Postuar më: 07/08/2019

Denaj nga Himara: Jo më fatura jotatimore dhe në gjuhë të huaj

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë znj.Anila Denaj, në kuadër të Planit Operacion, Stop-Informalitetit, zhvilloi një inspektim në disa subjekte në zonën e Himarës.

Gjatë inspektimit rezultoi se një subjekt i cili operonte në sektorin e restoranteve, lëshonte fatura jotatimore dhe në gjuhë të huaj. Denoncimi më herët kishte mbërritur në telefonin e znj.Denaj nga një qytetar, duke dëshmuar kështu faktin se në luftën kundër informalitetit po e përkrahin edhe qytetarët.

“Erdhëm këtu edhe për një denoncim të një qytetari, i cili dërgoi një faturë jo tatimore në celularin tim, duke denoncuar ekzistencën e paligjshmërisë në një nga restorantet më të shtrenjta të kësaj zone dhe çmimet rezultuan ndjeshëm më të larta sesa tregu. Kjo është një çështje e modelit të biznesit, i cili për sa kohë ka një klientelë është shumë mirë, por në asnjë rast nuk duhet të ekzistojnë fatura jotatimore, aq më tepër në gjuhë të huaj, pra fatura te prodhuara në Shqipëri. Argumenti i përdorur nga menaxheri i restorantit se përdorej për menaxhim të brendshëm, nuk mund të pranohet, jo vetëm se është në shkelje të procedurave tatimore, por sepse përmban edhe çmime”, tha ministrja Denaj.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë znj.Anila Denaj, falënderoi qytetarët, të cilët duke denoncuar po ndihmojnë për të luftuar informalitetin.

“Kërkoj që denoncime të tilla të bëhen përmes të gjitha mënyrave të komunikimit, madje edhe përmes aplikacionit të ri Stop-Informalitetit, i cili do të nisë të jetë funksional këtë fundjavë. Është e rëndësishme të kuptohet se biznesi duhet të heqë dorë nga mbajtja e kuponëve të tjerë, që nuk janë tatimorë. Bizneset do të jenë në monitorim të vazhdueshëm nga ana e Administratës Tatimore deri sa të ndryshohet sjellja dhe të futen në rrugën e ligjit, për të shmangur vendosjen e masave ekstreme”, tha ministrja Denaj.

Ajo garantoi se qeveria është e vendosur për të çuar përpara luftën kundër informalitetit, me qëllim kryesor rritjen e të ardhurave, marrjen e shërbimeve sa më cilësore, si dhe garantimin e konkurrencës së ndershme.

Strukturat e Monitorimit në Terren dhe të Hetimit Tatimor do të vazhdojnë të jenë gjatë gjithë kohës në terren për identifikimin e subjekteve me risk.