Postuar më: 04/08/2019

Ministrja Denaj inspektim në magazinat fiskale të produkteve të akcizës

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë znj.Anila Denaj, në kuadër të Planit Operacional në luftën kundër informalitetit, zhvilloi një inspektim në një nga magazinat fiskale të stokinit të produktit BIRRË në Kashar, Tiranë, ku shoqërohej edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave z.Arlind Gjokuta .

Bazuar në planin operacoinal, Strukturat e Departamentit të Analizave dhe Aposteriorit kanë ushtruar kontroll pranë një operatori me status “Magazinë fiskale stokimi” për produktin e akcizës, birrë. Nga kontrolli i ushtruar rezultoi mangësi në magazinën fiskale sasia prej rreth 500,000 litra birrë, me detyrime akcize të papaguara në shumën rreth 17.6 milionë lekësh.

Hedhja për konsum nga ana e operatorit, e kësaj sasie birre, pa paguar detyrimet e akcizës, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me 3-fishin e detyrimeve të akcizës që duheshin paguar. Detyrimi i operatorit për t’u paguar llogaritet në rreth 70.4 milionë lekë.

“Administrata Doganore gjatë këtij muaji do të fokusohet kryesisht në të gjitha pikat e magazinave fiskale, të cilat depozitojnë sasi të konsiderueshme pijesh alkoolike, karburant, gaz, etj.. Ajo që kemi konstatuar në të gjitha këto inspektime, që tashmë janë në bazë risku dhe do të zgjerohen në të gjithë territorin e Shqipërisë, është se kemi gjetur produkte të pafiskalizuara. Ne do të vijojmë të zbatojmë Planin Operacional për të gjitha pikat dhe magazinat fiskale, qofshin ato të stokimit dhe të tjera, për të gjitha produktet e akcizës, jo vetëm pijet, por edhe hidrokarburet dhe gazin, në mënyrë që të kemi një pasqyrë të qartë për të gjitha evidentimet e evazionit fiskal”, tha ministrja Denaj.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave z.Arlind Gjokuta u shpreh se plani operacional është ndarë sipas produkteve të akcizës dhe një nga kriteret bazë të modulit të riskut, që po zbaton Administrata Dogare për identifikimin e subjekteve, është madhësia e tij.

“Zbatimi i Planit Operacional nga strukturat tona ka nisur nga subjektet më të mëdha, në mënyrë që këto subjekte, ashtu sikurse edhe të tjerat, jo vetëm të ndërgjegjësohen, por të merren edhe masat përkatëse, në rastet kur do të konstatohet se ka moszbatim korrekt të ligjit. Kostoja e mospërputhshmërisë ligjore është shumë e lartë. Ju bëjmë thirrje subjekteve të zbatojnë me përpikmëri të gjithë dispozitat e ligjit për akcizën, dispozitat e Kodit Doganor dhe aktet e tjera ligjore në fuqi”, tha z.Gjokuta.

Edhe ministrja Denaj apeloi biznesin që të evidentojnë të gjithë mallin brenda një regjimi fiskal, në një kohë sa më të optimale, pasi Plani Operacional do të vazhdojë dhe zbatimi i tij do të jetë i përpiktë.