Postuar më: 09/08/2019

Task Forcë e Turizmit- Denaj: Ndryshimet ligjore në procedurat tatimore brenda gushtit

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, së bashku me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z.Bledi Çuçi, në  kuadër të Task Forcës për Turizmin,  zhvilluan një inspektim në Gjirin e Gjipesë, ku policia liroi një hapësirë plazhi zonë e mbrojtur, në rreth 3,000 m2 sipërfaqe.

Nga grupet e monitorimit në terren dhe Hetimit tatimor janë  monitoruar  vetëm në rajonin e jugut nga Vlora deri në Sarandë rreth  755 biznese, nga të cilat 40% të tyre janë konstatuar me shkelje. “Për ne është e rëndësishme të vendosim të gjithë biznesin përpara ndërgjegjësimit, si dhe të garantojmë se do të vazhdojmë të jemi kudo për të monitoruar dhe për të respektuar ligjin. Rakordimi më i mirë i gjithë politikave, jo vetëm atyre qendrore, por edhe lokale do të shërbejë për të mos lejuar paligjshmërinë, në të gjithë aspektet që nga vendndodhja e deri tek prerja e kuponit, kundrejt gjithë rregullave ligjore”, tha ministrja Denaj.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë nënvizoi gjithashtu se objektivi është që brenda muajit gusht do të hartohet një paketë e plotë ligjore për të goditur të gjithë elementët e paligjshmërisë. “Sikurse është konstatuar si në evidencat e shkeljeve, në ato të kuponit të munguar, edhe në bllokimin e aktivitetit, ndodh që mbas tre ditësh hiqet shiriti kundrejt rregullave të sakta juridike, me një vendim gjykate. Paketa ligjore mbi të cilën po punohet do të synojë një goditje të plotë juridike pa qenë nevoja për një procedurë kaq të ndërlikuar, e cila në fund nuk e godet paligjshmërinë”, tha ministrja Denaj.