative dhe sigurisht që do ta axhustojmë në mënyrë më të saktë kur të kemi shifrën finale nga Dogana dhe nga Thesari.

 

  • Përshpejtimi i rimbursimit të TVSH-së për eksportuesit dhe investimet në projektet e mëdha si TAP me  + 1,3  miliard lekë krahasuar me vitin e kaluar dhe 0,6 miliard lekë krahasuar me planin e 6 mujorit të parë. Pra, po përshpejtojmë procesin e rimbursimit të TAP.

 

  1. Të ardhurat në tatimin mbi fitimin korporativ u reduktuan me 0,5 miliard lekë, me qëllim reflektimin e situatës energjetike të vitit të kaluar me importe të konsiderueshme të energjisë elektrike, çka ndikoi neëuljen e parametrave ekonomikë të ndërmarrjeve të sistemit energjëtik (KESH, OSHEE), fitimit të tyre  dhe rrjedhimisht edhe të kontributeve fiskale të buxhetit e shtetit.  Sqarojmë se situata jo e favorshme e vitit të kaluar është rikuperuar në vitin që po kalojmë, çka besojmë se do të japë efekte pozitive në rezultatin financiar të tyre, pra në fitimin e këtyre kompanive dhe që do të reflektohet edhe në kontributet fiskale për buxhetin e shtetit në vitin pasardhës.

 

  1. Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale u axhustuan me + 0,5 miliard lekë, me qëllim pasqyrimin dhe reflektimin tek interesat.

 

  1. Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore u rritën me 4.5 miliard lekë, për të pasqyruar situatën pozitive të 6 mujorit të parë në mbledhjen e të ardhurave nga kontributet, rezultat ky i ndërgjegjësimit të punëmarrësve dhe punëdhënësve, si dhe i aksionit të ndërmarrë në kuadrin e anti informalitetit.   Në korrik 2018, bazuar në dokumentacionin e dorëzuar nga vetë kompanitë, në Shqipëri rezultojnë 724 mijë vende pune të deklaruara me 690 mijë të punësuar të deklaruar.  690 mijë të punësuar! Krahasojeni me 430 mijë të punësuar në vitin 2013.

 

Pra, në 690 mijë të punësuar që ka Republika e Shqipërisë dhe ekonomia shqiptare, që nga viti 1 i demokracisë dhe deri sot që kanë kaluar gati 27 vite, rreth 240-250 mijë janë punësuar vetëm në 4 vitet e fundit, që do të thotë pak më shumë se 35 % e të punësuarve janë punësuar në mandatin e parë të qeverisë Rama.

Sigurisht që, diskutimi mund të vazhdojë. Sigurisht që pritshmëria e qytetarëve është shumë e madhe, në legjitimitet dhe në të drejtë të tyre. Sigurisht që jemi larg asaj që duam të arrijmë, por unë dua t’i kujtoj Komisionit dhe të gjithë qytetarëve që mund të na ndjekin që, të mos harrojmë që kemi ardhur nga një krizë e rëndë ekonomike, financiare, fiskale e vitit 2013. 2012-ta ishte viti ku, edhe duke iu referuar raportit të Bankës Botërore, varfëria arriti kulmin në Shqipëri, ku papunësia dhe mjerimi ekonomik ishin të pakrahasuar edhe me vitet e ’97-’98, e që nga ai vit, që nga 2013-a kemi mundur në ekonomi, së bashku me të gjithë aktorët, që ekonomia të ketë krijuar mbi 240 mijë të punësuar, të ketë krijuar gati 260 mijë vende pune, të cilat janë mbi 35 % e të gjithë vendeve të krijuara në gati 30 vite në Shqipëri.

 

ZHVILLIMET BUXHETORE:

Përsa i përket zhvillimeve buxhetore, ndikuar prej ecurisë pozitive të treguesve kryesorë makroekonomikë, edhe treguesit kryesorë fiskal e buxhetorë, shfaqin të njëjtin trend:

  • Të ardhurat e përgjithshme, për muajin e shtatë të vitit 2018 arritën në rreth 255.9 miliardë LEK. Këtu dua të ndaloj një sekond për të shuar atë debat që bëjmë përtej syve, veshëve dhe mendjeve të qytetarëve. Në krahasim me vitin 2013 ne mbledhin sot 1 miliard dollarë më shumë në vit se sa ai vit. Deri në fund të vitit 2017, sepse këtë vit sigurisht që do të përmirësohet rezultati. A ka punë për të bërë? Pa fund ka punë për të bërë. Megjithë goditjet që kemi pasur për shkak të kursit të këmbimit, sërish balanca fiskale dhe njëtrajtashmëria makroekonomike duke furnizuar rritjen, është e garantuar.

