Postuar më: 08/08/2019

“Fiskalizimi”, vijon procesi i konsultimit publik mbi projektligjin

Projektligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, prej datës 1 gusht është hedhur për konsultim publik, sikundër është njoftuar edhe më herët nga Ministrja e Ekonomisë dhe Financave znj.Anila Denaj.

Për Ministrinë e Financës dhe Ekonomisë, gjatë kësaj periudhë, vlerësohet shumë i rëndësishëm procesi i konsultimit publik, ndaj fton të gjitha grupet e interesit dhe opinionin në tërësi, të japin komentet dhe sugjerimet e tyre, me qëllim mbarëvajtjen e një proces transparent dhe gjithëpërfshirës.

Ju bëjmë me dije se këtë projektligj, i njohur ndryshe edhe si “Fiskalizimi”, të gjitha palët e interesuara mund ta gjejnë në platformën online: http://www.konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/195.

Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve, gjithashtu, në  faqen e saj zyrtare ka krijuar një meny të dedikuar mbi fiskalizimin:  https://www.tatime.gov.al/c/424/fiskalizimi, në të cilën do të gjeni pyetjet më të shpeshta dhe përgjigjet për secilën prej tyre.

Për marrjen e komenteve, pyetjeve dhe sugjerimeve në dispozicion të  çdo të interesuari, është një staf teknik i dedikuar, i cili mund të kontaktohet përmes adresës së postës elektronike: Fiskalizimi.Helpdesk@tatime.gov.al.

Faza e konsultimit publik do të zgjasë deri në fund të muajit Gusht 2019.

Gjithashtu, me qëllim garantimin e një komunikimi sa më të plotë janë planifikuar të organizohen tryeza të gjera diskutimi me grupe interesi, si me: kontabilistë, specialistë të sektorit të Iinformacionit dhe Teknologjisë, shoqatat e biznesit, dhomat e tregtisë,  Këshillin e Investimeve, Këshillin Konsultativ, Tatimor, etj..

Projektligji, synon krijimin e një sistemi të ri faturimi dhe monitorimi të transaksioneve të bizneseve në vend. Ai parashikon që, duke nisur që nga data 1 Janar 2020, të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit do të raportohen te Administrata Tatimore në kohë reale, bazuar në sistemin e ri të pajisjeve fiskale, ndërsa nga 1 Janari 2021, të gjitha transaksionet ndërmjet biznesit me njëri – tjetrin dhe ndërmjet biznesit me organet publike do të bëhen në bazë të faturës elektronike.

Reforma e Fiskalizimit është një angazhim madhor i qeverisë shqiptare në përpjekje për të minimizuar ekonominë informale, përmes modernizimit të sistemit të monitorimit të taksave. Qëllimi i këtij projekti është:

  • Minimizimi i niveli të ekonomisë informale;
  • Përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave;
  • Identifikim më i lehtë i evazionit;
  • Bërjen e auditimit të taksave më kost-eficiente;
  • Ulja e nivelit të korrupsionit në administratë;
  • Ofrimi i më shumë shërbimeve publike për qytetarët dhe biznesin.
  • Pozicionimi i Shqipërisë më afër standardeve të Bashkimit Europian.