Postuar më: 09/08/2019

Zëvendësministrja Sorensen inspektim në Shëngjin, 1,000 punëmarrës janë futur në skemën e sigurimeve

Institucionet e linjës po bashkëpunojnë për arritjen e rezultateve sa më të larta në kuadër të zbatimit të Planit Operacional Stop Informalitetit.

Për këtë qëllim, zëvendësministrja e Financës dhe Ekonomisë znj. Dajna Soresen e shoqëruar edhe nga kryeinspektori i Inspektoriatit të Punës z. Arben Seferi zhvilluan një inspektim në zonën e Shëngjinit.

Inspektoriati i Punës, vetëm në sektorin e hoteleri-turizmit ka inspektuar 1,470 subjekte, nga të cilat rreth 30% , pra 495 subjekte kanë rezultuar me problematikë, me punonjës informalë. Në Qarkun e Lezhës dhe në veri në përgjithësi, ka një tendencë më të lartë të informalitetit.

“Sot jemi këtu në Shëngjin, pikërisht për të inspektuar disa nga hotelet që operojnë gjatë sezonit turistik. Kuptohet që informaliteti në vetvete ka një tendencë pak më të lartë gjatë sezonit të verës. Është shumë e rëndësishme të vlerësohet fakti që Inspektoriati i Punës është në një bashkëpunim shumë të ngushtë tashmë me Administratën Tatimore, ku në kohë reale ata janë në gjendje të shkëmbejnë informacion të vazhdueshëm dhe për të informuar të dyja palët. Megjithatë vihet re që biznesi ka filluar të ndërgjegjësohet dhe ka qenë bashkëpunues. Kjo falë qasjes që ka pasur Inspektoriati, ku synimi nuk është penalizimi, por ndërgjegjësimi dhe sigurimi që të gjithë persona të cilët janë të identifikuar si informalë të formalizohen. Nga korriku deri më sot janë rreth 1,000 persona, të cilët janë konstatuar si informalë dhe janë futur në skemën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore”, tha zn.Sorensen.

Kryeinspektori i Inspektoriatit të Punës z. Arben Seferi tha se janë të atashuar në të gjithë vijën bregdetare 30 grupe inspektimi.

“ Është një proces që ka filluar dhe do të vazhdojë deri në ndërgjegjësimin e plotë të punëmarrësve dhe punëdhënëse për të arritur rezultate pozitive edhe gjatë muajve në vijim. Një nga prioritetet e Inspektoriatit të Punës ka qenë sjellja e inspektorëve me biznesin. Qëllimi në vetvete nuk është penalizimi i biznesit, por është formalizimi i tij dhe kjo po bëhet pa kosto shtesë nga ana e biznesit.

Fokusi i punës në këtë periudhë, për Inspektoriatin e Punës nuk është vetëm sektori i hoteleri-turizmit, por edhe karburantet, të gjitha produktet e akcizës, si dhe industria e ndërtimit, me qëllim identifikimin e punonjësve të paregjistruar në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.