Ndërkohë, realizimi shkon në masën 97 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017 ky zë ka rezultuar 3 përqind më i lartë ose rreth 7.5 miliardë LEK më shumë, rreth 75 milionë dollarë më shumë se sa viti i kaluar. Në terma vjetorë në krahasim me periudhën ato u realizuan në masën 55.1 përqind të planit vjetor.

  • Në të njëjtën kohë, shpenzimet e përgjithshme publike për muajin e shtatë të vitit 2018 arritën në rreth 252.8 miliardë LEK me një realizim të kënaqshëm në masën 95.1 përqind. Sigurisht që muaji gusht, në të dhënat e mia operative ka një përshpejtim të shpenzimeve dhe besoj që këto muaj do të shohim, edhe për shkak të profilit të ecurisë së investimeve publike apo të shpenzimeve në tërësi, një përshpejtim të realizimit të shpenzimeve qoftë në total, qoftë në zëra specifikë.
  • Këtu veçojmë se, shpenzimet korente rezultuan në rreth 218.1 miliardë LEK ose 1.7 përqind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, dhe shpenzimet kapitale me një realizim në masën 34.7 miliardë LEK ose 19.1 përqind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017.
  • Për rrjedhojë, për shtatë muajt e parë të vitit 2018, buxheti ka realizuar akoma një suficit të përgjithshëm prej 3.1 miliardë LEK ose rreth 7.2 përqind më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Kjo, shoqëruar me një suficit primar prej rreth 21.2 miliard lekë ose akoma 1.3 përqind e PBB në nivel 7-mujor, në linjë me objektivat indikative të vendosura në fund të programit me FMN, për periudhën që do të pasonte programin, pra për periudhën korente.

AKTI NORMATIV NR.1 i BUXHETIT 2018:

 

Pavarësisht ecurisë tejet pozitive të ekonomisë dhe financave publike, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndërmarrë procesin dhe ka përgatitur skenarin e rishikimit të buxhetit 2018. Ky rishikim u propozua t’i nënshtrohet procedurës së Aktit Normativ, për arsyet kryesore që vijojnë:

  • Sigurimin e një shpërblimi për pensionistët dhe familjet në nevojë në fund të vitit;
  • Rritjen e efiçencës së përdorimit të burimeve publike për rialokimet drejt projekteve të investimeve me progres më të mirë deri tani;
  • Rritjen e sigurisë në realizimin e treguesve të buxhetit;
  • Sistemimin e të ardhurave midis zërave, me efekt zero;
  • Alokimin e burimeve drejt projekteve të investimeve publike, të cilat rezultojnë me progres më të mirë me qëllim arritjen e nivelit të programuar të tyre për vitin 2018.
  • Shlyerjen në kohë të detyrimeve financiare kontraktuale të institucioneve buxhetore nëpërmjet rialokimeve buxhetore të këtij Akti Normativ. Kësisoj reduktohet mundësia e krijimit të detyrimeve të prapambetura deri në fund të vitit 2018

Mbi të gjitha, duhet theksuar se ndryshimet e propozuara nuk prekin treguesit kryesorë makroekonomikë dhe fiskal, duke ruajtuar defiçitin në nivel të pandryshueshëm, duke garantuar dhe forcuar më tej objektivin e Qeverisë për qëndrueshmëri fiskale.

Më konkretisht, Akti Normativ që Ju propozojmë konsiston në:

  • Ruajtjen e parametrave kryesore të buxhetit të miratuar në fillim të vitit. Deficiti buxhetor, siç e theksova, mbetet i pandryshuar, ndërkohë që të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit pësojnë sistemime midis zërave, efekt ky neutral ky për buxhetin e shtetit.

 

  • Rialokime brenda zërave të buxhetit, kryesisht për:
  • Miratimin e një fondi në masën 3 miliardë lekë për shpërblimin e pensionistëve (rreth 5.000 lekë/pensionist), për t’u akorduar në fund të vitit, që është rezultat i kursimeve nga skema e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe parashikimit të rritjes së të ardhurave nga kontributet në këto skema.
  • Miratimin e një bonusi rreth 300 milionë lekë për kategoritë në nevojë, pra që shkon gjithë paketa e solidaritetit në 3.3 miliardë.
  • Rialokimi i shpenzimeve kapitale, ku kryefjala është rialokimi nga projektet me ecuri të ngadaltë.
    1. Gjithashtu, kemi mbështetur sektorin energjitik përmes rritjes me 1.5 miliard LEK të tavanit të financimit të huaj, tashmë të konsumuar.
    2. Së fundi, është mbështetur me 1 miliardë lekë financimi i plotë për projektet në vazhdim dhe hapja e disa projekteve të reja prioritare me financim të brendshëm.

 

Gjithashtu, kemi disa rialokime në mbështetje të familjeve që përfitojnë nga bonusi i strehimit nëpërmjet rialokimeve të brendshme mes zërave të shpenzimeve buxhetore të programit të Strehimit; si dhe disa rialokime të tjera.

Në gjykimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Qeverisë shqiptare, ky Akt Normativ jep garanci më shumë për një rritje ekonomike të qënësishme, në favor të qytetarëve të këtij vendi, nëpërmjet instrumentave fiskalë e buxhetorë, me standardet e duhura.

Përpara se ta mbyll fjalën time do të desha t`ju tërhiqja vëmëndjen deputetëve tek një tabelë shumë interesante, e cila mbyll atë debatin se çfarë vëmendje ka kjo maxhorancë për qytetarët.

Kemi bërë debat se sa i kemi mbështetur pensionistët dhe familjet në nevojë, me atë që ne i referohemi “Paketa e solidaritetit”. Po ta shikoni, kam bërë një krahasim mes qeverisjes 8 vjeçare të PD-së dhe 4 vjeçare të PS-së. Totali në 8 vite i qeverisë së Partisë Demokratike ka qenë 10.5 miliardë dhe po ta shikoni profilin e dhënies së bonusit gjatë qeverisjes së tyre, është 1 herë në 2 vjet gjatë viteve elektorale. Ndërsa, po ta shikoni atë që kemi bërë në 4 vite, është 11.3 miliardë. Pra, në 4 vite ne kemi dhënë gati 10 % më shumë se ç`kanë dhënë qeveria e PD-së në 8 vite dhe mënyra e ofrimit të paketës së solidaritetit nga ana jonë nuk ka lidhje fare me vitet elektorale. Shihni kohën kur ne japim bonus, pa dallim, dhe kohën kur ata tentojnë të japin bonuse vetëm në vite elektorale.

Kjo besoj e mbyll për qytetarët që duan të dëgjojnë atë debatin se kush ka dhënë më shumë, kush ka pasur vëmendje më shumë dhe kush ka tentuar të manipulojë financat publike në funksion të interesave elektorale.

Paketa e solidaritetit është kthyer në një standard dhe kjo është edhe arsyeja pse qeveria e ka sjellë të konsoliduar në buxhet me shifër konkrete, për të garantuar të gjithë qytetarët (pensionistët dhe familjet në nevojë) që në planet e veta qeveria ka vëmendje totale ndaj qytatarëve.  Gjithë vëmendja shkon te qytetarët.

Dua të bëj një rezyme vetëm të një elementi, që lidh atë çka kemi bërë me shëndetësinë për shembull, për të treguar dhe këtu vëmendjen ndaj qytetarëve. Nëpërmjet qasjes së mbulimit universal të shërbimeve shëndetësore, mbi 300 mijë qytetarë, pjesë e 80 mijë familjeve të varfra, në nevojë, ose me të ardhura të pakëta, përfituan dhe përfitojnë kujdes mjekësor falas nga mjeku i familjes. Kur i dëgjojmë në tryezë duket sikur janë shifra, por në terrenin e përditshëm familjar është totalisht vëmendje ndaj qytetarëve dhe në këtë rast, vëmëndje ndaj qytetarëve në nevojë. 300 mijë qytetarë që nuk kanë mundësi, kanë përfituar shërbim falas nga mjeku i familjes, 300 mijë qytetarë. 600 mijë qytetarë të pasiguruar përfitojnë vizitat falas tek mjeku i familjes dhe tarifat e ulura të kujdesit shëndetësor të specializuar dhe skema e rimbursimit.

Mos harroni që për shakaqe të ndryshme, në jetën e tyre këta 600 mijë qytetarë nuk kanë pasur mundësi të sigurohen dhe janë lënë në mëshirë të fatit. Janë lënë dikur në mëshirë të fatit dhe sigurisht që kur diskutojmë, patjetër që nuk duhet të harrojmë kurrë se kemi shumë për të bërë dhe jemi larg akoma pritshmërisë së tyre, por mos harroni që këta 600 mijë qytetarë para disa vitesh kanë qenë në mëshirë të fatit dhe sot ata janë brenda skemës së shërbimit shëndetësor dhe përfitojnë rimbursim të medikamenteve brenda skemës së rimbursimit.

Që prej vitit 2015 ofrohet shërbimi parandalues dhe diagnostikimi i hershëm i sëmundjeve për të paktën 480 mijë persona falas, me kontroll periodik dhe sigurisht që është rritur dhe shërbimi parësor nëpërmjet zgjerimit të listës së medikamenteve, ku numri i tyre ka shkuar në 500.

Besoj që duhet të jap një përgjigje për atë gënjeshtër të madhe, e më vjen keq që deputetët e opozitës mungojnë sot, kur thonë “shpenzimet e luksit, shpenzimet e luksit”.

Shpenzimet për pajisje dhe mobilim zyrash janë planifikuar në 342 milionë lekë, ose vetëm 0.6 % e totalit vjetor të investimeve të brendshme prej 55 miliardë dhe akoma më pak e totalit të investimeve. Pra e shikoni të vërtetën? Ky është buxheti i shtetit nga Thesari, planifikimi pastaj është zbatimi. Për periudhën 7-mujore ato janë realizuar në nivelin faktik 76 milionë lekë ose vetëm 22 % e planit, kundrejt nivelit të faktit total të investimeve të brendshme që janë realizuar në 22.3 miliardë.

Shpenzimet për rikonstruksion dhe ndërtim zyrash, boloria e gënjeshtrës së  përditshme. Për vitin 2018 janë planifikuar gjithsej 647 milionë lekë ose vetëm 1.17 % e totalit vjetor të investimeve të brendshme prej 55.17 miliardë. Për periudhën 7 mujore ato janë realizuar vetëm 545 milionë lekë. Pra, e kuptoni se çfarë gënjeshtre del përditë për veshët e qytetarëve? Ku janë 110 milionë dollarët?!

T`ju them edhe diçka tjetër që ka të bëjë me blerje makinash? E dini çfarë quajnë, të dashur qytetarë, blerje makinash për luks? Blerjen e Flotës së Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, në funksion të luftimit të informalitetit në sigurinë ushqimore. Nëse këta njerëz janë kundër sigurisë ushqimore, dakord, le t’i quajmë makina në funksion të luksit. Por janë makina të inspektorëve të AKU-së që shkojnë derë më derë nëpër dyqane, nëpër magazina, për të ruajtur çdo ditë dhe më tepër kujdesin e qytetarëve në funksion të sigurisë ushqimore. Këto janë shpenzime luksi? Apo kjo është gënjeshtra e madhe?

Dua të bëj dhe një sqarim përsa i përket mitit të rrugëve.

Kilometrat e rrugëve të nisura që nuk përfunduan deri në 2013-ën. Tendera, tendera, tendera! Jo rrugë, ata bënë tendera. Hapën tendera edhe me nga 1 mijë dollarë, edhe me nga 10 mijë dollarë për 20 milionë e 100 milionë euro, dhe punët u bënë në periudhën 2013-2017.

Ja ku janë, faktet janë kokëforte. Në fillim të mandatit 2013, pra kur qeveria “Rama 1” mori detyrën, ishin 67 kontrata të hapura, por puna ose kishte filluar në 2-3 %, ose nuk kishte filluar fare. Ishin 344 km rrugë të tenderuara, por të bëra zero. 46 kontrata të kolauduara por të palikujduara, të palikujduara, 208 km rrugë.

Dhe unë po ju them që në fund të mandatit tonë të parë janë likujduar të gjitha kontratat e lidhura para fillimit të mandatit tonë dhe janë përfunduar-kolauduar 39 kontrata ose vetëm nga këto të kufizuara 320 km rrugë dhe të tjerat janë në vazhdim. Pra ai miti që “bënë rrugë, bënë rrrugë”. Asnjë rrugë! E lanë gjithë Shqipërinë me rrugët, copa-copa, pa sinjalistikë, diku e asfaltuar e diku jo, diku me një korsi diku me gjysëm korsie, dhe u mburrën me atë që s’e kishin bërë.

Faleminderit!